(Naim Fetaj “ Më lanë edhe pa këngë “ SHB “Beqir Musliu”-Gjilan , 2019)
(Poet i kursyer)
Nga: Maxhun Osmanaj
Sivjet bëhen plot tridhjetë e dy vite, kur poeti strellcjan , Naim Fetaj botoi librin e tij të parë poetik “Yjet bëjnë rojë” (1987) dhe do të vazhdojë së shkruari dhe botuari pa ndonjë nguti të madhe : “Terrinë përtej diellit” (2013), “Vezullim thinjash” (2015) dhe vëllimi më i ri , “Më lanë edhe pa këngë” (2019).
Shumë poetë i nxitë dëshira për të botuar; te Naimi ngjan e kundërta.Te çdo lexues dhe krijues rrjedh pyetja : pse për dyzet vite krijimtari letrare, vetëm katër vëllime poetike?!- A nuk deshi vetë, a shkroi më pak nëpër vite, kishte mungesë frymëzimi apo vargu e ndali të piqet vetë si pemët në kohën dhe stinët më të mira?! Ndoshta koha do t’i fletë lexuesit dhe kritikës.
Sido që të jetë, te Fetaj vlen parimi cilësor dhe jo sasior. Ai ruan parimin se çdo gjë vjen në kohën e duhur, në laboratorin krijues nuk duhet botuar pa u filtruar mirë e mirë. Mu për këtë parim, për modernitetin, trajtimin, laryshinë dhe fuqinë bukurisë së artit poetik të Fetajt, vepra e tij është cilësuar nga kritika si vepër që qëndron kohës, jo në rërën e kohës që një erë e lehtë mundë t’ia humbë gjurmët, por vepra e tij ruhet në shkëmbinjtë e kohës që asnjë furtunë a stuhi nuk mund t’ia shlyejë gjurmët e ndritura letrare-stetike, etno –filozofike.
Ai , aq sa frymon kudo qoftë, në cilën tokë apo ambient qoftë, ka frymëzim, ka maturi , ka pjekuri, ka shpërthim, por ka edhe qëndresë. Në përgjithësi, thuaja në të gjitha vëllimet poetike lidh tradicionalen me të sotmen.
Fetaj, tabanin popullor e ka krua të pashtershëm bashkë me pasqyrën e përditshmërisë, i lidh aq organikisht, bukur dhe ndërton një varg sa popullor, aq edhe modern. Pra, poezia e tij ngritet si kullë a kala mbi tabanin popullor dhe mjeshtrisht gërshëton modernën , modernitetin aktual.
(Revolta , kënga dhe dhembja , trinom tematik i shpirtit të pakënaqur)
Vargu i Fetajt është i thjeshtë, po aq i pjekur, po aq filozofik dhe proverbial. Brenda dy kohëve ndërton të nesërmen. Brenda filozofisë së vargut qëndron mesazhi kryeneq- revoltues, si thirrje, si protestë, si dhembje, si këngë apo si qëndresë. Çfarë do të ishte akcila poezi po mos t’i kishte këto vlera!?
Bazuar në semantikën e vargut, çdo poezi mbulohet nga shpirti shërthyes i revoltës. Revolta është alfa dhe omega, veriu dhe jugu gjeografik i temave shumëdimensionale që shpërfaq autori. Në poezinë e Fetajt kalëron etnografia, psikologjia, filozofia popullore, filozofia e mendimit, filozofia e kritikës. Revolta e autorit ka arsyen dhe ngritet në tabanin e shumë pakënaqësive të përditshmërisë. Revolta e autorit nuk është e çastit, është revoltë e kohës, revoltë e jetës. Para asaj galerie të jetës, nuk mund t’i mbyllë sytë pa shfaqur ndjenjën e pakënaqësive. Vargun e ka mjet shpërthyes. Mesazhi i vargjeve duket si një fshikullimë, therje, ndonjëherë shpoti në funksion estetik.
Poeti është shpirt paqësor : ” Nuk duam plumba…nuk duam prita/Pas lufte pastaj krisi zezëdita”(Pas lufte, fq.5). Librin e hap poezia, Pas lufte. Vargu i tij kërkon paqe, jo plumba, jo prita. Autori nuk thur poezi me zor, me porosi.
Ai thur çfarë i thotë mendja, çfarë e udhëheq dashuria njerëzore, fisnikëria. Po cili është mesazhi i revoltës së autorit? Ai mesazh shpërfaq një dinjitet të njeriut të lirë që shpeshherë ky dinjitet bie në lajthitje nga njerëz të klaneve, grupacioneve dhe pushtetarëve.
Më lanë edhe pa këngë! Po cilën këngë e kërkon shpirti epiko –lirik i autorit? Kënga për autorin është jeta e lirë, e dinjitetshme , pa imponim, pa prita, pa ndërskamca. Kënga në këtë rast simbolizon këngën e shpirtit paqësor. Robëria nuk është vetëm fizike, por edhe shpirtërore nga njerëzit, pushtetarët, hilëçarët.
Ndonëse tani Kosova është e lirë pas një shekull robërie, tani bijtë e vet pushtetarët ia ngulfasin frymën e lirisë, e keqpërdorin atë gjak, aludon poeti. Përmes vargut ai kërkon një jetë të fisme, të qetuar, paqësore.
Kënga e tij është këngë për dinjitet, por njerëzit ia vranë këngën, ëndrrën. Edhe titulli simbolik-metaforik “Më lanë edhe pa këngë flet shumë.Pra, tabori i hileçarëve, puthadorëve , sërvilëve, pseudoatdhetarëve, i njerëzve keqpërdorues të lirisë nuk janë të pakët. Liria është gjaku, liria është atdheu, liria është dinjiteti. Kënga e Fetajt ka edhe notën sociale.
” Nuk kërkonim shumë… veçse pak miell/Krushq e këngë kur të hynim dhëndërr/Pranë verës këndonim/E flinim mbi të mbjella/I gëzoheshim vjeshtës/deheshim mbi të vjela/Po se si kthente dimri/ E na ngrinte n’rremba (fq.18) (Si ëndërr disi…)Fetaj kërkon ruajtjen e dinjitetit të poetit si zë i kohës dhe i shoqërisë. “Për poetët erdhi kohë e vështirë/Ta këndojmë të kaluarën / Trime të mirë / Rreth dreqit të bëhen ushtarë/Me ohoooooohooo e oiiiii/Nuk niset kënga e mbarë/Kjo kohë nuk është hiç për vjersha/Se zymtësinë e tyre po e end vetë vjeshta/Vjershat si po shkruhen nuk i do kush/Poeti oborrtar mbet si qeni n’rrush “ (Kohë e pakohë për poetët “ (fq. 19).
Lirika e poetit është dëftim dhe meditim; në realitet është pasqyë e kohës ku mund të shihemi të gjithë. Është metaforë e pakënaqësive. Me dashuri të thellë i kthehet epikës dhe lirikës, lidh kohërat me të sotmen. Shkon te Gjergj Elezi, Alia, kthehet te Gjergji legjendar dhe vjen te Agimi i Lirisë (Agim Ramadanit) Çdo poezi a varg, është vepër në vete. Fetaj e kupton në thelb maksimën e Lasgushit të madh se një poezi e mirë artistikisht, është një vepër e tërë.
Poezia e tij është kolektive, por edhe personale. Aty gjejmë edhe “autobiografinë” e tij në vargje , në Strellcin e dashur, në fëmijërinë e dhimbjes dhe krenarisë. E sotmja, sidomos e pasluftës e mban peng. Moskuptimi i lirisë, keqpërdorimi i lirisë nga disa, është më shumë se revoltë, fshikullimë: “ Ti…liria ime…më ndjek hap më hap/Më vrave më e vret… të vdekur më do prapë/Me njëmijë zagarë më qite përtej diellit/Liri kur i thosha bukës e miellit/Si mac, e zezë u katrrise/ Mes meje e qiellit” (fq.66), (Rekuem për lirinë).
Vitet e rënda të cilat i përjetoi ai dhe populli shqiptar i ndërlidh mjeshtrisht në vargje si proverbial: ”Në një kohë të keqe erdha në jetë/ Kur ishte zënë edhe dielli/ Tevona ra një bore e kuqe/E u skuq edhe qielli/E di…dy fjalë atë botë ishin/Baba dhe mielli” (Skicë për autoportret, fq. 67) Baba dhe mielli janë simbole të shtrënjta, pra, atësia dhe jeta. Autorit nuk i ikën as vitet e 80-ta : “Pranverën e parë pas te tëdhjetës/ Me gjak e lamë/Shumë ëndrra kishim shumë dashuri/A njëmijë e sa tanke na rrinin përbri/Në pranverën e parë pas te- tëdhjetës/Si sizifi kemi vazhduar/Drejt majës së ëndërruar” (Drejt majës së ëndërruar, fq.68).
Librit i paraprin poezia pas lufte. Ndahet në tri cikle poetike : Kohë korbash, Mbi dënesjen tonë, Dhembja pikon veç nga zemra. Në këtë vëllim poetik janë përfshirë njëqind e gjashtëmbëdhjetë poezi. Fetaj është zë i kohës dhe historisë. Atë shpirtërisht e mban gjallë kujtesa historike: vendet, ngjarjet, fatet. Ato janë reference kujtese, referencë dhembjeje, referencë krenarie. Ai është bir i Strellcit , bir i Kosovës, bir i Ballkanit të përgjakur, bir i Evropës hileçare . Liria është drita e shpirtit, drita e mendimit, drita e kujtesës, dinjitetit, drita e dhembjes dhe krenarisë.
Ai e di që historinë e bëmë vetë, por kurrë s’e shkruam ne : “Me gjak e mbush këngën/ Po kënga ku mbet/Historinë kurrë s’e shkruam vetë” (Historinë kurrë s’e shkruam vetë, fq.71) .
Një nga poezitë më të arrira, përkushtuese është edhe poezia ; ”Tash e njëzet vjet”, Për Kosovën si këngë a elegji…(fq.80), ku shpërthen : Sa herë që erdha, sa herë që jam kthye/Shpirtin po ma hanë…njëmijë elegji. Poeti ka afro tri dekada që jeton në mërgim dhe pas luftës , çdo ardhje-shkuarje ishte një zhgënjim për poetin, një mesazh metaforik na shpërfaq me fuqinë e shprehjes përms vargjeve.
Fetajt nuk i ikën nga mendja dhe dhembja dramat e popullit shqiptar: Çamëria,Tivari na mbetën si varre-si varrë Tivarr, Ti-varr, Ti-varrë, një simbolikë dhembjesh e përjetshme. Një ndërtim poetik në artin e nderimit dhe përkushtimit është poezia, “Letër dëshmorëve”,ku brenda saj shpërthen zhgënjimi pse i mashtruam, ”Sërish iu gënjejmë… se na mbyti malli/Ju nuk zgjoheni më/ Ne vdisem për së gjalli” (fq. 90). Ndërsa cikli “Dhembja pikon veç nga zemra” është cikli përkushtues për figurat kombëtare-atdhetare siç janë : Agim Ramadani, Enver Maloku, Nezir Istrefi, Jakup Ferrin, vëllain e vet, Agimin …
Libri përmbyllet me njërën nga poezitë më të realizuara në aspektin ideor ku shpërfaqet dhe portretizohet një nënë që kërkon të birin e zhdukur. Shpirti i kësaj nëne të dhembshur simbolizon mijëra nëna, që kërkojnë bijtë-bijat e tyre nga lufta e fundit në Kosovë. Kjo poezi është revoltë e shekullit pas luftës dhe masakrave që ushtroi pushtuesi dhe makineria vrastare sebe, gjenocidin që shkaktoi kundër mijëra shqiptarëve të pafajshëm. “Që njëzet vjet e ka endur dhembjen/Që njëzet vjet mallkue e ka këngën/Ah, ky vaj i saj…Të ther..të prêt.. Të vret/Dushk e bar në mal…edhe kjo i thau/E fushës dënesja i bie si një det…”(Portret i një nëne që kërkon të birin,fq. 130). Ky vëllim poetik mbetet si përmendore e revoltës , dhembjes dhe përkushtimit, pasqyrë e pasluftës për luftën, lirinë, pa-kënaqësië, zhgënjimin.
( Ndërtimi metrik, gjuha dhe figuracioni stilistik)
Poezia e Fetajt ka veçantinë e vet në ndërtim dhe metrikë.Autori shpeshherë nuk e ruan konvencionalën. Vargu i tij ka liri shprehjeje të mëdha funksionale.Herë është varg i lirë, herë dy vargëshe. Herë një strofë, herë pak strofa, por në to flejnë mendime të thella, që zgjohen nga lexuesit.
Poezia ka rimë,por Fetaj ndërton edhe poezi pa rimë, ndonëse e ruan mesazhin metaforik.Thuaja të gjitha poezitë ruajnë indin tradicional. Meditimet poetike i ndërton në formën e shprehjeve proverbiale-filozofike-popullore, si ajkë e mendimit të mençur shqiptar. P.sh. “Si qeni n’rrush”/Me vaj n’buzë”, “Na morën nëpër këmbë”, “Për faqe të zezë”, “As pus, as dri”, “Hekurin me dhëmbë e kemi ngrënë” , “ oi…oi…duke ngritur peshën emocionale të vargut, ndërsa nga figurat stilistike mbretërojnë : metafora , simboli, krahasimi, personifikimi, thirrja, etj.
Poezisë së Naim Fetajt do t’i hynim në hak vetëm me një vështrim panoramik , ngase vetëm një poezi e realizuar e tij, është një vepër e tërë.Vargu i tij i qëndron çdo kohe dhe do të lexohet-interpretohet, vlerësohet me adhurim dhe shije të hollë.Ai botoi pak , koha do ta ruajë gjatë.Arti i leximit dhe vlerësimit do të merrë dimension të ri.