Komiteti Olimpik i Kosovës bën të ditur se më 27 maj(e hënë) do të mbahet edicioni i tetë i vrapimit në 25 komuna të Kosovës, ku pritet të garojnë afër 15 mijë fëmijë të lindur në vitin e pavarësisë, më 2008.
Presidenti i Komitetit Olimpik, Besim Hasani, tha se pret që ky vrapim të shndërrohet në një festë, ku do të vrapojnë gati 15 mijë fëmijë, sipas pritjeve të organizatorit.
“Bëhet fjalë për mbi 10 mijë fëmijë të cilët do të vrapojnë në të njëjtën kohë. Do të përpiqemi që fiks në orën 9:30 fëmijët e lindur në vitin 2008, vitin e pavarësisë, të vrapojnë në kohë të njëjtë dhe të përcjellin mesazhin se në sport ftohen të gjitha kategoritë, pavarësisht moshës, gjinisë apo ngjyrës. Ju përkujtojmë se këta fëmijë kanë vrapuar kur kanë qenë në moshën 4 vjeçare dhje këtë vit janë 11 vjeçar. Ata do të vrapojnë derisa të jetë njeriu i fundit që vrapon. Është një projekt 100 vjeçar”, tha Hasani.
Sekretari i Përgjithshëm, Shasivar Haxhijaj, u shpreh se janë 25 komuna që kanë konfirmuar pjesëmarrjen, teksa shtoi se është për keqardhje që dy komuna të mëdha si ajo e Pejës dhe Prizrenit nuk do të marrin pjesë në shënimin e Ditës Olimpike.
Ai bëri të ditur se në këtë aktivitet nuk do të mungojnë figurat publike si ish-presidentët Fatmir Sejdiu dhe Atifete Jahjaga, Majlinda Kelmendi, Driton Kuka, zëvemdësministra e udhëheqës shtetëror.