“Gardhi” i Lendita Zeqirajt e ka mbyllur javën e kaluar me një tjetër çmim. Ka zënë vendin e tretë në garën ndërkombëtare në edicionin e 11-të të “Short Waves” në Poznan të Polonisë.
Brukseli e Dortmundi janë stacionet e radhës për filmin 15-minutash që prek temën e lirisë së shprehjes, mentalitetit të gjeneratave dhe kufizimeve apo gardheve që vendosen nga shoqëritë jo fort të përparuara.
Edicioni i 22-të i “Festivalit të Filmit të Shkurtër në Bruksel” do të mbahet prej 25 prillit deri më 5 maj. Gjatë 11 ditëve do të sjellë rreth 300 filma të shkurtër.
Para Brukselit, “Gardhit” i ishte konfirmuar se është në garë zyrtare në “Dresden Film Festival” në Gjermani, që mbahet prej 9 deri më 14 prill dhe garon për “Kalorësin e artë” në mesin e 47 filmave të tjerë.
Vetëm gjatë vitit të kaluar “Gardhi” u shpërblye në 13 festivale ndërkombëtare, mes të tjerash, edhe si filmi më i mirë në Palm Springs, “Hapmtons”, New Orleans” dhe “DokuFest”.
Në qershor të vitit të kaluar u dha premierë botërore dhe mori çmimin kryesor në “Palm Springs International Short Film Festival”, kur edhe fitoi të drejtën për t’u kualifikuar për “Oscar”.
Në film luajnë edhe: Adriana Matoshi, Melihate Qena, Xhejlane Godanci, Kumrije Hoxha, Arta Selimi, Alketa Sylaj, Edita Dula, Timur Urqan e Norik Xhemajli.