Shkruan: Femi HALIMI
-I-
Viti i Ri 2015 është afër, me në mes një parafestë të madhe shumëditëshe. Nëmes nesh dhe këtij viti të ri janë shumë ditë që përmbledhin një gëzim në shtim deri në mbrëmien e madhe kur viti ky kryhet dhe viti i ri pason tutje. Kjo kohë deri në këtë mbrëmie të madhe e që fillon që me vetë dhjetorin, është koha më e gjatë e festimit në gjithë botën. Asnjë festë nuk është për gjithë njerëzit dhe nuk zgjatë një muaj sikur festa e vitit të ri apo e ndërrimit të motmoteve. Në të vërtetë disa festivale sportive zgjasin më shumë, -siç është Kampionati Botëror i Futbollit, -mirëpo festimi i ditëve të një kampionati të tillë vlen vetëm për futbollistët dhe dashamirët e futbollit, ndërkaq festa e vitit të ri përfshin të gjithë njerëzit. Mendohet në civilizimin perëndimor, por edhe civilizimet lindore me shumicë e me shumçka e festojnë këtë.
Festa kjo, mëparë, përfshinte të gjithë. Pas Luftës së Fundit kësaj, erdhën anash e hyrën nëmes përfoljet e këqija për këtë festë. Populli po kthehej në një mënyrë tjetër kulture e përqëndrimi dhe ndikimet e huaja e bënë të vetën. Mbaj mend, qëkur isha fotograf në teren, -e ishin vitet pas luftës tek ne, kur nisi të përflitet me të madhe se –ja kjo festa e vitit të ri nuk është për ne. Ne fotografët kishim fitim të madh nga fotografimi dy javët e dhjetorit deri në vit të ri, -me “Baba Dimrin” sidomos. Me ftohjen dhe largimin e respektit dhe dashurisë me të madhe për këtë festë edhe ne fotografët mbetëm për të keq dhe nisëm të humbnim mundësitë për të punuar në profesionin që shumë e donim. Fill pas kësaj dolën edhe mobilët me vetëfotografim dhe kompjuterët,…dhe me këtë fotografimi profesion shumë i rëndësishëm ra me të shpejtë dhe nuk u ngrit kurrë më. Kështu festa përfshinte të gjithë doherë, por që prej disa viteve më parë nisi të zbehet dhe të humbë respektin e rëndësinë.
Por festa për çudi nuk ra përtokë dhe nuk u shua megjithë sulmet vdekjeprurëse ndaj saj! Shkaku për këtë është tek tregtia dhe bizneset. Mundësia për të shitur mallin me shumicë ndali sulmet tutje ndaj kësaj feste. Mundësia për shitje për më tepër u rrit edhe më tepër dhe kështu festa humbi me shumicë respektin por ruajti rëndësinë. Tradita dhjetravjeçare e festimit të vitit të ri ishte shumë e fuqishme kur nisën sulmet ndaj saj e që zgjasin edhe tani. Shqiptarët gjithmonë në mes dy civilizimeve dhe pa identitet të vetin, qenë të ndarë në dysh dhe të përçarë, siç janë edhe tani. Kjo e keqe ka pasoja edhe në kulturë, në konstruksion psikosocial dhe në identitet. Çka bën njëra gjysmë, gjysma tjetër e kundërshton dhe e kundërta. Edhe flamuri e tregon këtë. –E si mund të jetë një komb unik me gjithë këto ndryshime e kundërshtime të pakalueshme?!…Këto thyerje vërehen edhe tek manifestimet, -e edhe tek festa e vitit të ri tani.
Shkak tjetër për të mbajtë megjithkëtë këtë festë ishte dhe është, -si dhe do të jetë -Bota Perëndimore, që ka këtë festë të veten me prestigj, krenari dhe respekt. Perëndimorët ishin këtu e këndej si janë edhe tani shumë prej Pasluftës dhe varësia prej tyre bënte dhe bën që të mbahen marrëdhëniet reale e formale në nivel. Rëndësia e kësaj feste në Perëndim pastaj lidhet edhe me mënyrën e besimit, anise thuhet me shumicë se kjo festë nuk ka lidhje me kristianizmin. E shpallin edhe festë pagane në kundërshti me kristianizmin dhe i gjejnë të meta besimit të krishterëve sepse përziejnë paganizmin me besimin e vërtetë. Megjithkëtë kjo festë edhepse pësoi shumë siç pësoi edhe tek ne, nuk humbi rëndësinë dhe nuk u shua, por u plotësua e përforcua edhe në Perëndim. Kështu edhe Perëndimi me shumicë kombinoi mënyrën e vjetër të festimit me ndjenja e pasion human, -me mënyrën e tanishme të mentalitetit të tregtisë dhe konsumit masiv. Kështu festa e vitit të ri ruajti paksa mënyrën e vjetër civilizuese të manifestimit dhe ndërkohë ngadalë kaloi në një festë të tregtarëve dhe të bizneseve.
-II-
Dy javët e dyta të dhjetorit deri në fund japin mundësinë dhe shanset për të gjithë zejtarët e tregtarët për të investuar e për të bërë munde sa më shumë në shitje të mallrave. Kjo mundësi ka shkuar me kohë edhe në ekstreme të pa parashikuara më parë. Në favor të shtitjes së mallrave në këtë kohë bëhet çmos për të pasur sa më shumë sukses në shitje dhe shkëmbim. Me këtë shkon formalisht edhe festa dhe dashuria për të, porqë me dukje të kjartë se nuk ka vullnet për të më siç kishte doherë.
Kështu kjo festë tani na mba të lidhur dhe në ndërlidhje civilizuese me Perëndimin falë më shumë pranisë së perëndimorëve në mesin tonë dhe për mbrojtjen që na bëjnë krejtë dukshëm dhe tjetër, -për shkak të interesit tregtar dhe biznesor. Kjo çështje ka shkuar aq larg sa që ka kaluar edhe në vendim personal e familjar të njerëzve. Kështu dikush feston dhe dikush nuk feston. Por që ka rënë interesimi për këtë festë ashiqare dhe që ka interes në anën tjetër për tu festuar kjo shihet dhe dëshmohet nga rritja e shitjes falë kësaj feste. Ndodhë që një tregtar gjatë tërë vitit dështon dhe jeton me krizë, por me dy javët e fundit të dhjetorit kthehet dhe ringjallet e mbijeton, falë shitjes së gjithë mallit për kohë të shkurtë dhe me sukses të lartë.
Festa e vitit të ri tek ne nuk u njoh gjithmonë. Kjo festë erdhi e u bë familjare dhe kosovare pas Luftës së Dytë Botërore, dhe me shumicë dërmuese viteve të Gjashtëdhjeta. Tridhjetë e më shumë vjet kjo festë ishte për të gjithë dhe shumë e popullarizuar . Ato kohë, e mbaj mend, kur baba, rreth gjysmës së dhjetorit, -sillte Uresat e vitit të ri. Ato uresat baba i nxirrte pas darke nga qanta e zezë e nëpunësit të lartë komunal me shumë ceremoni siç dinte ai. Pastaj na i ndante nga dhjetë uresa dhe na mësonte mirë si ti plotësonim, me tekstin dhe me adresën. Baba kërkonte me çdo kusht shkrim të bukur dhe me gramatikën shqipe!. Vetë kishte pasë Diplomë të bukurshkrimit nga pushteti atokohë dhe sa krenohej me bukurshkrimin, kërkonte nga ne që njësoj të mësonim të shkruanim sakt e bukur! Ne ishim shtatë fëmijë dhe djemtë dinim të gjithë të shkruanim, – motrat jo, -kështuqë motrave ua shkruanim ne uresat dhe për këtë merrnim dhurata të mira prej tyre, me hae e ëmbëlsira ditën tjetër.
Uresat ishin tregim në vete!…Ishin piktura të jashtëzakonshme të bëra asokohe me ngjyra vaji e me zbukurime të çuditshme me gjithçka sipri, sa që neve fëmijëve na tërhiqnin me një forcë magjike dhe na ngjallnin një botë të panjohur plot magji dhe jetë, çfarë mund të njihet vetëm me një dashuri të veçantë njerëzore dh për kohë të gjatë. Këto uresa, kur i plotësonim të gjitha, baba i merrte dhe i kthente në qantë sërish. Të nesërmen shkonte në punë dhe uresat ia dorëzonte Postës, e cila i përcillte ato për pak kohë me adresë tek të gjithë të adresuarit, të dashurit tanë, të cilëve u dërgonim uresat për të gjitha të mirat në jetët e tyre dhe për plotësimin e të gjitha dëshirave. Në të njejtën mënyrë na vinin edhe neve uresat prej të dashurve tanë.
Ato kohë, festa e vitit të ri kështu festohej. Festa shënohej me uresa, dhe me shumë gazmende netëve të dhjetorit në ndejat nëpër shtëpitë a odat dhe me veçoritë e traditës. Kulmi ishte -Mbrëmia e Fundit -31Dhjetori, -e cila mbahej edhe me një Darkë të pasur me sa më shumë ushqime e ëmbëlsira, si dhe me vonë me shtrimin e pijeve e pemëve e me kohë edhe të prodhimeve industriale atë kohë nga shitoret.
Çka është me shumë rëndësi, -krisma me armë zjarri nuk kishte fare asnjëherë, përveç se me ndërrimin e motmoteve kur ndokund nga Qendra dëgjohej andej –këndej ndonjë krismë, që ishte e zyrtarëve të shtetit dhe që ishte me leje e udhëzim. Ky është motivi që edhe më shtyri të bëj këtë shkrim. Është shkrimi edhe një protestë kulturore ndaj banalizimit të skajshëm të festës. Atë kohë nuk kishte bomba e bombica dhe petarda, e tjera. Festa festohej për festë dhe pa hile dhe nuk kishte teprime në asgjë. Ishte qebesa edhe koha e regjimit të ashpër që zbatonte ligjet me çdo kusht me njëherë, pa asfarë hezimtimi ndaj askujtë dhe kjo ishte me shumë efikasitet. Si në çdo fushë tjetër jetësore, edher festa ishte festë dhe njerëzia ishte njerëzi!…
-III-
Po tani, -çka ndodhi?!…Ndodhi, këto vitet e fundit veçmas, që kjo festë u kthy në një festë “kineze”, -me përpjekje për shitje sa më marramendëse të mallrave dhe me krisma, e –asgjë tjetër!…Kulmi i Festës përcillet me krisma nga Qendra e tutje, me oshëtimë tmerruese e me tym helmesh që shkatërrojnë ajrin dhe sjellin sëmundje për tërë vitin tutje. Kështu kjo festë u bastardua krejtësisht. Me kohë, erdhën gjeneratat e reja që më as që dijnë se si festohej kjo festë përnjëmend dhe si duhet të festohet. Pasi nuk kanë një vazhdimësi të festimit dhe manifestimit të saj tani, të rinjtë e kuptuan thjeshtë me mendësi të tregtarëve, se kjo festë ka shansë për tregti dhe për krisma pa lidhje! Kështu, siç përfundoi kjo festë, -e humbi tërë rëndësinë, bukurinë dhe rëndësinë kulturore –njerëzore të saj, -dhe me këtë thuase nuk është më festë. Megjithkëtë, ka ende gjenerata të vjetra ndërlidhëse të kohëve të vjetra me të rejat, që ende mbajnë të gjallë frymën pakashumë të festimit të kësaj feste, që është për të ardhur mirë dhe keq. Nuk është mirë që të shuhet e të humbë një traditë e mirë dhe njerëzore, e të përfillet një festim banal e pa kurrfarë njerëzie, sepse po ka interes të shitjes së mallrave me shumicë sa për tërë vitin vetë. Duk luftuar me kohën, gjeneratat e vjetra qëndrojnë ende, por me forcë të paktë dhe në fund të jetës, – me gjeneratat e reja, me vrull dhe fuqi jete, por që duke mos trashëguar kulturën e festimit dhe të manifestimit nga bashkësia dhe vendi, dhe që me gjithë mundin që të dalin seriozë në këtë festim, dështojnë dhe përfundojnë në banalitet që shoqërohet me krisma e tym që dëmton ajrin dhe mjedisin pa mundësi përmikrësimi më.
Para luftës, për këtë festë, serbët kërcitnin me armë zjarri të vërteta, kurse tanët pëlcitnin petarda e bombica, anise ndokush edhe nga tanët, në atë çmenduri të minutave të fundit para ndërrimit të motmoteve ia zbrazte ndonjë batare. Ishte ajo çështje dinjiteti dhe mbijetese. Tani nuk ka motiv për aso krisma. Por tani motivet edhe ndërruan të tërë. Motivet tani janë nga bota e bizneseve, investimeve të mëdha për një kohë të shkurtër dhe shpresave se me një përpjekje mbinjerëzore dhe me fat të ndihmuar nga forca e e madhe e festës së vitit të ri, do të bëhej shitje e madhe dhe do të bëhej mirë, mbi të gjitha të këqijat!…
Është për keqardhje e vërtetë e hidhur, se edhe po të bëhen përpjekje të kthehet mënyra e vërtetë e festimit të festës së vitit të ri -nuk ka mundësi, sepse kanë ndodhë një sërë ndryshimesh civilizuese, humane, politike, teknologjike -teknike dhe nacionale e klasore, –që ndajnë kohën e shkuar me kohën tonë. Ka ndodhë ndryshimi i gjeneratave dhe mentalitetit, konceptit për jetën, për standardet morale njerëzore dhe për faktin se tani jetojmë në rrethana tjera dhe në një rend me klasa dhe me dallime të rënda sociale e klasore. Dikush ka shumë, -dikush fare, -dhe një shtresë e mesme është shumë e hollë. Mandej nuk janë më ato gjeneratat që ishin të urta dhe të kujdesshme dhe që kishin një normë sjelljeje. Tani, me gjithë të mirat që solli jeta e re, e mbi të gjitha liria, njerëzia tek ne nuk e përfillën këtë. Për më tepër u sollën ndaj lirisë me shumicë me mosmirënjohje dhe me përbuzje.
(…-Në Shkrimin e Shenjt, tek Libri i Perstë, -tek Ligji i Përtërirë, lidhur me rikujtim- in e kushteve të Besëlidhjes që Zoti Perëndi bëri me njerëzit përmes Moisiut, -në përfundim përshkruhen edhe të mirat nëse njerëzit mbajnë dhe ruajnë Besëlidhjen, porse edhe për pasojat e rënda që do të vijnë nëse njerëzit e përbuzin Besëlidhjen dhe lirinë!…Bekimi dhe Mallkimi janë për njerëzit, sipas sjelljes dhe qëndrimit. Besoj se tek ne kanë ndodhë të dyjat, por me shumicë dërmuese lirinë e kanë përbuzë në të gjitha nivelet. Për këtë, edhe festat nuk mund të jenë më festa…
Ka arsye për këto, e për gjithçka, -kur është fjala tek Festa e Motmoteve, -por nuk ka asnjë arsye, pse niveli kulturor –civilizues u shua dhe tani festa u kthy në krisma boshe dhe britma të thata, -për asgjë!?!
Duhet të kuptohet, -se krisma nuk është festë!…Kurse unë këtë shkrim e bëra mëshumë nga një rregull formale e konceptit të traditës së shkrimit, se sa për pretendimin që të mësojë a këshillojë ndokend!…Të mençurit tani janë të pasurit, -dhe të tjerët janë, skamnorët. /2L ONLINE/