Aktivitete vetëdijesuese për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës

Aktivitete vetëdijesuese për parandalimin e kancerit të qafës së mitrës

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani sot ka marrë pjesë në punëtorinë për shënimin e “Javës së Parandalimit të Kancerit të qafës së mitrës”, të organizuar nga Shoqata e Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës në bashkëpunim me Këshillin Nacional për Kontroll të Kancerit KNKK dhe me Komunën e Prishtinës, përkrahur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), me temë “Parandalimi dhe trajtimi i kancerit të qafës së mitrës”.

Ministri Rrahmani tha se është për tu vlerësuar angazhimi i Shoqatës së Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës, KNNK-së, profesionistëve shëndetësor dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare për organizimin e aktiviteteve të ndryshme që për qëllim kanë vetëdijesimin e qytetarëve dhe fuqizimin e akterëve në luftën për parandalimin dhe trajtimin e kësaj sëmundjeje.

“Në kuadër të Strategjisë Sektoriale Shëndetësore 2017-2021, MSh e ka paraparë si prioritet përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës si dhe luftën kundër kancerit, e nëse bashkëpunimi i të gjithë neve, duke përfshirë edhe Kujdesin Parësor Shëndetësorë, është i mirë atëherë sukseset në parandalim, në këtë rast të kancerit të qafës së mitrës janë të padiskutueshme”, tha Ministri Rrahmani.

Prof. Dr. Shefqet Lulaj Kryetar i Shoqatës së Obstetërve dhe Gjinekologëve të Kosovës, tha se takimet e tilla janë të mirëseardhur dhe luajnë rol të rëndësishëm në rritjen e vetëdijesimit të popullatës ngase “ndikon në parandalimin me kohë të lezioneve kanceroze, dhe natyrisht se është më e lehtë në aspektin e trajtimit mjekësor, por ka edhe një kosto më të ulët”.

Dr. Visare Mujko, Shefe e Zyrës në Prishtinë të Fondit për Popullatë të Kombeve të Bashkuara –UNFPA, duke shprehur gatishmërinë e UNFPA-së për mbështetje edhe të mëtutjeshme të programeve për parandalimin dhe luftimin e kancerit të qafës së mitrës, tha se “ndjehet shumë mirë që këtë vit, “Java e Parandalimit të Kancerit të qafës së mitrës”, na gjen shumë më të përgatitur në parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundjeje”.

Në organizimin e shënuar për këtë ditë u diskutua për aktivitetet që bëhen dhe janë bërë lidhur me parandalimin dhe trajtimin e lezioneve prekanceroze si dhe trajtimin operator të kancerit invaziv të qafës së mitrës.

Gjatë prezantimit të Pilot projekti i Skriningut të Kancerit Cervikal në Komunën e Prishtinës, nga dr. Erzen Begolli, u tha se deri në nëntor të 2016, në kuadër të këtij projekti 1394 femra i janë nënshtruar PAP-Testit, ku nga i gjithë ky numër vetëm një rast është diagnostikuar me HPV- pozitiv.

Në punëtori janë prezantuar edhe aktivitetet lidhur me skriningun e kancerit të qafës së mitrës të Bordit Nacional për Kontroll të Kancerit të MSH-së, është bërë prezantimi i Draftit final të udhërrëfyesit “Skrinimi dhe trajtimi i lezioneve prekanceroze të qafës së mitrës” i hartuar nga grupi punues i profesionistëve shëndetësorë, si dhe nga ekspertët vendorë të kësaj fushe janë prezantuar format e parandalimit dhe trajtimit të kancerit të mitrës me temat: “Kost benefit analiza e Programit të Depistimit për Kancerin Cervikal në Kosovë”, Trajtimi i lezioneve prekanceroze në qafën e mitrës, si dhe “Stejxhingu i kancerit cervical dhe trajtimi operator i kancerit cervikal”.

Në fund të punëtorisë, janë vlerësuar aktivitetet që janë bërë gjatë një viti si dhe është rekomanduar që Pilot projekti i Skriningut të Kancerit Cervikal në Komunën e Prishtinës të zgjerohet edhe në komunat tjera të Kosovës, me qëllim të informimit dhe edukimit për vetëdije të shtuar në parandalimin e karcinomit, sigurimin e qasjes përkatëse deri te shërbimet shëndetësore, sigurimin e mjedisit të shëndetshëm jetësor si dhe është bërë thirrje për avancimin e politikave në raport me këtë çështje.

KOMENTE