Femi HALIMI
Një pronar kompanie kontraktoi me punë një mësues për gruan e tij.
Donte ta ngritëte gruan e tij në arsim dhe ta mbushte me fuqi të re jete. Kishin një moshë të mesme ai dhe gruaja e tij. Kishin ardhë në një fazë jete kur dashuria dhe jeta e përbashkët në vendet urbane nisin të dobësohen. Ai pronari i kompanisë kishte gra për dashuri dhe nuk mërzitej për gruan, por deshi t’ia bënte atë të mirë gruas së tij! Donte ta përtërinte!
Ashtu ai mësuesi shkoi në pallatin e atij pronari dhe nisi të ligjëronte e ti jepte mësime të ndryshme gruas së pronarit. I ligjëronte informatikë, etikë, poetikë, oratori, logjikë, arte të bukura, mësime mbi sjelljen e lartë, edukatën, e pas të gjithave, mësime dashurie, mënyra sjelljeje të buta e tërheqëse që rrisin kënaqësinë dhe bëjnë njeriun të ndihet hyjnor! Për të arritur këto duhet mësim.
Mësuesi kishte një karakter brilant. Ai ishte tejet i sjellshëm dhe i butë! Ishte një punëtor shkencor i Institutit Nacional, kishte një duzinë librash të botuara dhe kishte një fjalor të jashtëzakonshëm komunikimi. Temë e tij e përgjithshme në librat e tij ishte arritja e komunikimit në mes njerëzve dhe kalimi i pengesave që çojnë deri në përsosje, ku njerëzit përfundojnë në një botë magjike të tërheqjes në mes vete!…
Mësuesi me kohë hetoi se burri dhe gruaja kishin një karakter: të dytë, kishin shumë dashnorë e dashnore dhe për këtë i tregonin atij shlirë. Kufiri në mes një dashurie dhe një tjetre ishte shlyer tek ta dhe nuk hetohej më ajo gjallëria e të dashuruarve. Dashurinë e kufizon xhelozia, e mbron dhe e mbanë drejt dhe kjo është ligj. Është e çuditshme se edhe vetë Zoti Perëndi në Shkrimin thotë se është xheloz në njeriun që nuk e do, por do tjetër kënd!…
Gruaja ishte për mësuesin në fillim e kohë të gjatë e bukur por jo për gjë më shumë! Kishte sy ngjyrë qielli, të zbehtë e rrezatues dhe një hije fytyrës që e bënte tmerrësisht tërheqëse, mirëpo gjithë ajo bukuri magjike kishte mbet nën hije të burrit të pasur e të dhënë pas menaxhimit. Kështu mësuesi kohë të gjatë qëndroi i qetë pran saj, pa u prekur nga asgjë prej gruas së pashme. Mandej ligjëroi kohë të gjatë para asaj zonjës dhe për ligjërimet e paguanin shumë mirë.
Të qëndrohet por pranë një gruaje të stërbukur ka shumë probleme. Trupi nuk e përmban praninë e saj, por as shpirti. Gruaja me bukuri të rrallë është fatale për të gjithë, e për këtë shumë femra të stërbukura përfundojnë në lavire dhe shumë meshkuj mbeten të gjymtë prej të bukurës vrasëse të grave.
“Është e mençme për një burrë, që nëse gjendet pranë një gruaje të stërbukur, se nëse bindet se nuk mund t’i afrohet, ose sheh që nga fillimi se përpjekjet për afrim janë të kota, -të largohet sa më parë nga prania e saj” –mendonte mësuesi dhe këtë e kishte shënuar në një bllok shënimesh që e mbante për hobi në xhep të palltos. -“Ata që largohen sa më shpejt prej pranisë së saj shpëtojnë, e ata që vonohen ose përpiqen t’i afrohen, pësojnë keq. Të stërbukurat kafshojnë si gjarpri”…
Këtë e kishte në një nga librat e mendimit pozitiv. Mësuesi nuk pati kurrfarë qëllimi tjetër pos atë grua ta mësonte dhe ta bënte të dijshme, siç ishin marrë vesh me kontratë me burrin e saj dhe për çka paguhej shtrenjtë. Kur merr për sipër një punë, nuk është mirë t’i shtosh edhe një tjetër, për më tepër kur është në pyetje profesioni i lartë i mësuesit!
Ndodhi por që gruaja e pronarit hetoi prekje të dashurisë ndaj mësuesit! Ditë më ditë dhe ajo prekje i rritej dhe me kohë iu bë një barrë në qenie! Ishte e vështirë për të që përjetonte diçka të tillë, e që nuk ishte as në gjendje ta kuptonte si e pse i ndodhte!? Sa herë vinte mësuesi ashtu në sallë ku mbahej mësimi, ajo shqetësohej dhe humbej shumë dhe kjo e shtynte të mendonte se pse po i ndodhte?! Nuk kishte pasur kurrë dashuri, as e njihte dashurinë, e vetën e kishte konsideruar gjithmonë për burra në shërbim kah e si mundej. Ashtu kishte bërë edhe burri i saj dhe ashtu edhe ishin bashkuar të jetonin bashkë, pa kritere.
Mësuesi kurrë nuk e kalonte “pragun” e fjalëve e sjelljes korrekte në prani të saj. Ajo ishte mësuar që meshkujt të dorëzoheshin shpejt para saj, jo për pasurinë e kompanisë që kishte por prej bukurisë së saj! Mësuesi ndërkaq bëri më shumë se tri vjet dhe kurrë nuk doli nga sjellja korrekte, këshilluese dhe dashamirëse. Ajo nuk ishte mësuar ashtu! U prek kohë të gjatë dhe e ndjeu vetën të fyer. Nisi të heshtte para mësuesit, të ikte nga përgjegjësia, nga mësimi dhe e rralloi shkuarjen në mësim.
Mandej i ndodhi edhe mësuesit të “prekej” nga tërheqja e gruas së cilës i jepte mësim! Ditë më ditë dhe ajo prekje i bëhej se ishte bërë një sëmundje që i zinte frymën dhe e rëndonte. Megjithëse po i ndodhte kjo, mësuesi nuk tërhiqej nga qëndrimi i matur dhe pa ndryshim ndaj asaj gruaje! Gruaja fatale, pasi provoi disa herë ta tërhiqte në zonë të saj dhe t’ia bënte me dije se ishte prekur nga ai, përjetoi një dëshpërim, që me kohë kaloi në një përzierje hakmarrëse, me xhelozi, nënçmim e poshtërim. Sa e donte pranë, aq nga mosinteresimi i tij donte të shpërthente në një zjarr hakmarrës ndaj, se donte t’i kurdiste diç, për inat.
Ashtu ajo, në dyluftim në vete në mes dy pasioneve, rriti përpjekjen për ta thyer mësuesin dhe poshtëruar me çdo mënyrë, por gjithë atë me korrektësi! Edhe e nxiste para meshkujve tjerë për xhelozi, por as nga ato përpjekje nuk pati gjë, ani se përbrenda mësuesi tundej nga stuhitë, sikur një oqean i ngritur peshë…Të dytë e ndjenin saktë për njëri tjetrin se çka ndjenin por nuk kishin me se të merreshin veshe dhe në vend kështu të përpjekjes për marrëveshje, punët shkonin drejt një përplasjeje.
Tërheqja e asaj gruas bëri mandej mësuesin të dilte jashtë kontrollit dhe të mendonte seriozisht si t’ia bënte. Ashtu shkoi më se një vit dhe ai kurrsesi të gjente një zgjidhje për vete, për shëndetin e tij dhe për jetën. Thjeshtë e shihte vetën si kishte rënë në një humbëtirë nga e cila nuk shihte zgjidhje. Gruaja të cilën shkoi ta mësonte me qetësi siç e kishte zakon, u kthye në një grua përbindëshe përnjëherë, që i rrezikonte jetën. “Dashuria është e ëmbël si vdekja” thotë një varg në Këngën e Këngëve të Salomonit”
Këto punë kur ndodhin, vështirë të drejtohen, sepse janë virtuale dhe të pakapshme me asgjë. Një diçka si dashuri, e përzier me aromë gjaku e rrëshirë trupi në vuajtje nisi t’i mundonte të dytë. Një mënyrë ekstreme për të shpëtuar në këso raste të rëndë është prishja në mes njerëzve, ashtu që përmes ngatërresës e sjelljeve të këqija zvogëlohet dashuria e dhimbja dhe këto njeriun e shpëtojnë, por as njëri –as tjetri në çastin e duhur kurrë nuk mundën të fyenin njëri tjetrin, as të nisnin një përplasje për ndarje. Dhimbja në ta për dashurinë e njëri tjetrit ishte më e fuqishme se gjithë fuqitë e hakmarrjes!
Mësuesi mandej pas do kohe e ndërpreu mësimin tek ajo zonja, u largua prej saj, me besim se nëse largohej, do t’i largohej edhe problemi me shpirtin. Iku, por dhembja e rëndë në qenie për atë grua nuk i hiqej, -për më tepër pasi u largua ajo dhimbje iu rëndua edhe më shumë.
Mandej ndodhi e gruaja e atij pronarit u sëmur dhe përfundoi në spital, në intensivë. Këtë lajm ia solli mësuesit një mik i tij që kishte qëlluar rastësisht në atë spital ku ishte e shtrirë ajo gruaja, në intensivë e me infuzion. I tregoi miku se kishte hyrë për një punë me një kolegë mjek të internos aty në spital dhe kishte parë atë gruan “nxënësen” e mësuesit në gjendje të rëndë ashtu. I tha se po i tregonte sepse kishte menduar se është mirë që ky mësuesi të shkonte ta vizitonte.
Të nesërmen për gjithë këtë, mësuesi iu rrëfye një pastori. Rrëfimi andej ndodhë zakonisht kur njerëzit binden se janë para përfundimit të jetës. Pasi mësuesi e kreu rrëfimin, pastori i befasuar e mësoi të shkonte tek ajo gruaja, ta vizitonte në spital dhe t’i thoshte asaj fjalë kurajuese!
-Shko tek ajo, -e mësoi pastori, -e thuaji: “Të dua shumë”!
-Ah! Si?! – u çudit mësuesi në hall. –Ti them se e dua shumë? Çka i ndihmon kjo asaj?
-Hëh! –ia ktheu pastori. –Këto fjalë janë magjike! Shërojnë çdo sëmundje!
-Nuk besoj! –ia ktheu mësuesi. –Tani në kohën e medicinës e teknologjisë së mençur të kthehemi tek fjalët magjike të Mesjetës është marrëzi!
-Nuk është marrëzi, jo! –e mori me të mirë pastori. –Te këto fjalë është e gjithë jeta jonë, edhe shërimi! Duhet t’i themi njëri –tjetrit, në çfarëdo roli që jemi:”Të dua”! Edhe unë ty, ja, po të them:”Të dua, mësues! Shërimi për ty nistë që tani”!…
Të nesërmen mësuesi shkoi tek ajo gruaja në vizitë, i tregoi edhe pastorit dhe ai pastori i ofroi të shkonte edhe ai me të. Ashtu të dytë shkuan në vizitë tek ajo gruaja, në spital. Vendosën që të kërkonin nga mjekët ta ndanin atë gruan në një dhomë vetëm, të mos kishte pacientë tjerë në dhomë me të. Pastori ashtu u tha mjekëve, se ishte një pastor e se donte të bënte një lutje për shpirt për atë gruan dhe mjekët pranuan.
Për fund, ata dy shkuan dhe hyrën në dhomë tek gruaja e sëmurë para vdekjes.
Pastori u ndal tek dera e dhomës prapa, kurse mësuesi shkoi e iu afrua krejt pran gruas që ishte në gjysmë kome. I ndejti përmbi me keqardhje e me stuhi përbrenda në qenie të vet për të. Kishte pasur një tërheqje prej saj të tmerrshme që e kishte hedhë si në një humnerë.
Dikur gruaja e shtrirë në krevat për vdekje e hetoi mësuesin, pasi i qeli mezi sytë përgjysmë. Ajo mandej ngriti dorën e lirë dhe ia bëri me të mësuesit të afrohej paksa më afër. Pas shumë kohe që e shikoi mësuesin, ajo foli!
-Respekt! –i tha mësuesit. -R e s p e k t për ty mësues!
-Edhe unë të dua shumë! –ia ktheu mësuesi!
-Më do? –foli gruaja pas sa kohe shikimi me sytë e mëdhenj ngjyrë qielli pranveror në mësuesin.
-Po! -ia ktheu mësuesi. –Ti më shprehe respekt dhe kur ndokush na shprehë respekt, kjo kështu kthehet, me “Edhe unë të dua ty, shumë”!
Gruaja mandej mbylli sytë, fytyrës i ra një hije e qetë pushimi, një buzëqeshje mandej iu derdh fytyrës dhe e lau me ar të kulluar dhe trupi iu çlirua e thuajse shkoi përgjithmonë…
Por mandej ajo kishte dalë nga spitali dhe ishte shëruar plotësisht, thuajse nuk kishte qenë kurrë e sëmurë dhe me probleme! Mësuesi që mori vesh për të se ishte shëruar nuk kishte guxim të shkonte ta vizitonte sepse u dronte fjalëve që ia tha asaj! Mandej ajo gruaja i çoi porosi mësuesit, të shkonte tek ajo me çdo kusht sepse kishte një diçka t’i tregonte me shumë rëndësi!?
Mësuesi më në fund shkoi, doli para saj, me një qëndrim dinjitoz, i papërkulur.
-Respekt mësues! I foli ajo po me ata sy plot dritë!
-Edhe unë të dua ty shumë! –ia ktheu mësuesi!
U shikuan gjatë në distancë, mandej gruaja e shëruar i tha ta përcillte, t’i shkonte prapa.
Shkuan lart në kat, në një dhomë të ndarë nga tjerat dhe aty nisën nga fillimi shërimin!