Nga pas lufta e fundit, përkatësisht pas luftës në mes forcave ushtarake policore serbe e UÇPMB-së, edhe fshati Suharrrën mbeti pa banorët e vet. Por pas përfundimit të kësaj lufte disa familje u kthyen për të jetuar në vatrat e veta, e posaçërisht lagja e Tahirajve ishte lagja që nuk mbeti asnjëherë e zbrazur. Dhe tani në këtë lagje jetojnë katër familje: familja e Bekim Ramadanit, Bajram Bajramit, Xhemail Tahirit e Reshat Ramadanit.
Shkruan: Ismet Tafili
Duke qenë se këto familje kanë edhe fëmijë, bëri që edhe shkolla të mos ndërpritet asnjëherë. Por, nga që shkolla e vjetër është larg dhe është dëmtuar në masë të madhe, ata mësimin e zhvillonin në shtëpitë private në lagjen e tyre. Në këto shtëpi kushtet për mësim nuk ishin të mira, prandaj këto familje, e posaçërisht Bekim Ramadani u angazhua që të ndërtohet një objekt i ri për shkollë në lagjen e tyre. Pra, kërkesa e këtyre familjeve gjeti përkrahje tek Nexhat Behluli nga Bujanoci, i cili organizoi gjithë ndërtimin e objektit të shkollës deri më tani, natyrisht me ndihmën e shumë donatorëve, emrat e të cilëve janë përmendur në vazhdimësi gjatë ndërtimit të objektit.
Edhe pse objekti i shkollës është me përmasa modeste, për shkak të largësisë nga qendra urbane, të mungesës së infrastrukturës, problemeve të bartjes së materialit, ndërtimi i objektit ka zgjatur rreth dy vite, dhe ende ka punë deri në përfundimin e plotë.
Megjithatë, këtë vit shkollor (2019-2020), përkatësisht në shtator të këtij viti dyert e kësaj shkolle për fëmijët e lagjes së Tahirjave u hapën. Nxënësit të gëzuar e të lumtur me çanta e libra në krahë gjetën ambientin e përshtatshëm për mësim , të cilin deri më tani nuk e kishin pasur.
Shkolla është ndërtuar në një vend mjaftë të përshtatshëm, rrëzë një kodrine e cila e mbron nga erërat e ftohta të veriut, që në këto fshatra, dimri din të jetë shumë i ashpër e me dëborë të madhe. Në të majtë të objektit rrjedh uji i ftohtë, ndërsa në të djathtë e anës së poshtme gjendet fusha mjaftë e madhe e rrafshët , e përshtatshme për fushë futbolli.
Edhe pse punët ende nuk kanë përfunduar tërësisht, për çdo ditë, tani, këtu në këtë vend, dëgjohen zhurmat, përkatësisht zëri i mësuesit Ilmi Bajrami dhe cicërimat e 4 nxënësve që vijojnë mësimin në klasë të ndryshme në këtë objekt.
Është tepër emocionuese e njëherit edhe sfiduese që në cepin më Lindor të Gollakut, në afërsi të Vrajës, me kushte mjaftë sfiduese për nxënësit e për banorët, zhvillohet mësim në gjuhën shqipe. Këtu, ku pushtetet e ndryshme antishqiptare, gjithmonë tentuan që këtë vend ta lënë pa banorët e vet, dëgjohen recitime të vjershave të Naimit, Çajupit, Agollit etj.
Në këtë shkollë janë katër nxënës: Valmir Bajrami në klasë të katërt; Albina Ramadani e Rajmond Bajrami në klasën e tretë dhe Drilon Bajrami në klasën e parë. Pra, siç shihet kjo shkollë zhvillon mësim me klasë të kombinuara me mësuesin Ilmi Bajrami. Nxënësit janë të pajisur me libra shkollor, çanta e mjete e tjera mësimore, të cilat janë donacione nga njerëzit humanitar e dashamirë të shkollës.
Mësuesi Ilmi i cili është nga kjo lagje, për çdo ditë me përpjekje e mund i mëson këta fëmijë me kënaqësinë më të madhe edhe pse klasat e kombinuara kanë vështirësitë e veta.
Ilmi Bajrami, të cilit në fytyrë i vërehet gëzimi për objektin e ri shkollor, përveç tjerash na tregon se objektin, me mjete financiare e me material ndërtimor e kanë ndihmuar Nexhat Behluli me shumë donator tjerë, ndërsa shumicën e punëve fizike i kemi bërë ne, familjet që jemi këtu e posaçërisht me të madhe është angazhuar Bekim Ramadani.
05.10.2019, Suharrën- Gjilan,