Këtë fundvit qyteti i Gjilanit pritet ta shënojë më ndryshe dhe në festë të vërtetë. Kjo pasi, kreativiteti i të rinjve gjilanas rezulton me një projekt interesant, kësaj radhe po punohet mbi realizimin e një festivali kulturor me karakter social, “N’rrot Fest”, edicioni i parë.
Ideatori i kësaj iniciative, Albert Fazliu, ka thënë për 2LONLINE, se zhanri do jetë Elektro Tecno House ideja e projektit është që ai të mbahet çdo vit, ndërsa ata kanë zyrtarizuar pjesëmarrjen e disa DJ të dëshmuar në vend.
“Do të jetë një ndejë dhe festë e vërtetë. Jemi në kontakt me DJ të njohur në vend dhe thuajse nga shumica kemi marrë konfirmimin. E kisha këtë ide edhe më parë, por fatmirësisht këtë vit po realizohet. Ne jemi qytet që duam festat dhe ndejat, tani nuk kemi nevojë të shkojmë më larg, por një të tillë do e mbajmë në Gjilan. Uroj që të përsëritet çdo vit dhe të jetë tradicional, sepse besoj që Gjilani ka nevojë dhe në edicione të tjera me risi të reja e të marrë jehonë në gjithë Kosovën e pse jo edhe më larg”, ka thënë Albert Fazliu.
Për më tepër, ai theksoi se këtë vit nga të ardhurat e këtij eventi do të ndihmohen familjet në nevojë në komunën e Gjilanit.
“Është e vërtetë do ketë një hyrje me pagesë, po besoj nuk është çmim i lartë, marrë parasysh që qëllimi këtë vit është shumë human dhe solidar. Mund t’i prek gjepat e secilit, por në anën tjetër mund të jetë ushqim dhe ndihmë shumë e madhe për familjet në nevojë”, shtoi Fazliu.
Ndërsa, Menaxheri i këtij projekti, Qëndrim Kqiku, ka thënë se një hap i tillë është historik pasi për herë po mendohet të krijohet një festival kulturor muzikor, i cili jo vetëm që do të sillte atraksion e dëfrim por edhe art dhe gjallëri qytetit.
“Marrë parasysh që mungojnë festivalet muzikore, organizimet artistike dhe mbledhimet e tilla të rinisë janë të mirëpritura. Prandaj, ne si Gjilan kemi dëshmuar se i duam ndejat, e duam festën, por pse të mos e bëjmë një të tillë në mënyrë profesionale, kreative dhe tradicionale. Është moment historik pasi për herë të parë po hidhet një hap që mund ta jetësojë këtë. Kjo jo vetëm që do sillte festë, por me një popullaritet festivali do zgjerohej, sillte vizitorë e gjallëronte qytetin në të gjitha fushat”, ka thënë Kqiku.
Ai tregon se për këtë projektit kanë përkrahje nga Kryetari Lutfi Haziri – Komuna e Gjilanit e Njësia për Kulturë dhe vazhdimisht janë në kontakt me donatorët e bizneset në Gjilan.
Ngjarja do të mbahet në Galerinë e qytetit në Gjilan, më 22 dhjetor 2017, Ora 20:30, dhe hyrja do jetë 2 euro. /Elife Sherifi/