Shumë të dashur qytetarë të vendit tonë,
I nderuar Kryetar i Kuvendit z. Konjufca,
I nderuar Kryeministër Kurti,
Të nderuar oficerë, nënoficerë dhe ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,
Të nderuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës,
Të nderuara familje të dëshmorëve të UÇK-së,
Të nderuar shkëlqesi ambasadorë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj,
Jam krenare që ndodhem sot këtu para jush në këtë parakalim të ushtrisë dhe të policisë sonë në 14 vjetorin e Republikës së Kosovës. Katërmbëdhjetë vite të shtetësisë së Kosovës nuk janë shumë, por nuk janë as pak për ta kujtuar rrugën e vështirë për ta bërë shtetin.
Këta djem e vajza që do të parakalojnë para jush janë personifikimi më i mirë i shtetit të Kosovës. Ata nuk janë vetëm siguria jonë, por edhe garanca për çdo cep të territorit të Kosovës.
Ata janë identiteti i shtetit të tonë të ri, për të cilin dhamë shumë mund dhe të cilin po e ndërtojmë çdo ditë e më shumë, po e forcojmë çdo ditë e më shumë dhe po e konsolidojmë çdo ditë e më shumë.
Teksa forcat tona policore e ushtarake do të marshojnë në sheshet e Prishtinës, nuk ka se si të mos kujtohet sakrifica e brezave të shumtë për liri, periudha e rezistencës paqësore dhe ajo e rezistencës së armatosur, puna ikonike e presidentit historik dr. Ibrahim Rugova për liri, pavarësi e demokraci, sakrifica sublime e rreth 3 mijë dëshmorëve të UÇK-së që së bashku me prijësin e tyre, komandantin legjendar Adem Jashari me familjen e tij dhanë gjithçka për lirinë tonë. E mbi të gjitha, nuk ka se si mos të kujtohet se sa e dhimbshme e plot sakrifica ishte rruga drejt lirisë për secilin prej jush të nderuar qytetarë të Kosovës. Rreth 13 mijë civilë të vrarë, prej të cilëve akoma shumë të zhdukur, rreth 20 mijë gra të dhunuara gjatë luftës që akoma kërkojmë drejtësi, e shumë e shumë dëme, shkatërrime tjera që kishin synim shfarosjen tonë tregojnë se drejtësia akoma nuk është vendosur e për drejtësi thërrasim çdo ditë.
Në këtë ditë të madhe për shtetin tonë, nuk duhet të reshtim së përsërituri: Faleminderit Amerikë, faleminderit NATO dhe faleminderit të gjitha shteteve mike, të cilët na dolën në ndihmë më 1999 për të na mbrojtur nga shfarosja prej regjimit gjenocidal të Millosheviqit!
Secili nga njerëzit e këtij vendi ka bërë diçka për këtë ditë. Secili në mënyrën e vet e ka bërë diçka që Kosova të bëhet shtet, prandaj sot jemi këtu dhe përulemi me respektin më të madh ndaj të gjithë atyre që ëndrrën tonë për shtetin e bën realitet.
Sot, kemi arsye të festojmë, sepse shteti ynë tashmë e ka profilin e ndërtuar. Një shtet i vogël, por me zemër të madhe, synim i të cilit është Bashkimi Evropian, NATO, Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera ndërkombëtare ku ne do ta japim kontributin tonë. Populli më proamerikan, më proevropian e më pro NATO, e ka rrugën e qartë përpara. Ne jemi jo vetëm pjesë gjeografike e Evropës, por jemi pjesë e saj, sepse edhe ndajmë vlerat e përbashkëta e synojmë të arrijmë në strukturat euro-atlantike.
Në këtë rrugë, Kosova tashme i ka dhënë provat e saj, qoftë me përkushtimin ndaj forcimit të shtetit, poashtu edhe me forcimin e institucioneve vitale të tij.
Ushtria jonë që sot do të parakalojë para jush është e përgatitur dhe profesionale në mbrojtjen e sovranitetit dhe të territorit të Republikës së Kosovës. Kjo Forcë është poashtu e përgatitur të jetë partneri më serioz i aleancës sonë me partnerët në shërbim të paqes. Sot në krye të kësaj Force ndodhet gjenerallejtënant Bashkim Jashari, i cili, sikurse Adem Jashari që praroi simbolin e UÇK-së, i nipi i tij sot bart në supe procesin e rëndësishëm të transformimit të ushtrisë sonë dhe shkëlqimit të saj deri në anëtarësimin në NATO.
Të nderuar qytetarë,
Pavarësia e Kosovës është e arritura jonë më e madhe. Ky është projekti ynë nacional, një realitet që mbanë vulën e angazhimit tonë kombëtar i përmbledhur më së miri në qëndrueshmërinë e brendshme dhe integrimin e jashtëm. Këto janë dy parakushte themelore për të ardhmen e vendit tonë.
Institucionet me të gjithë mekanizmat e vet janë garantues se nuk do të lejojnë cenimin e integritetit territorial dhe të rendit juridik të Republikës sonë. Do të jemi të vëmendshëm e të vendosur. Republika është interesi mbi të gjitha.
Ne na lidhë shumëçka me Evropën, por asgjë nuk na ndanë. Në këtë rrugëtim duhet ta ruajmë lirinë, pavarësinë dhe demokracinë tonë. Duhet ta forcojmë sundimin e ligjit, ta përmirësojmë edhe më tej qeverisjen në interes të qytetarëve, t`i forcojmë institucionet dhe edhe më tutje ta zhvillojmë ekonominë e vendit.
Kjo është Kosova që e presin qytetarët tanë, kjo është Kosova për të cilën u sakrifikuan shumë e që duam të gjithë ne!
Ky është edhe amaneti i vizionarëve dhe i heronjve tanë. Prandaj, këtë besnikëri ndaj tyre e tregon edhe uniforma e ushtarëve policëve që do të parakalojnë sot dhe e bën më kuptimplote.
Në një incizim të rrallë të tij, komandanti Adem Jashari dëgjohej duke thënë, po e citoj: “Besa-besë…vetëm një vdekje se tjetër s`kemi në këtë jetë dhe një fjalë të mirë. E kemi thanë që çka do që të ndodh tanë së bashku do ta japim jetën dhe vetëm besa-besë, tjetër s`ka në grykë të pushkës”.
Të nderuar qytetarë!
Teksa e kujtojmë rrugëtimin tonë të drejtë por sfidues për shtet të pavarur, le të mos harrojmë se sa e gjatë ka qenë rruga jonë drejt lirisë, e sa e madhe duhet të jetë krenaria jonë për arritjen e saj. Le të kujtojmë se krijimi i shtetit të Kosovës ka qenë ëndrra e dhjetëra brezave, të cilën brezi ynë pati fatin jetësor ta përmbyllë e ta jetojë. Prandaj, le t’ia urojmë sot njëri-tjetrit këtë ditë të madhe, duke e shtrirë kujtimin në histori; le ta përmbledhim rishtas fuqinë e ta konsolidojmë çdo ditë e më shumë shtetin tonë, ëndrrën tonë, të cilën po e shohim çdo ditë të jetësuar; le ta thellojmë dashurinë për atdheun tonë, sepse vetëm duke e dashur atë ne e bëjmë edhe më të bukur edhe më të dinjitetshme Republikën tonë për qytetarët e tanë. Sikur shprehej poeti ynë, Ali Podrimja, në vargun e tij emblematik: Kosova është gjaku ynë që nuk falet! Ne, bijtë e bijat e saj, jemi përgjegjës për fatin e saj.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!
Zoti e bekoftë ushtrinë dhe policinë e saj!
Zoti ju bekoftë të gjithëve qytetarë të dashur!
Ju faleminderit!