Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë është themeluar në vitin 2019 me seli qendrore në Wolfenbüttel-Gjermani si vazhdim i OMA-së (Organizatës Mjeket e së Ardhmes) themelluar në Tiranë në vitin 2006. Prioritet i Federatës është të bëjë lidhjen e Mjekëve shqiptarë në gjithë Europën dhe në SHBA;rritjen e mëtejshme akademike, shkëmbimin profesional dhe lobizmin konstruktiv në nivel evropian për gjithë shqiptarët, pavarësisht nga cilat shtete janë. Sot, në shumë vende të botës punojnë me qindra mjekë specialistë të fushave të ndryshme që me punën e tyre kanë lënë gjurmë në shkencën e mjekësisë.
SHkruan: Zejnullah Jakupi
Udhëheqëse të Federatës janë dy motrat Aurora dhe Elona Meta të cilat nuk punojnë vetëm si mjeke, por mund të konsiderohen si lidere të Diasporës dhe lobojnë gjithashtu për “Mjekësinë e të Ardhmes”. Ato janë dy intelektuale, me vizione, të afta dhe krenare për origjinën nga vijnë. Ato janë nga Shqipëria, jetojnë dhe punojnë si mjeke në Gjermani në qytetin Wolfenbüttel afër Hanoverit. Kjo është një histori suksesi e mjekeve nga Shqipëria, të cilat tani zhvillojnë karrierën profesionale në këtë Hanover nga viti 2010.
Njohja
Një javë para se të ndodhte tërmeti në Shqipëri u dakorduam të takohemi më 27 nëntor në Berlin. Por, me të marrë lajmin për gjendjen tragjike që ishte duke ndodhur, ramë dakord që të anulojmë takimin. Në vend të fjalëve duheshin veprat. Motrat Meta nisën aksionin menjëherë duke ju bërë thirrje Mjekëve në Diasporë dhe gjithë Diasporës shqiptare për të kontribuar për viktimat e tërmetit. Brenda pak orësh në linkun e shpërndarë anë e mbanë ato kishin tubuar 1000 Euro, ndërsa qëllimi ishte mbi 10.000 Euro.
Takimi i radhës u realizua përfundimisht më 1 shkurt 2020. Ato erdhën nga Hanoveri deri në Berlin. Ky ishte një takim shumë i ngrohtë, do thosha familjar, edhe pse nuk i kisha parë më parë. Në vend se unë t´i pritja si nikoqir, ato më pritën mua. U takuam aty afër në një restorant, jo larg Ambasadës së Republikës së Shqipërisë. Komunikonin bukur në gjuhën shqipe, edhe pse kishin kohë që jetonin dhe ishin integruar tashmë në shoqërinë gjermane. Kishin arritur edhe përvojë të mirë në profesion, për pak vite. Përveç që punonin si mjeke dhe fitonin mirë, nuk kënaqeshin vetëm arritjen individuale. Bisedojmë rreth paraqitjes së tyre në emisione televizive në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe në Diasporë. Të lënë pa fjalë, me komunikimin e tyre. Të japin përgjigje në mënyrë transparente – profesionale, janë të koncentruara, të afërta, e komunikuese, të përqendruara dhe me qëndrim serioz.
Gjatë bisedës i pyeta; çfarë ju shtyn të kërkoni vëmendjen e medieve dhe të kontribuoni për Diasporën shqiptare dhe vendet tona, kur ju i keni arritur të gjitha në Gjermani, keni krijuar familje, punoni dhe jeni të lumtura?
Përgjigja ishte ishte atdhedashuria. Edukata familjare, edukimi shkollor dhe tradita kulturore prej nga vinin. Rrezatonin padiktueshëm gjënë më të shtrenjtë, sinqeritetin, dashurinë për ta dashur familjen, të parët, Atdheun, për t´ja kthyer atë atij çfarë ju kishte dhënë ai ndër vite edhe pse tani punojnë larg nga Shqipëria në qytetin Wolfenbüttel afër Hanoverit. Kjo është vërtetë një histori suksesi. Në fillim themeluan organizatën “Mjekësia për të Ardhmen”, e cila funksionon prej 13 vitesh dhe kanë ndërtuar kontakte me shumë kolegë. Numri i mjekëve shqiptarë që kanë migruar në Gjermani kalon tani mbi 1000 sosh. Ndërsa ai i përgjithshëm i mjekëve shqiptarë në Evropë, sipas tyre, arrin në 3000 veta. Motra e madhe Aurora, thotë se organizimi viteve të fundit kishte evoluar dukshëm. Nga organizata e studentëve “Mjekësia për të ardhmen”, pasoi emërtimi në; ´Federata e Mjekëve Shqiptarë në Diasporë´ e cila është regjistruar në gjyq më 03.02.2020 dhe zhvillon programe shkëmbimi me studentë dhe mjekë nga Shqipëria. Aurora ka arritur gradën Dr. në medicinë dhe është mjeke specializante e familjes dhe urgjencës. Ajo thotë se s mjekët gjermanë e vlerësojnë shumë këtë profil të veçantë të mjekësisë, sipas parimit; “Sëmundja më mirë të pengohet sesa të shërohet”.
Strategjia e komunikimit me media (Public Relation)
Ato kanë njohuri të mira edhe në kontaktet sociale jo vetëm me bashkatdhetarë, me pacient shqiptarë dhe të huaj, por edhe me media dhe kanë sens për Public Relation. Ta kujtojmë legjendën Walter Lippmman në fillimin e vitit 20. Pa propagandën dhe agjitacionin e byrosë së tij, SHBA-të dhe shtetet aleate kurrë nuk do të mund ta fitonin Luftën e Dytë Botërore, në front. Sepse, beteja njëherë duhej të fitohet në opinion publik, pastaj ajo në vija të frontit. Kjo ishte ideja e Lippmann-it. Për ta bërë luftën, s´pari duhet t´i bindësh njerëzit, të kthesh vëmendjen e tyre kah vetja, kjo nuk është e lehtë. Me ketë strategji, Aurora dhe Elona, si udheheqëse të Federatës i thërrasin gazetarët, organizojnë konferencat shkencore, nëpër qytete të kryeqendrave Evropiane, për të diskutuar për problemet me të cilat përballet sot mjekësia, mjekët shqiptarë, largimi i trurit, por edhe kthimi i tij në Atdhe. Këtë diskutim ato e bëjnë edhe me koleget dhe kolegët e tyre nga këto qendra dhe të gjitha kostot i bartin vetvetiu, pavarësisht se puna e tyre është me rëndësi jetike në shërbim të gjithë kombit tonë, në dy anët e kufirit, sepse gazetarët e diasporës kanë ngelur pa përkrahje fare nga mediumet e vendeve të origjines, por as nga shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë. Si duket nuk kemi traditë për të mirëmbajtur dhe financuar mediet e forta dhe profesionale në qendrat evropiane. Raportimin nga terreni, të cilën e bëjnë gazetarët për aktivitet e ndryshme është, si të thuash, një luftë për mbijetim. Dhe, nuk e ndiejnë të gjithë krizën sociale dhe shoqërore njësojë. Aty kemi dallime humanitare të veprimit brenda llojit. Sidoqoftë, pa pasqyrimin e ngjarjeve nga mediet, siç do thoshte doeni i sociologjisë, Niklas Luhmann, ato do ngelin jashtë memories tonë historike, sikur të mos kishin ndodhur fare. Këtë slogan e kanë kuptuar motrat Meta – rëndësinë e raportimit dhe lobizmit për punë të mbara.
Krijimi i mirëbesimit mes pacientit dhe mjekëve
Nga përvojat e deritanishme motrat Meta shprehen se mërgimtarët tanë preferojnë më shumë mjekët shqiptarë se sa ata të komuniteteve tjera. Ndoshta edhe nga nostalgjia:Të kujtojmë një kohë kur nuk gjindej kund një mjek shqiptarë, as për ilaç, siç thuhet në popull. S´pari, mjeket/ët shqiptarë kanë një përparësi: Pacientët mund të komunikojnë më mirë me ta, kur vijnë nga i njëjti mjedisë kulturor dhe kjo edhe e bënë më të lehtë krijimin e mirëbesimit mes pacientit dhe mjekëve. Gjithashtu përparësia e mjekeve dhe mjekëve shqiptarë është fakti se ato/ata janë më familjar, të shoqërueshëm, e besa edhe më të besueshëm. Thënë shkurtë, ato/ata punojnë pa rezerva, i tregojnë në praktikë gjithë dijen që kanë.
Konsultimet me mjeken shqiptare nga Gjermania tani mund të bëhen edhe online, në KLINIKËN DIGJITALE. Specialistja e njohur e Mjekësisë Familjare, Urgjencës dhe Psikoterapisë Dr. Aurora Metaj- Dollenberg na rekomandon për më shumë ta vizitojmë linkun www.klinikadigjitale.ne: Shërbimet mund të merren gjithashtu edhe në Prishtinë; Adresa Rr. George Bush pn, Prishtinë, Kosovë. Cel: +38349601109. Dr. Dollenberg ofron shërbimin medicional edhe si mjeke por edhe si psikiatre. Ajo premton gjithashtu se Klinika Digjitale dhe Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë do të punojnë së bashku në ngritjen dhe përmirësimin e standardit të shërbimit shëndetësorë për pacientë dhe integrimin e mjekëve shqiptarë në Platformën Digjitale dhe do të jetë urë lidhëse mes institucioneve dhe komunitetit shqiptarë në vendet ku jetojnë ata.
Lobimi tek institucionet e BE-së
Sa i përket koordinimit më të mirë, për integrimin e Kosovës dhe të Shqipërisë në BE, Fjalë të mira për dy motrat ka edhe Prof. Dr. Fadil Çitaku Drejtor Ekzekutiv i Akademisë së Shkencës së Lidershipit në Zvicër, i cili është njohës i mirë i liderizmit. Profesori me prejardhje nga Drenica ka vite që merret me pedagogji shëndetësore dhe me kompetencat e lidershipit. Teoria e tij se, çfarë mund të bëjë një lidere që të ngris të gjitha mundësitë dhe afinitetet, përputhet me tiparet që posedojnë zonjat në fjalë. Ato kanë përgjegjësi sociale, shquhen për inovacion apo risi të cilin e sjellin në punën e tyre seminarike, e menaxhojnë projektet me sukses dhe kanë një orientim fer ndaj gjithë bashkëpunëtorëve në komunikimin e tyre me institucionet. Si të thuash, janë lidere lobiste të klasit të parë. Ato dijnë gjithashtu t´i kontrollojnë emocionet, gjatë komunikimit,siç do thoshte Andrei Bykov lobisti i njohur në librin “Lobiokracia” e autorëve Markus Balser dhe Uwe Ritzerse. “Vetëkontrolli është pjesë e parimit të biznesit. Lobisti duhet të jetë një person elokuent i zgjuar, i shpejtë mendor, dinak dhe shumë inteligjent”.
Me këtë strategji veprimi prej lobisteje Aurora dhe Elona synojnë bashkimin e forcave për një prezantim dhe përballje edhe në qarqe politike të BE-së, si një trup i koordinuar për të kërkuar më shumë dhe më bindshëm integrimin e Shqipërisë dhe të Kosovës në BE. Kjo ndërmarrje është mëse e nevojshme për shqiptarët, kudo në Evropë, sepse akoma nuk kemi lobistë dhe jemi politikisht pa zë. Deri tani nuk ka patur ndonjë iniciativë serioze, që të krijohet një institucion i tillë për të komunikuar me shtetet dhe institucionet ku shqiptarët jetojmë si komunitet, edhe pse në vitin 2016 ish-kongresisti amerikan me origjinë arbreshe DioGuardi gjatë një vizite në Berlin, kishte sugjeruar për një organizim të tillë, por që nga atëherë nuk është bërë asgjë në këtë drejtim. Siç dihet, DioGuardi tash e më shumë se tri dekada vazhdon të jetë ura më e fortë, më e sigurtë, dhe më e qëndrueshme e lidhshmërisë ndërmjet shqiptarëve dhe miqëve amerikanë! Edhe nga shqiptarët në Gjermani ka kërkuar të krijohen këto ura mes komunitetit shqiptar dhe institucioneve gjermane. Porosia e tij ishte; Ju duhet të jeni të organizuar dhe të keni kontakte me institucionet gjermane, kjo është shumë e rëndësishme për ju.
Fjalë të mira dhe angazhim në këtë drejtim ka shprehur edhe Avni Dervishi i cili është njëri ndër ekspertët dhe veprimtarët e njohur nga Suedia, i cili aktualisht është këshilltar ndërkombëtar për integrime evropiane, i angazhuar në vatra të ndryshme krizash në botë. Ai është njëri ndër tre fituesit e çmimit “Ambasador i Kombit”, të ndarë nga ministri i diasporës i Shqipërisë në kuadrin e Samitit të Dytë të Diasporës që u mbajt në Tiranë vitin e kaluar.
“Një lobizëm aktiv i tillë me personalitete të njohura do ishte një ndihmes e madhe për Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë të cilat janë shtet të ngelura pa u bërë anëtare të BE-së, madje Kosova nuk ka ende as liberalizim të vizave, është e izoluar fare“, ka thënë z. Dervishi. Sipas tij, këto shtete duhet të shfrytëzojnë ekspertizën e diasporës pra, edhe të lidereve, për të lobuar tek institucionet e BE-së. Dhe, vetëm në mënyrë më artikulueshme, të organizuar, mund të shtrohen çështjet dhe kërkesat tona aty ku kërkohet zëri politik edhe për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së.
Edhe Dieter Plewe, njohës i mirë i lobizmit, thotë se “Lobistët në gjithë botën përpiqen të ndikojnë në ekzekutivin, legjislaturën dhe organet e tjera zyrtare kryesisht duke mbajtur lidhje personale me krerët e institucioneve. Një lobim i tillë edhe në interesin tonë kombëtar do ndikojë gjithashtu në opinionin publik përmes marrëdhënieve me publikun dhe në vendimmarrje politike. Autori në fjalë sjellë një shembull lidhur me sipërmarrësit e hoteleve të cilët kishin dhuruar miliona në fushatën zgjedhore federale për dy parti në Gjermani, të cilat shpejt u bashkuan në nivelin federal. Menjëherë pas zgjedhjeve të Bundestag-ut, qeveria e re vendos të ulë normën e TVSH-së për biznesin kryesor të donatorëve. Sipas statistikave rreth 5.000 lobistë të huaj punojnë në Berlin, dhe deri në 25,000 supozohet të jenë aktiv në Bruksel. Aktorët më të fortë janë nga sektori financiar të cilët edhe paraqesin interesat e sektorit privat tek institucionet politike në Bruksel.
Lidhur me ndikimin e grupeve të interesit në politikë vlenë të përmendet gjithashtu argumenti më i fundit në lidhje me marrëveshjen transatlantike të tregtisë së lirë TTIP, midis Shteteve të Bashkuara dhe BE-së. Shtrohej pyetja; në çfarë mase elementët miqësorë të industrisë, siç ishte krijimi i gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit privat për këtë dhe marrëveshje të ngjashme, do të minonin demokracinë në Gjermani dhe vendet e tjera anëtare të BE, por edhe vetë SHBA-në? Sa i përkëtë lobizmit shqiptarë tek institucionet e BE-së, por edhe në shtetet tjera si në Britani të Madhe, në SHBA etj, nuk duhet të mungoj gjithsesi përkrahja institucionale nga Kosova dhe Shqiperia, nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, të cilat do të duhej të kenë vazhdimisht konsulltime me Federatën e Mjekëve Shqiptarë dhe të inkuadrojnë ata si përfaqësues lobist. Natyrisht Federata do bëjë edhe kontaktet dhe presionin e vet nga ana e saj si shoqatë e pavarur. Ajo do jet një lloj- urë lidhëse mes institucioneve të dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë dhe institucioneve të BE-së, për të ofruar ekspertizën e saj kur kërkohet, thekësojnë zonjat Meta. Federata është e gatshme të jap kontributin e saj të pazëvendsueshëm në këtë drejtim.
Përmbyllje
Mesazhi i tyre për Diasporën i shpërndarë anekënd, është ky; duhet të bashkëpunojmë mes veti, t´i ndihmojmë njëri-tjetrit, të veprojmë në mënyrë unike dhe të organizuar. Nga ky takim fituam një përvojë të mirë, njoha me dy intelektuale të nivelit evropian, por që flisnin gjuhën shqipe. Nuk ishin vetëm mjeke dhe psikologe, komunikuese të mira dhe të sinqerta e mikpritëse, por edhe lidere, të pajisura me kompetencë sociale. As paraja dhe jeta e mirë në Gjermani, as kushtet jetësore nuk i kishin bërë kryelarta, por ishin krenare për punën e tyre, vetëbesimin dinjitoz për imazhin që kanë ndërtuar përplot dashuri edhe me bashkëshortët e tyre gjermanë. Gjithashtu, sensi i tyre në menaxhimin e punëve, organizimin e konferencave shkencore, të cilën e bënin me kompetencë evidentuese, vërehej gjithandej. Për secilën punë i bënin edhe përllogaritjet e mbulimin e shpenzimeve të tyre. Janë të afta gjithashtu të japin përkrahje në kërkesa për konsultime lidhur me punimet shkencore se si ta bëjmë një punim të mirë me metoda analitike. U ndamë me përshtypjet të mira dhe me dëshirë që të takohem përsëri. Federata vërtetë ka në krye, dy yje, të cilët do të bëjnë dritë gjerë e gjatë, në gjithë diasporën dhe do lenë pas vetes një shkëlqim të mirë për gjithë ne.
______
Agjenda e Konferencave shkencore për vitin 2020: Takimi i radhës do jetë në Amsterdam më 08.03.2020 ku do referojnë; Elona Haubrich, Aurora Dollenberg, Olta Gishti, Najada Stringa, Ilda Fouquet, Juna Luzi, Bruna Dhamo, Besjana Hoxha dhe Arber Morina. Ndërsa pas Konferencës në Amsterdamit vjen ajo e Parisit e cila do mbahet më 25.04.2020, pastaj ajo në Bruksel, në Malmo 23.05.2020, në Bruksel 25.06.2020, në Londër 27.08.2020 dhe e fundit në Zvicër më 26.09.2020.