Post mortum marrëveshjeve të dy qeverive shqiptare në Pejë!
Shkruan: Hajriz Sejdiu
Burrat e kombit gjithnjë janë betuar në flamur, mbi flamur dhe përball tij. Dhe më e shumta që kanë bërë, ka qenë vendosja e duarve mbi të, por asnjëherë, asnjëri nga ata burra nuk kishte shkarravitur mbi flamur me asnjë lloj ngjyre. Dhe historikisht, betimi mbi, në apo përball flamurit gjithmonë është shoqëruar me një akt të shkruar ku janë paraqitur qartë qëllimi dhe objektivat kombëtare.
Po cili ishte qëllimi dhe cilat ishin objektivat e shkarravitjes dhe vendosjes së duarve në mënyrë të sforcuar dhe groteske mbi flamurin kombëtar në mbledhjen e dy qeverive shqiptare në Pejë?
Nuk kishte asgjë që të lente përshtypjen e një akti patriotik apo të qeverisjes së mirë, përveç se shprehjes delirante, frustruese, të sikletshme dhe patosit të rrejshëm kombëtar. Përndryshe edhe fëmijët e dinë se Kosova dhe Shqipëria nuk shkëmbejnë asgjë përveç eurove që na i vjel turizmi shqiptar, bilës me shërbimet më të këqija të mundshme gjatë pushimeve tona verore atje.
Për më tepër, marrëveshjeve dhe protokolleve të shumta të nënshkruara deri tani, në mbledhjen e dy qeverive në Pejë, ju bashkëngjitën edhe disa marrëveshje dhe protokolle tjera që do t`i mbulojë myku i burokracisë dhe patriotizmit verbal andej e këndej kufirit shqiptaro shqiptar.
Mbledhja e Pejës u shqua për figuracionet, gjestikulacioni dhe diskursi i fjalimit në stilin e liderit të “madh”, në të cilën mbledhje, përveç groteskut, dhe mashtrimit të tejdukshëm për gjoja një të ardhme më të mirë për shqiptarët gjithandej, nuk prodhojë asgjë veç se tallje, përbuzje dhe përballje me veprime të shpejta hakmarrëse të kundërshtarëve tanë.
Liderët shqiptarë, të Shqipërisë dhe të Kosovës po të donin dhe po të duan vërtetë, që të realizojnë ato që flasin në, jo me pak se tri katër takime të përbashkëta qeveritare, qe disa vite radhazi, mund ti kishin bërë realitet këto premtime qëmoti, pa fanfare, pa rrahje gjoksi dhe pa shkarravitur mbi flamur me lapsa të ndryshëm, si të ishte flamuri kombëtar pëlhurë e dobët pikturimi, e jo flamur i shenjtë që duhet pas parasysh edhe vendin se ku e vendosim.
Një Kryeministër i një “shteti mëmë” që me patetikë qorton dhe fyen shumë qytetarë për mendimin e shfaqur dhe vet ai shfaq mendime, strategji dhe jep opinione për të gjitha çështjet aty ku duhet e aty ku nuk duhet, nuk ke si ta quash ndryshe veç se një njeri autokrat, megaloman dhe i cili luan të gjitha rolet e mundshme, nga ai i kryeministrit, presidentit, babait të kombit, ideologut dhe kryeprokurorit, për të përfunduar në një sharlatanizëm që në fund të fundit më nuk dihet se çka thotë, kënd mbron dhe kënd e shan.
Të ofendosh të tjerët për kundërshtitë dhe mendimet e ndryshme të shfaqura haptazi, duhet pas parasysh se kush janë ata njerëz që i shan dhe ofendon (megjithëse edukata e kërkon që të mos shahet dhe ofendohet askush), çfarë është pozita e tyre në shoqëri, ke përfaqësojnë ata dhe, kush mund të ndjehet i fyer nga sharjet e një kryeministri.
Tek e fundit, ofendimet, sharjet, fyerjet dhe akuzat e rrejshme për të tjerët dhe kundër të tjerëve i trajton prokuroria dhe ato nuk janë çështje e udhëheqësve shtetërorë, përndryshe kjo i bie që të ndikosh politikisht dhe me vetëdije të plotë, në kompetencat e pushteteve të ndara dhe për më keq, në një vend ku nuk qeveris vet, e ku sillesh si zot shtëpie, e jo si vëlla apo mik.
Shqiptarët sot e gjithmonë, më së shumti kanë nevojë për veprime racionale, e jo për shfryrje emocionesh, konflikte, sharje, e fyerje banale në mes vete!