Në ambientet e Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës(MFSK), filloi punimet edicioni i 7-të i Konferencës ,,FSK dhe Partnerët’’, ku po marrin pjesë atashetë ushtarakë dhe ata të mbrojtjes, përfaqësues të ambasadave të shteteve me të cilat MFSK-ja ka bashkëpunim bilateral dhe multilateral.
Punimet e konferencës i shpalli të hapura, ministri i FSK-së, zotëri Rrustem Berisha i cili tha se Konferenca e 7-të ,,FSK dhe Partnerët’’ përkon me fillimin e mandatit të tij si ministër, dhe se qëllimi i tij është intensifikimi i bashkëpunimit të ndërsjellë bilateral të FSK-së dhe shteteve partnere si dhe harmonizimi i aktiviteteve që kanë për qëllim mbajtjen dhe zhvillimin e kapaciteteve të FSK-së.
Gjithashtu, ministri i FSK-së foli për qëllimin e konferencës, harmonizimin e aktiviteteve si dhe koordinimin e përpjekjeve të përbashkëta në përputhje me konceptet euroatlantike si dhe për kërkesat dhe nevojat për rritjen e nderveprueshmerisë.
Ministri Berisha po ashtu i njoftoi ushtarakët dhe diplomatët e vendeve partnere mbi planifikimin për të ardhmen e FSK-së, ku ndër të tjera tha: “Ne jemi duke punuar në përgatitjen dhe planifikimin e ndryshimit të misionit tonë, respektivisht në ngritjen e kapaciteteve tona për misionin e ri kushtetues.’’
Ndërsa gjenerali i FSK-së Rrahman Rama tha se roli i partnerëve ka ndikim të madh në avancimin e kapaciteteve të FSK-së. “Ne jemi institucioni më i besueshëm në pesë vitet e fundit. Ky është një privilegj, por në të njëjtën kohë dhe përgjegjësi t’i mbajmë standardet tona në nivelin më të lartë. Në konferencën e parë të FSK-së me partnerët, që është mbajtur në muajin prill, qëllimi ishte t’i prezantojmë tek ju nevojat tona për zhvillim të mëtutjeshëm të kapaciteteve të FSK-së dhe po ashtu t’i sinkronizojmë të gjitha aktivitetet me ju, në mënyrë që të kemi një qasje më të mirë në objektivat e përbashkëta, në procesin e transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur. Pasi që kjo është një çështje politike, ne si FSK jemi duke punuar ngushtë me partnerët tanë, për të vendosur kushtet e transformimit kudo që merret vendimi politik”.
Gjithashtu me nga një fjalë rasti, në punimet e konferencës u prezantuan edhe komandanti i KFOR-it, gjeneral Giovani Fungo dhe drejtori i Ekipit Këshillues të NATOS për FSK-në(NALT), gjeneral brigade Ralf Hoffman.
Gjeneral Fungo, shprehu vlerësimin e tij për profesionalizmin e FSK-së. “Gjatë mandatit tim në KFOR kemi pasur trajnime dhe ushtrime për të rritur kapacitetet dhe ndërveprueshmërinë. Jemi të befasuar me profesionalizimin e FSK-së në ushtrimin ‘Shpata e Argjendtë’. Po ashtu ushtarët e FSK-së, kanë marrë pjesë në ushtrime me shumë kapacitete, se si duhet të veprojnë në situata emergjente. Po ashtu zhvillimi i kapaciteteve të FSK-së, për sa i përket deminimit është bërë me shumë profesionalizëm. Ne kemi një rrjet komunikimi me të gjithë pjesëtarët e FSK-së, të cilët janë të shpejtë dhe efektivë”.
Ndërsa, gjeneral Hoffman tha se ekipi i tij është pikë referimi për koordinimin e aktivitetet aktuale dhe atyre të ardhshme të bashkëpunimit praktik ndërmjet NATO-s dhe Kosovës. Ai përmendi se që nga Konferenca e prillit e këtij viti, janë shënuar një varg aktivitetesh dhe vizitash nga zyrtarë të lartë të NATO-s, dhe pjesëmarrje të pjesëtarëve të FSK-së në aktivitete jashtë Kosovës.
Konferenca ,,FSK dhe Partnerët’’ e 7-ta me radhë u organizua nga Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Siguri i Ministrisë për FSK. Kryesimin kësaj konference e bëri ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij departamenti, nënkolonel Ali Krasniqi, i cili njëherësh temën me titull: ,,Bashkëpunimi bilateral në fushën e Sigurisë’’.
Gjithashtu edhe Ilir Dugolli, drejtor i Departamentit për NATO dhe Politika të Sigurisë në Ministrinë e Jashtme të Kosovës, prezantoi Strategjinë Kombëtare për Integrimin në iniciativa regjionale.
Në sesionin e parë të Konferencës, planet e bashkëpunimit bilateral për vitin 2018 i paraqiten: Atasheu i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, kolonel Ahmet Leka, Igor Gabriq nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kroacisë, atasheu i Mbrojtjes së Gjermanisë pranë Ambasadës së Gjermanisë në Sarajevë, nënkolonel Martin Herrmann, nga Mbretëria e Holandës, atasheu i Mbrojtjes i Mbretërisë së Holandës, nënkolonel Theo Plijner, atasheu i Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, nënkolonel Rusen Abidinoglu, atasheu i Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, nënkolonel Richar Parry. Në emër të Zyrës për Bashkëpunim të Ambasadës Amerikane, për bashkëpunimin bilateral ndërmjet SHBA-ve dhe FSK-së, prezantuan Arina Beka dhe Zana Tropoja, si dhe nga Republika e Maqedonisë, Avni Saliji.
Në punimet e Konferencës së 7-të ,,FSK dhe Partnerët’’ përveç ministrit dhe komandantit ishin të pranishëm edhe zëvendësministri Agim Çeku, sekretari i përgjithshëm, Shkelzen Sylaj, drejtori i Inspektoratit të FSK-së, gjeneral brigade Bashkim Jashari, drejtori i Drejtorisë për Politika dhe Plane, Faruk Geci, drejtori i Drejtorisë për Operacione, gjeneral brigade Zymer Halimi, zëvendëskKomandanti i Komandës së Forcës Tokësore(KFT), gjeneral brigade Gëzim Hazrolli, drejtori i Departamentit të Operacioneve dhe Trajnimeve, gjeneral brigade Nazmi Brahimaj, komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes(KDS), gjeneral brigade Enver Cikaqi, ushtruesi i detyrës së komandantit të Brigadës për Reagim të Shpejtë(BRSH), kolonel Xhevahir Geci, ushtrues detyre i komandantit të brigadës për Mbështetje Operacionale(BMO), kolonel Avdi Raci, shefi i Shtabit të KFT-së, kolonel Naim Haziri si dhe atashetë e FSK-së; në Republikën e Shqipërisë, përkatësisht në vendet e Beneluksit(Belgjikë, Holandë dhe Luksemburg), nënkolonel Enver Dugolli dhe nënkolonel Ahmet Ajeti.
Për herë të parë, në Konferencës ,,FSK dhe Partnerët’’, po marrin pjesë edhe oficerë nga Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi, krahas diplomatëve ushtarakë nga shtetet partnere si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëria e Bashkuar, Shqipëria, Maqedonia, Turqia, Japonia, Holanda, Gjermania, Italia, Kroacia, Belgjika etj.
Konferenca vazhdon punimet edhe nesër. Në ditën e saj të dytë do të vizitohet Batalioni i Dytë i Reagimit të Shpejtë në Gjilan.