Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka vizituar të martën shkollën e mesme të ulët “Rexhep Elmazi” dhe atë “Musa Zajmi”, për t’i parë nga afër investimet e filluara.
Kryetari Hyseni ka njoftuar se shkolla “Rexhep Elmazi” po përfiton nga Programi i Efiçiencës së Energjisë nga marrëveshja me Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.
“Në këtë program përfshihen masat e efiçiencës së energjisë si izolimi i kulmeve, izolimi termik dhe ndërrimi i dyerve e dritareve. Zbatimi i këtyre masave do të ulë koston e shpenzimeve të objektit dhe krijon kështu mundësinë që kursimet të shfrytëzohen në projekte e investime në dobi të qytetarëve”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ai theksoi se duke kursyer kështu paranë publike, po krijojmë kushte më të favorshme arsimore në komunën tonë.
“Ndërkaq, me financim nga komuna e Gjilanit po bëhen intervenimet infrastrukturore si rregullimi i nyjeve sanitare në SH.F.M.U “Musa Zajmi” dhe “Rexhep Elmazi”, për të vazhduar kështu edhe me shkollat e tjera”, ka përfunduar kryetari Hyseni. /2LONLINE/