Në takimin e zhvilluar me të rinjtë e Kamenicës, kandidati i AAK-së për kryetar të kësaj komune Faton Jakupi, ka prezantuar vizionin e tij për çështje të ndryshme që ndërlidhen me këtë kategori, nga programi voluminoz për qeverisjen e ardhshme komunale.
“Programi i AAK-së është i harmonizuar deri në detaje dhe parasheh që për të rinjtë të ketë kujdes të veçantë. Në qeverisjen e ardhshme të AAK-së do të trajtohet seriozisht begatimi i jetës kulturore e sportive duke krijuar ambiente të përshtatshme për zhvillimin e aktiviteteve”, u ka thënë të rinjve Faton Jakupi.
Ai ka folur edhe për vështirësi të shumta me të cilat përballen të rinjtë e komunës së Kamenicës, duke konstatuar se terrenet e futbollit në vet qytetin e Kamenicës, sikurse edhe ato në Koretin, Hogosht e Karaçevë, si dhe palestra e sporteve në qytet, kanë qenë të anashkaluar nga mbështetja institucionale, ashtu siç ka qenë i anashkaluar edhe Klubi i Atletikës “Rogana”, përkundër prestigjit që i ka sjellë komunës sonë në rrafshin kombëtarë dhe Kosovës në rrafshin ndërkombëtarë.
“Ne kemi mundësi të bëjmë dhe do të bëjmë shumë më shumë për ju nëse qeverisim me komunën e Kamenicës”,ka shtuar më pas Jakupi.
Gjendjen e të rinjve në Kamenicë ai e ka vlerësuar shumë të rënduar si pasojë e së cilës ka thënë se kjo kategori janë të detyruar që një pjesë të kohës së tyre ta kalojnë në qendra tjera, si Gjilan e gjetiu.
Një fjalë rasti ka mbajtur edhe kryetari i të rinjve të AAK-së Mervan Isufi, i cili ka vënë në spikamë projektet e premtuara gjatë qeverisjeve të kaluara për këtë kategori, të cilat sipas tij, asnjëherë nuk janë realizuar.
“Vetëm me qeverisjen e AAK-së në Kamenicë, ato projekte mund të jetësohen në praktikë”, është shprehur Isufi para të rinjve prezentë, të cilët, nuk kanë hezituar të interesohen për çështje të ndryshme që ndërlidhen me interesat e tyre gjatë qeverisjes së ardhshme komunale.
sponsorizuar