Ka filluar meremetimi i tërësishëm i xhamisë së Kapitit, një ndër projektet më serioze të ndërmarra deri më tani për këtë qëllim vlera e së cilit kap shumën prej 3 milion dinarë (me tvsh), bën të ditur kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame (KBI) të BIPBM-së për Medvegjë, Lulzim Sahiti.
Projekti i meremetimit do të përfshijë renovimin e godinës së xhamisë përkatësisht: ndërrimin e çatisë, renovimin e brendshëm dhe të jashtëm të xhamisë, ndriçimin e minares me 15 llamba, ndërrimin e dyerve dhe të dritareve, orendive brenda objektit, dyshemesë, rregullimin e oborrit, rrethojës etj.
Përveç rregullimit të objektit të xhamisë me projekt është paraparë edhe ndërtimi i disa objekteve të reja brenda oborrit të xhamisë siç janë: shadërrvani për ceremonitë fetare, objekti i ri për larjen e xhenazeve, objekti i ri për banim të imamit i cili do të ketë një sipërfaqe prej 33 m2 e që do të jetë i pajisur me një dhomë, kuzhinë, banjo dhe paradhomë.
“Jemi më se të bindur se me këtë investim po e respektojmë popullatën e komunës së Medvegjës e sidomos ata që me vite e shekuj në xhaminë e Kapitit mbajnë ceremonitë fetare”, tha kryetari i KBI-së Lulzim Sahiti, raporton mepress.
Sipas tij për këtë investim të madh kontribut kanë dhënë edhe disa funksionarë shqiptarë emrat e së cilëve nuk ka dashur t’i publikojë.
Përveç këtyre punimeve Këshilli i Bashkësisë Islame të BIPBM-së në Medvegjë është duke vazhduar me projektin e pastrimit, mirëmbajtjes dhe rrethimit të varrezave myslimane.
Deri tani projekti është realizuar në fshatin Tupallë në katër lokacione, në fshatin Svircë në pesë lokacione, në fshatin Kapit në dy lokacione dhe në fshatin Llapashticë.
Bëhet e ditur se projekti do të vazhdojë deri në rregullimin përfundimtar të të gjitha lokacioneve të varrezave shqiptare në komunën e Medvegjës.
Sipas kryetarit të KBI-së në Medvegjë, projektin e meremetimit të xhamisë së Kapitit si dhe të gjitha projektet tjera rreth meremetimit apo mirëmbajtjes së objekteve apo lokacioneve fetare myslimane që nga viti 2006 e deri më sot i ka financuar komuna e Medvegjës. /Titulli.com/