Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Federatën e Basketbollit të Kosovës me ç’rast është pritur nga kryetari i kësaj federate, Arben Fetahu.
Gjatë kësaj vizite ministri Gashi dhe kryetari Fetahu nënshkruan një memorandum bashkëpunimi. Sipas memorandumit të nënshkruar, Federata mbështetet nga Ministria me 248 mijë e 472 euro.
Qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është mbështetja financiare e Federatës së Basketbollit në realizimin e synimeve dhe objektivave të saj për periudhën janar-dhjetor 2019, duke zbatuar politikat programore të Ministrisë në fushën e sportit dhe në pajtim me dispozitat e Ligjit për Sport dhe akteve tjera nënligjore të përcaktuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Konkretisht, Federata e Basketbollit të Kosovës, mjetet financiare të pranuara do t’i shfrytëzojë për realizimin e politikave programore për avancimin e sportit femëror, avancimin e sportit cilësor, për mjekësinë sportive, për zhvillimin e aktiviteteve sportive të karakterit ndërkombëtar brenda dhe jashtë vendit, për aktivitetet për minoritetet dhe sportin multietnik, për personat me aftësi të kufizuara, etj.