Shtëpia e futbollit botëror, FIFA ia ka ndaluar Barcelonës të shesë ose blejë futbollistë në dy afatet e ardhshme kalimtare, pasi skuadra katalonase ka thyer rregullat me rastin e futbollistëve të rinj të transferuar në ‘Camp Nou’.
Vendimi që shkaktoi një tërmet në Katalonjë u mor pasi nga hetimet e kryera klubi rezulton fajtor për shkeljen e disa dispozitave që lidhen me transferimet e lojtarëve minorenë jo spanjollë në periudhën 2009-2013.
Sipas normave ndërkombëtare, transferimi i një lojtari lejohet vetëm kur ai është në moshë madhore dhe këtu bëjnë përjashtime vetëm disa raste të veçanta. Në këtë mënyrë, institucioni më i lartë i futbollit botëror ka vendosur të veprojë me dorë të rëndë për të ndëshkuar klubin katalonas, i cili nuk do të ketë mundësi që gjatë afatit kalimtar korrik-gusht 2014 dhe janar 2015 të shesë dhe të blejë asnjë lojtar si brenda ashtu edhe jashtë Spanjës.
Klubi është gjobitur gjithashtu edhe me 450 mijë franga zvicerane dhe i është lejuar një afat prej 90 ditësh për të sqaruar situatën. Në vendimin e FIFA-s bie në sy edhe gjobitja e Federatës spanjolle me 500 mijë franga pasi Barcelona është pjesë zyrtare e këtij institucioni që nuk ka arritur të parandalojë veprimet e klubit në fjalë.