Fitorja e sotme e Dritës ndaj Llapit dhe barazimi i Ballkanit me Prishtinën, bënë që të shtohet diferenca në mes të vendit të parë, ku është e pozicionuar skuadra gjilanase dhe të dytit, ku ndodhet skuadra nga Suhareka.
Me këtë fitore FC Drita i ka bërë 66 pikë, e Ballkani që barazoi, tani mbetet me 63 pikë. Rikujtojmë se në fundjavë do të ballafaqohen pikërisht këto dy skuadrat, pra Drita-Ballkani, në një ndeshje që mund të vendosë gjithçka sa i përket titullit të kampionit në këtë edicion.
Përndryshe, kur jemi te takimet e sotme të javës së 32-të të Albi Mall Superligës së Kosovës në futboll u zhvilluan këto takime dhe u arritën këto rezultate.
Llapi – Drita 0:2
Ballkani – Prishtina 1:1
Te ballafaqimi i parë, gjilanasit shënuan fitore me golat e Blend Baftiut dhe Raddy Ovouka. Përndryshe, llapjanët e huqen një penallti.
Ndërsa, Ballkani që po e ndjek Dritën pas, ka mundur ta humb krejt lojën pasi barazimin e ka arritur në minutat shtesë. Leotrim Kryeziu shënoi për Prishtinën e barazoi, Albion Rrahmani.
Përndryshe, edhe skuadra tjetër gjilanase, SC Gjilani është e pozicionuar mirë, ndodhet në pozitën e tretë, që e dërgon në Evropë, por poashtu është edhe finaliste e kupës së Kosovës.
Mund të ndodh që në këtë vit, Qyteti i Gjilanit, që është pa stadium (e përdor atë ndihmës me bari sintetikë), ta ketë edhe kampionin e edicionit edhe fituesin e kupës. Mbetet të shihet saktësisht pas edhe këtyre katër xhirove sa kanë mbetur deri në fund të kampionatit. /2LONLINE/
.