Gjatë ditës së premte, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, i ka bërë disa vizita dhe ka vendosur që kompleksi sportiv “Bazel” në fshatin Rakah të komunës së Ferizajt të shndërrohet në karantinë për sportistët në rast se ka nevojë.
Presidenti Agim Ademi ka qëndruar për vizitë në KFF “Bazeli” dhe në kompleksin sportiv “Bazel” në fshatin Rakaj të komunës së Ferizajt, ku është pritur nga pronari Ahmet Shora.
Me këtë rast presidenti Ademi u dakordua me Shorën që ky kompleks të shndërrohet në karantinë për sportistët në rast se paraqitet nevoja në situatën në të cilën po kalon vendi, e ku të gjitha shpenzimet do t’i bartë FFK-ja.
Presidenti Ademi theksoi se ky kompleks i plotëson të gjitha kushtet për karantinë për sportistët, me 70 shtretër, me restorant, me sallën stërvitore, ajrin e pastër dhe fushën e madhe për futboll.
Edhe Shora u shpreh plotësisht i gatshëm që ta përgatisë këtë kompleks në shërbim të FFK-së dhe sportistëve.
Kreu i FFK-së e ka vizituar edhe futbollistin e KF “Ferizaj”, Nermin Hajdareviq nga Tuzlla e Bosnjës e Hercegovinës, me ç’rast u interesua për gjendjen e tij në këtë situatë të vështirë që i ka kapluar po thuajse të gjitha shtetet në botë, duke i dhënë mbështetje për çfarëdo që ka nevojë.
Presidenti Ademi më pas ka vizituar KF “Vitia” nga komuna më e prekur dhe e izoluar për shkak të numrit të të infektuarëve me koronavirus.
Kreu i FFK-së u interesua për gjendjen e futbollistëve dhe punëtorëve sportiv, si dhe u shpreh i gatshëm për të ndihmuar me gjithçka që është e nevojshme.