NISMA Socialdemokrate sot ka mbajtur Kuvendin e II-të Zgjedhor, ku delegatët e shumtë në nivel vendi kanë rizgjedhur për kryetar të partisë, Fatmir Limaj.
Në këtë Kuvend të –II-të Zgjedhor janë zgjedhur edhe trupat e reja drejtuese, fillimisht Këshilli Kombëtar, anëtarët e të cilit më pas kanë zgjedhur edhe kryesinë e Nismës Socialdemokrate.
Limaj pasi u rizgjodh në krye të Nismës Socialdemokrate, ka falënderuar të gjithë delegatët e pranishëm për besimin e dhënë përmes votës, si dhe u ka shprehur atyre gjithë gatishmërinë e bashkëpunimit për të fuqizuar partinë dhe për të punuar fuqishëm në interes të vendit dhe qytetarëve tanë.
Ai tha se NISMA që nga themelimi është angazhuar në funksion të jetësimit të punëve të mira për vendin dhe qytetarët dhe ne kemi nderin e kënaqësinë që ideologu i gjithë këtyre punëve të mira është baca Jakup Krasniqi, që padrejtësisht sot ndodhet në Hagë, ku si një çlirimtar i madh po mbron luftën tonë çlirimtare.
Gjithashtu, Limaj tha se do të angazhohemi bashkë në funksion të promovimit dhe mbrojtjes së vlerave tona kombëtare, vlerave demokratike, respektimit të diversitetit kulturor dhe etnik, si dhe në mbështetje të kategorive që kanë nevojë për zërin tonë socialdemokrat.
NISMA është thellësisht e vendosur që mos të lejojë askënd të provojë të njollosë e të cenoj të kaluarën e historinë tonë të lavdishme me të cilën krenohemi si vend, ka thënë kryetari Limaj.
Po ashtu, Limaj, ka thënë se NISMA do të punojë shumë ne promovimin e politikave bashkëpunuese me vendet e rajonit, sepse vetëm respektimi i interesave të ndërsjellë mes palëve është parakusht për paqe në rajonin tonë. Mbi të gjitha, marrëdhëniet me Shqipërinë duhet të thellohen edhe më tej dhe pa asnjë rezervë apo paragjykim, dhe në asnjë mënyrë mos të lejojmë që marrëdhëniet me shtetin amë të varen nga individët sepse ato janë marrëdhënie gjaku, vlere, identiteti e krenarie.
NISMA do jetë e përkushtuar në rrugëtimin e integrimit euroatlantik të Kosovës, që marrëdhëniet me ShBA-të të kalojnë në një nivel tjetër të zgjerimit dhe bashkëpunimit bilateral, veçmas në fushën e sigurisë kombëtare. NISMA është që sa më parë të mbyllen çështjet e hapura me Serbinë dhe kjo mund të bëhet vetëm përmes njohjes reciproke, ka thënë kryetari Limaj.
Gjithashtu, në punimet e këtij Kuvendi Zgjedhor, para delegatëve një raport të punës e ka paraqitur sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, i cili ka folur për gjithë angazhimet e partisë gjatë këtyre viteve, qoftë në Parlament, Qeveri, apo edhe si opozitë.
Gjithashtu, sekretari Sherifi ka thënë se strukturat e reja të zgjedhura përmes Kuvendeve Zgjedhore nëpër degët e Nismës Socialdemokrate, kanë një mundësi të mirë për tu angazhuar dhe përmes zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë vit, të jenë sa më pranë së shërbyeri qytetarëve. Po ashtu, sekretari Sherifi duke folur për procesin e fundit zgjedhor ka falënderuar mbi 22 mijë votuesit që i kanë qëndruar besnik Nismës Socialdemokrate.
Në fund të punimeve të këtij kuvendi, të gjithë delegatët e pranishëm unanimisht kanë miratuar edhe Deklaratën Politike të Kuvendit të II-të Zgjedhor të Nismës Socialdemokrate.