Ish-asamblisti komunal nga radhët e AKR-së në Kamenicë, Nebi Sylejmani, u deklarua i pafajshëm rreth akuzës për falsifikim të dokumentit zyrtar. Ai kishte nënshkruar në vend të koleges Edona Ajeti.
Nebi Sylejmani, ish-shef i grupit të këshilltarëve komunalë të Aleancës Kosova e Re (AKR) në Kamenicë është deklaruar i pafajshëm rreth akuzës për falsifikim të dokumentit zyrtar.
Sylejmani akuzohet se në mars të vitit 2013 ka falsifikuar dokumentin zyrtar, përkatësisht në listën ku janë të shkruar emrat dhe ku vihen nënshkrimet e këshilltarve pjesmarrës në kuvendin komunal, ai ka nënshkruar për asamblisten Edona Ajeti, e cila vjen nga radhët e të njëjtës parti, por e cila s’kishte qenë e pranishme në momentin e nënshkrimeve.
Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit, Sylejmani nuk e pranoi fajësinë për veprën që i ngarkohet.
Ndërsa dëshmitarët Edona Ajeti dhe Enver Mavriqi, para trupit gjykues të Gjykatës në Gjilan, sqaruan se si kishte ndodhur rasti në fjalë.
Dëshmitarja Ajeti deklaroi se ajo vet kishte kërkuar nga tani i akuzuari që të nënshkruante për të ngase ajo vetëm pas 10-15 minutash kishte arritur në seancën e Kuvendit Komunal.
Krejt kjo kishte ndodhur ngase është praktikë që në kuvende komunale, lista e pjesmarrjes nënshkruhet në fillim dhe ajo pastaj menjëherë dërgohet tek instancat e tjera për verifikim dhe pagesë.
Pagesa atë kohë për një seancë varionte nga 195-208 euro, tha dëshmitarja.
“Kam marrë leje paraprake nga Enver Mavriqi, i cili atë kohë ka qenë udhëheqës i Kuvendit Komunal për t’u vonuar pak minuta, i cili dhe më ka lejuar, por njëkohësisht përmes telefonit e kam njoftuar kolegun Nebi që mundësisht të nënshkruajë me iniciale emrin dhe mbiemrin tim, ngase unë do të vi në seancë por do vonohem”, tha po ashtu Edona Ajeti.
Ndërsa, gjatë dëshmisë së tij, Enver Mavriqi, tha se kjo praktikë është e njohur në Kosovë, ngase ndodhë edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës që dikush të nënshkruajë që është prezent në seancë e pastaj ta lëshojë atë. “Kjo ndodhë vetëm sa për ta marrë mëditjen”, shtoi Mavriqi.
Ai tha se e dinte për rastin në fjalë dhe se i kujtohej që tani dëshmitarja Ajeti kishte ardhur në seancë dhe kishte prezantuar aty.