(2L ONLINE) – Në kuadër të një projekti të Qendrës Kulturore “Laboratorium” në Gjilan, një grup i fëmijëve të moshës 9-12 vjeçare, kanë vizituar të martën Kuvendin Komunal, si organin më të lartë vendimmarrës.
Për t`i respektuar fëmijët, Valentina Bunjaku-Rexhepi, kryesuese e Kuvendit Komunal, e ka ndërprerë seancën e Kuvendit Komunal për 15 minuta dhe është përgjigjur në të gjitha pyetjet e tyre, që kishin të bënin me numrin e anëtarëve të asamblesë komunale, drejtoritë komunale, buxhetin dhe shumë çështje të tjera.
Bunjaku-Rexhepi ka thënë se asambleja komunale përbëhet nga njerëzit e zgjedhur prej qytetarëve, përmes votës së tyre dhe i ka inkurajuar fëmijët që të mësojnë shumë, që nesër dikush prej tyre të jetë në këto ulëse ku merren vendime të rëndësishme për qytetarët e Gjilanit.
Bashkim Nexhipi, udhëheqës i kësaj Qendre Kulturore, ka thënë se dëshira e fëmijëve ka qenë që të njihen me institucionet komunale dhe punën që bëjnë ato. /2L ONLINE/