Në kuadër të informimit të qytetarëve për vlerësimin preliminar të tokës për komunat e Kosovës, Ministria e Financave në bashkëpunim me shtetin suedez dhe komunat e Kosovës, kanë filluar ekspozitat nëpër të gjitha komunat e Kosovës për vlerësimin preliminar të tokës, ku fillimisht ekspozita është hapur sot në Komunën e Prishtinës.
Në hapjen zyrtare të kësaj ekspozite në komunën e Prishtinës, morën pjesë ministri i Financave Avdullah Hoti, përfaqësuesi i Agjencisë Suedeze të Tatimeve Ulf Mathiasso, drejtori i Financave në Komunën e Prishtinë Ismajl Kokaj, si dhe drejtori i Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave Shkelzen Morina.
Më këtë rast ministri i Financave Avdullah Hoti duke e cilësuar si unike mbajtjen e këtyre ekspozitave në të gjitha komunat e Kosovës, tha se “është kënaqësi që sot kemi mundësi që formalisht mund të hapim ekspozitën në lidhje me vlerësimin preliminar të tokës në komunat e Kosovës, duke filluar nga Komuna e Prishtinës, dhe pastaj në të gjitha Komunat tjera”.
“Është një ndër reformat më të mëdha që po ndërmarrim me mbështetjen e Qeverisë Suedeze për të cilën jemi shumë falënderues, tashmë janë bërë 3 vite që ky projekt është duke u implementuar në Departamentin e Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave dhe në të gjitha Komunat e Kosovës. Shpresoj që projekti të vazhdojë edhe më tutje sepse tashmë është krijuar një momentum i ri në këtë drejtim fillimisht me ofrimin e shërbimeve elektronike që nisëm në fillim të këtij viti dhe tash me ekspozita për vlerësimin preliminar të tokës në gjitha komunat e Kosovës” shtoi Ministri Hoti.
Ministri Avdullah Hoti tha se “Është hera e parë që në Kosovë do të ketë një vlerë zyrtare të tokës të klasifikuar në kategori të ndryshme siç janë: tokat për qëllime rezidenciale, komerciale, industriale, bujqësore dhe pyjore. Vlerësimi i tokës është bërë nga stafi i Ministrisë së Financave-Departamenti i Tatimit në Pronë të ndihmuar nga ekspertë të shtetit Suedez për çka shfrytëzoj nga rasti edhe ti falënderoj”.
“Të gjitha tokat bujqësore që kultivohen nuk tatimohen. Dhe kjo do ta bëjë të mundur për komunën tuaj që të bëjë më shumë investime në përmirësimin e jetës së përditshme për ju, familjen tuaj dhe për komunitetin tuaj”, shtoi Ministri Hoti.
Ministri Avdullah Hoti bëri të ditur se “Zyrtarët e Departamentit të Tatimit në Pronë në Ministrinë e Financave dhe ekspertët suedez nuk janë këtu që ti mbrojnë vlerat preliminare, por që të njoftojnë qytetarët në lidhje me procesin e vlerësimit, zonat e vlerësimit dhe nivelet e vlerave që siç theksova edhe më lartë të gjitha janë preliminare”.
Ai gjithashtu ju bëri thirrje qytetarëve që gjatë ekspozitës të njoftohen në lidhje me vlerësimin preliminar, por edhe pas saj ti komentojnë dhe të japin vërejtjet në lidhje me vlerësimin e tokave të tyre, dhe nëse komentet e qytetarëve do të jenë të argumentuara do të ndikojnë në ndryshim të vlerësimit përfundimtar. Qytetarët janë të mirëseardhur në pjesëmarrje në ekspozitë dhe së bashku me zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe zyrtarët komunal të Tatimit në Pronë do të bëjnë komente dhe sqarime të nevojshme për çdo qytetarë.
“Ministria e Financave, respektivisht Departamenti i Tatimit në Pronë do ti trajtojë me kujdesin maksimal të gjitha komentet dhe vërejtjet e qytetarëve dhe do të reflektojë me ndryshime të vlerësimit në të gjitha rastet kur qytetarët kanë të drejtë”, shtoi Ministri Hoti.
Ndërsa, përfaqësuesi i Agjencisë Suedeze të Tatimeve Ulf Mathiasso bëri të ditur se në hartat që janë prezantuar në ekspozitë do të gjenden vlerat preliminare të parcelave.
“Por puna më e madhe qëndron prapa këtyre që nënkupton se tani kemi regjistër për të gjitha parcelat”, tha ai. Është hera e parë që toka vlerësohet, por në bashkëpunim me Agjencinë Kadastrale suedeze kemi krijuar atë që cilësia e këtyre tokave të përmirësohet”, ka thënë ai.
Drejtori i Financave në Komunën e Prishtinës Ismajl Kokaj, bëri të ditur se që nga sot do të mbahet ekspozita në lidhje me vlerësimin preliminar të tokës në Komunën e Prishtinës, është hera e parë që në komunën tonë toka do të ketë një vlerë zyrtare.
Ai gjithashtu bëri të ditur se ekspozita për vlerësimin preliminar të tokës në Komunën e Prishtinës, do të jetë 1 muaj e hapur për qytetarët.
Ministria e Financave në bashkëpunim me Agjencinë Suedeze të Tatimeve dhe komunat e Kosovës me këtë ekspozitë të vlerësimit të pronave në Komunën e Prishtinës, synon nxjerrjen e vlerave zyrtare për qëllimin tatimor, si dhe toka do të vlerësohet drejt si dhe do të ketë regjistër për të gjitha parcelat. Në këtë ekspozitë do të prezantohet mënyra e vlerësimit të pronave ku qytetarët mund të marrin pjesë në këtë ekspozitë, si dhe të bëjnë pyetje konkrete lidhur me pronat e veta.
Në ditët në vazhdim në të gjitha komunat do të organizohen hapje të ekspozitave të ngjashme, ku zyrtarët e MF-së dhe ekspertët suedez do të marrin pjesë në ndihmë të zyrtarëve komunalë në mënyrë që këta të fundit pas ditës së parë të ekspozitës të jenë në gjendje ti njoftojnë qytetarët në lidhje me vlerat e parcelave të tyre, por edhe nga ata ti mbledhin komentet dhe vërejtjet eventuale.