Fundjavën e ka përmbyllur para publikut italian, kur u shfaq në “Alessandria Film Festival” që përfundoi të dielën, por filmi “Ajo” i More Raçës me rolin kryesor aktoren, Aurita Agushi, nuk ndalet.
Janë 5 festivale brenda 3 muajsh në të cilat tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen.
Ajo” do të jetë pjesë e festivalit të filmit të gruas “Beirut International Women Film Festival”, “Cascadia International Women Film Festival” , në festivalin gjerman të kategorisë A, “International Short Film Festival Oberhausen”, “Short Shorts Film Festival & Asia” dhe “San Sebastian Human Rights Festival”.
Ky film i shkurtër kosovar, që shpërfaq historinë e dhunës në familje të shoqëruar nga guximi i një vajze të re për të shpëtuar veten dhe nënën e saj, do të shfaqet e rishfaqet para audiencës amerikane, aziatike, gjermane e spanjolle.
Kryeqyteti i Libanit do të jetë nikoqir i edicionit të 18-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Gruas me fillim nga dita e 22-të e prillit deri më 28, ku filmi kosovar “Ajo” është në mesin e 37 filmave të shkurtër të përzgjedhur për kategorinë ndërkombëtare.