Kastrati: Respektoni rekomandimet e institucioneve kompetente që të mos gjobiteni nga Inspektorati

Kastrati: Respektoni rekomandimet e institucioneve kompetente që të mos gjobiteni nga Inspektorati

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati u ka bërë thirrje qytetarëve të respektojnë rekomandimet e institucioneve kompetente që të mos gjobiten nga Inspektorati.

Inspektorati dhe Policia çdo ditë janë në teren për të parë nëse qytetarët janë duke zbatuar rregullat dhe rekomandimet nga institucionet përgjegjëse për parandalimin e COVID-19.

Lidhur me këtë kanë filluar të ndërmarrin masa, ku sot gjatë ditës është dënuar një person i cili nuk ka respektuar masën e izolimit.

Kryetari Qëndron Kastrati u ka bërë thirrje qytetarëve të zbatojnë këto rregulla, në mënyrë që të mos gjobiten.

“Izolimi i personave të dyshuar për #COVID19, është një nga masat e rëndësishme për kujdesin e shëndetit publik.Më vjen keq që Inspektorati e Policia kanë filluar që të gjobisin ata që shkelin izolimin, por secili duhet të jetë i vetëdijshëm që masat e ndërmarra janë obligative. Tash e tutje nuk do të ketë tolerim për askënd! Prandaj, respektoni rregullat e rekomandimet nga institucionet përgjegjëse dhe shpresoj që kjo të jetë gjoba e parë dhe e fundit e këtij lloji”, ka thënë Kastrati.

Ndërsa Kryeshefi i Inspektoratit Komunal, Liridon Beqiri ka thënë se nuk do të ketë tolerime për ata që nuk respektojnë rregullat e përcaktuara nga organet kompetente.

“Iu bëjmë thirrje qytetarëve të jenë më të kujdesshëm, t’i respektojnë rregullat duke mbajtur maskë dhe distancë në mënyrë që të mos i gjobisim. Këtë po e bëjmë për të mirën e tyre që të mbrohen nga COVID-19”, ka thënë ai.

KOMENTE