Nxënësit e klasave të pesta të shkollës fillore të Mesme të Ultë “Fan S. Noli” nga Kamenica, vizituan Muzeun Rajonal të Gjilanit. Të disiplinuar dhe me një interesim e kureshtje shumë të madhe dëgjuan zyrtarin QRTK-së Ismet Tafili i cili u shpjegoi për artefaktet që janë të ekspozuara në muze.
Këta nxënës shoqëroheshin nga arsimtaret: Florije Hoda, Ganimete Xhemamili dhe Vjollca Basha. Ata mësuan për artefaktet e shumta që janë dhuruar nga qytetarë të shumtë të komunave të Anamoravës dhe të grumbulluara nga stafi i QRTK-së që nga themelimi i qendrës dhe i muzeut rajonal të Gjilanit.
Artefaktet e ndryshme arkeologjike e etnografike të periudhave të ndryshme historike që nga koha e gurit e deri ato më të rejat ishin risi e madhe për nxënësit e kësaj shkolle, pasi ata dëgjonin me vëmendje. Kohë pas kohe edhe shtronin pyetje të ndryshme, që tregohej se ishin të njohur pak a shumë edhe më parë me vlerat tona të trashëgimisë kulturore.
Vizita e tyre në muze ishte një orë mësimi shumë e vlefshme për ta, pasi ata shprehën kënaqësinë dhe falënderimet për pritje dhe shpjegimin e këtyre vlerave.