Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka marrë pjesë sot në takimin e përbashkët me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuqiç dhe përfaqësuesen e Lartë të Punëve të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë, Federica Mogherini, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Pas takimit, presidenti Thaçi ka thënë se takimi i udhëhequr nga zonja Mogherini me presidentin e Serbisë, Vuqiç, u fokusuam në domosdoshmërinë e hapjes së një faze të re të dialogut, që do të qon drejt një normalizimi të plotë dhe pajtimi në mes shteteve tona dhe popujve tanë.
“Ishte konkludim i përbashkët se vetëm normalizimi i raporteve të plota ndërshtetërore, vetëm pajtimi në mes vendeve dhe popujve tanë paraqet më tepër paqe, stabilitet për të dy vendet, për rajonin, të ardhmen evropiane më të sigurt dhe të shpejtë të vendeve tona”, ka shtuar ai.
Presidenti ka thënë se Bashkimi Evropian do të udhëheqë këtë proces suksesshëm, një proces intensiv, dinamik të kësaj faze të re me qëllim dhe vizion të qartë, por në të njëjtën kohë edhe afatizime kohore.
“Ne jemi dakorduar që ky proces të përfundojë sa më shpejtë, që të jetë sa më shpejtë i arritshëm, të finalizohet dhe implementohet sa më shpejt”, ka shtuar ai.
Presidenti Thaçi ka thënë se ky proces nuk do të jetë garë, por do të jetë një proces i standardeve, i vlerave të cilat duhet të ngadhënjejnë në të mirën e dy vendeve dhe popujve tanë, dhe këto vlera janë vlerat evropiane.
“Pra, do të jetë një proces i bazuar mbi standardet dhe vlerat evropiane, dhe interesin e dy vendeve”, ka thënë Presidenti.
Ai është shprehur i bindur dhe besimplotë se institucionet e Kosovës, spektri politik kosovar, shoqëria civile, mediat, personalitet me ndikim në opinionin publik, ekipet e ekspertëve do të japin kontributin e tyre të çmueshëm për këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës.
Presidenti Thaçi më parë ka zhvilluar një takim bilateral me përfaqësuesen e lartë të Punëve të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë, Federica Mogherini.
Në këtë takim, Presidenti ka potencuar domosdoshmërinë e hapave konkret evropian për Kosovën, përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke ndalur izolimin e padrejtë që po i bëhet qytetarëve të Kosovës.