Pas Valon Berishës e Milot Rashicës, për vizitë në FFK, sot, ka qenë edhe ylli tjetër dardan, Edon Zhegrova. Ky i fundit po qëndron për disa ditë në atdhe për pushime dhe me këtë rast ka vizituar edhe shtëpinë e futbollit, ku është pritur nga presidenti Agim Ademi, anëtari i KE-së, Xhelal Broja dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, njofton FFK.
Futbollisti i Baselit është shprehur i lumtur për rikthimin në Kosovë pas një periudhe të gjatë, derisa ka shprehur shpresën që sa më parë të kalojë kjo periudhë e vështirë si pasojë e pandemisë dhe t’i kthehen normalitetit dhe emocioneve që i dhurojnë ndeshjet e Kombëtares dhe tifozët dardanë.
Zhegrova e ka falënderuar presidentin Ademi dhe tërë stafin e FFK-së për mbështetjen e përhershme dhe për kushtet e krijuara për ekipin kombëtar, teksa u shpreh optimist se ai dhe bashkëlojtarët e tij do të arrijnë që Kosovën ta dërgojnë në Evropian.
Në anën tjetër, drejtuesit e FFK-së e falënderuan Edonin për vizitën dhe i uruan atij shëndet dhe formë sa më të mirë në vazhdim, duke e konsideruar atë si shembull për gjeneratat e reja të futbollit në Kosovë, njofotn FFK.