(2L ONLINE) – Skuadrat nga pjesa e epërme në renditjen tabelare në Ligën “Agim Ramadani” kanë regjistruar fitoret e rradhës, duke mos pësuar kështu shumë ndryshime renditja tabelare. Ndeshjet e javës së tetë në program ishin mjaft interesante dhe ofruan shumë emocione të pranishmëve në Palestrën e Sporteve “Bashkim Selishta – Petriti në Gjilan”.
Mësoni se si kanë luajtur këtë fundjavë skuadrat në Ligën “Agim Ramadani”
Dueli hapës i javës së tetë, u triumfua nga skuadra Dalia, me ç’rast mposhti me rezultat minimal skuadrën Malësia, duke vazhduar kështu serinë e rezultateve pozitive që i kanë mundësuar kësaj skuadre ngritje të madhe në renditjen tabelare.
Tjetër fitore e rradhës me të njejtin rezultat. Skuadra e FSK-së, vazhdon korsinë e fitoreve, deri sa këtë vikend ka mposhtur skuadrën MobiCasa që ishte në formë të lartë para këtij dueli. Duhet veçuar se skuadra e FSK-së, është e vetmja që këtë edicion garash ende nuk ka pësuar humbje.
Katana ka gjetur sërish formulën për të fituar, duke regjistruar kështu fitoren e katërt këtë edicion garash. Në ndeshjen e këtij vikendi, mposhtën skuadrën Las Vegas që asesi nuk po arrinë të gjejë formën që e kishte sezonin e kaluar, deri sa ishte njëra ndër skuadrat gjysmëfinalte të play offit.
Përmbysje spektakolare e skuadrës së Karadakut ndaj rivalit Fatbardhi, në më pak se 15 minuta lojë. Tre gola të realizuar në fraksionin e dytë të lojës, për ti regjistruar tre pikët e rradhës pas dy disfatave rradhazi. Mënyra më e mirë për të ngritur moralin e skuadrës është fitorja, sidomos pranë një kundërshtari që vjen nga maja e klasifikimit.
Eksimori rikthehet të bëjë atë që di më së miri, fitoren. Këtë vikend mposhtën skuadrën Xixa që pati një paraqitje mjaft të mirë në këtë përballje, por që nuk arritën të marrin diç më shumë. Tre gola për tre pikët e rradhës, që vazhdon ta mbajë në kreun e klaisifikimit tani e disa javës skuadrën Eksimori.
Verbica dhe Migjeni kanë luajtur ndeshjen që prodhoi më së shumti gola këtë javë. Gjithsej nëntë gola, dy të qëlluar nga penaltia dhe shumë të tjerë të rrjedhur nga aksionet e shumta. Sidoqoftë, fundit të ndeshjes iu gëzua skuadra Verbica që rikthehet kështu të shijojë fitoren, për herë të katërt këtë sezonë.
Dueli më interesant i ditës së diel u zhvillua ndërmjet skuadrës Budrika dhe Vëllezërit Aliu. Të fundit triumfuan në fundin e ndeshjes, falë dëshirës më të madhe për të dalë me pikë të plota nga kjo përballje, që dhuroi emocione të shumta pavarësisht rezultati që tregoi semafori pas 30 minutave lojë.
Skuadra SK Arifi vazhdon me formën e mirë duke hyrë kështu në një seri të rezultateve pozitive. Këtë vikend triumfuan ndaj Dobërçanit një skuadër që është treguar shumë e fortë për skuadrat nga kreu i renditjes, mirëpo ka patur formë të luhatshme gjatë këtij edicioni.
/2L ONLINE/ Drilon SYLEJMANI/