Federata e Futbollit e Kosovës përmes një letre zyrtare i është drejtuar presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino dhe presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin në lidhje me përfshirjen e të ashtuquajturit klub Trepça nga Mitrovica e Veriut në kategorinë e tretë të futbollit të Serbisë.
Po ashtu FFK kërkon nga FIFA dhe UEFA të ndërhynë për të ndaluar çdo lloj gare të futbollit të Serbisë në territorin e shtetit të Kosovës, si dhe të detyrojnë Federatën serbe që ta ndryshojë statutin e saj, ku Kosovën e paraqet si pjesë të federatës së tyre, e që është në kundërshtim me realitetin dhe statutet e FIFA-s e UEFA-s.
Klubi i Futbollit “Trepça” nga Mitrovica e Veriut ka disa vite që luan në kategorite më të ulëta të futbollit serb, teksa mediat në vend kanë raportuar vazhdimisht për zhvillimin e këtyre ndeshjeve.
Madje, edhe ulëset e stadiumit në Mitrovicën e Veriut janë me ngjyrat e flamurit serb.