Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë përmes një komunikate ka shprehur opinionet për përpjekjet për formimin e një tribunali, që do të merrej me krimet e luftës të UÇK-së, duke u pozicionuar kundër formimit të tij jashtë Kosovës dhe kundër përcaktimeve që ai të merrej vetëm me krimet e luftës të UÇK-së.
Po e sjellim në vazhdim komunikatën e plotë:
“FDH Kosovë, si njëra nga organizatat që monitoron gjykimet për krime të luftës në Kosovë, vite më parë iu ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës për domosdoshmërinë e themelimit të gjykatës speciale për krime të luftës, ku gjykatësit dhe prokurorët vendorë do të duhej të merrnin një rol udhëheqës në procedimin e lëndëve për krime të luftës.
FDH Kosovë, po ashtu, ka bërë thirrje që të implementohet ligji për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe ka reaguar në rastet kur dëshmitarëve të mundshëm në proceset gjyqësore për krime të luftës iu është rrezikuar siguria.
Për shkak të mungesës së ofrimit të sigurisë, dëshmitarët, në shumë raste, kanë qenë të frikësuar dhe kanë hezituar të japin dëshmitë e tyre në seancat gjyqësore dhe, për më tepër, ka pasur raste kur edhe i kanë ndryshuar deklaratat e dhëna paraprakisht. Në datën 13.06.2013, FDH Kosovë ka bërë thirrje që të ndërpritet presioni publik ndaj EULEX-it kur prokurori i EULEX-it kishte ngritur aktakuzë ndaj komandantëve të UÇK-së.
Kjo situatë dhe dështimet e gjyqësorit mund të jenë shkak për inicimin e idesë së themelimit të një tribunali, që do të merrej me ndjekjen penale të krimeve të kryera nga ish pjesëtarët e UÇK-së. Ky tribunal mendohet të jetë i vendosur jashtë Kosovës, me mundësinë e hapjes së një zyreje administrative në Prishtinë.
Qëndrimi i FDH Kosovë ne lidhje me këtë çështje është se një tribunal i tillë është i papranueshëm.
Fillimisht, nuk do duhej të themelohej një gjykatë ose tribunal, që do të procedonte krimet e luftës në mënyrë selektive, respektivisht krimet e vetëm njërës palë në konflikt. Vetëm një gjykatë, e cila do procedonte lëndët për krime të luftës pa marrë parasysh se kush janë kryerësit e krimeve dhe kush janë viktimat, do të ndihmonte në nxjerrjen e të vërtetës dhe përmbushjen e drejtësisë ndaj viktimave.
Nëse qëllimi i krijimit të tribunalit jashtë Kosovës është që dëshmitarëve të mundshëm t’iu ofrohet mbrojtje më e mirë në proceset për krime të luftës, atëherë Tribunali Ndërkombëtar për ish Jugosllavi (TPNJ) është shembull se një tribunal i tillë nuk mundet në mënyrë efektive t’iu ofrojë mbrojtje dhe t’i motivojë dëshmitarët të japin dëshminë e tyre. Në shumë raste, dëshmitarët nga Kosova kanë hequr dorë nga dhënia e dëshmisë para TPNJ, madje edhe në rastet kur janë sanksionuar për këtë veprim. Prandaj, mbrojtja e dëshmitarëve nuk mund të shërbejë si arsyetim për krijimin e tribunalit jashtë Kosovës.
Një argument tjetër kundër tribunalit për krime lufte jashtë Kosovës është se një tribunal i tillë nuk do arrijë efektin e duhur në shoqërinë kosovare. Ai tribunal do perceptohej nga publiku në Kosovë si një tribunal politik dhe i drejtuar kundër UÇK-së e jo si një gjykatë që ka për qëllim vënien e drejtësisë në vend.
Argumenti kryesor kundër këtij tribunali është se Kosovës i duhet të ndërtojë mekanizma dhe kapacitete që vetë të ballafaqohet me krimet e luftës. Nëse krijohet tribunali jashtë Kosovës, atëherë gjyqësori Kosovar nuk do të ndihet i obliguar për shqyrtimin e rasteve te krimeve të luftës që, si rrjedhojë do të kishte dështimin e Kosovës në ballafaqimin me të kaluarën.
Duke marrë parasysh numrin e madh të viktimave civile të luftës, rreth 9800 viktima civile, Kosovës do t’i duhen së paku edhe 3-4 dekada që të procedojë lëndët për krime të luftës, dhe sigurisht se tribunali nuk do jetë në gjendje që të funksionoje për një periudhë kaq të gjatë.
FDH Kosovë edhe një herë bën thirrje që të krijohet Gjykata Speciale për Krime të Luftës në Kosovë, që do funksiononte me trupa gjykues të përberë nga gjykatës ndërkombëtarë dhe vendor. Është thelbësore që të bëhet ngritja e kapaciteteve të gjykatësve vendor, të cilët në të ardhmen do të marrin rolin udhëheqës në shqyrtimet e lëndëve për krime të luftës. Në të njëjtën kohë, FDH Kosovë iu bën thirrje institucioneve kosovare që në tërësi të zbatojnë ligjin për mbrojtjen e dëshmitarëve, ndërkaq nga vendet e BE-së dhe nga SHBA-të kërkon që të ofrojnë ndihmën e tyre në zbatimin e programeve të mbrojtës së dëshmitarëve.
Vetëm në këtë mënyrë ekzistojnë gjasat që Kosova të zbatojë mekanizmat e drejtësisë tranzicionalne në mënyrë adekuate. Me qëllim të efikasitetit më të madh në procedimin e krimeve të luftës është i domosdoshëm bashkëpunimi zyrtar në mes të autoriteteve gjyqësore të Kosovës dhe Serbisë. Kjo temë duhet të futet ne dialogun në mes të Prishtinës dhe Beogradit”, përfundon komunikata.