Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA), i është përgjigjur Serbisë. Pas ankesës së Federatës serbe për miqësoren mes Kosovës dhe Haitit, është deklaruar FIFA, e cila pohon se Kosova ka respektuar në tërësi modalitetet.
Federata serbe pas ndeshjes së 5 marsit në Mitrovicë, ndërmjet Kosovës dhe Haitit, i kishte dërguar një letër proteste FIFA-së duke potencuar se Federata e Futbollit e Kosovës nuk i ka respektuar modalitetet e caktuara më 13 janar për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare.
Ndërkohë, FIFA përmes një njoftimi ka bërë të ditur se Kosova i ka respektuar modalitetet.
“Jemi të befasuar me ankesat që kemi marr në letrën që po iu referohemi… Në letrën e juaj thuhet se nuk është respektuar pika e dytë e marrëveshjes së 10 janarit. Në pikën e dytë thuhet se FFK-ja nuk mund të vendos simbolet kombëtare (flamuri, emblema etj) ose himnin kombëtar. Sidoqoftë, ata janë të lejuar të bartin emrin Kosova në fanella dhe yllin”, është thënë njoftimin e FIFA-së dërguar Federatës serbe, një kopje e së cilës i është përcjellur edhe FFK-së, e cila ia ka shpërndarë medieve.
“Pas shikimit të detajizuar të letrës tuaj dhe bazuar në raportin e delegatit të FIFA-së që ka vëzhguar këtë lojë, mund t’iu konfirmojmë se delegati i FIFA-së siguron që pika e dytë e marrëveshjes së 10 janarit është vëzhguar. FIFA sqaron se emblema e FFK-së e vendosur në fanella, nuk dëshmon simbol kombëtar të Kosovës. As FFK-ja as FIFA në asnjë mënyrë nuk kanë shkelur marrëveshjen e 10 janarit”, thuhet në letrën e FIFA-së.