Gjendja reale politike, ekonomike dhe sociale në Kosovë
Është më se urgjente që politikanët në Kosovë të vetëdijesohen dhe të mos harrojnë se e mbajnë përgjegjësi të plotë për bllokimin e krijimit të institucioneve të reja Qeveritare. Apeloj tek të gjithë Deputetët e sapozgjedhur në Kuvendin e Kosovës të zgjedhin sa më shpejt institucionet e reja Qeveritare dhe të mos veprojnë sipas interesave të tyre personale apo partiake.
Faton Kurti
Kosova ka humbur mjaft kohë në këto katër vitet e fundit me Qeverisjen Mustafa, duke mos treguar fare aftësi dhe vizion për të drejtuar vendin drejt zhvillimit ekonomik, social dhe duke futur vendin në një krizë të thellë politike dhe ekonomike.
Qytetarët e Kosovës kanë kuptuar dhe kuptojnë çdo ditë dhe më mirë se janë viktima të politikave të gabuara, gabim, i cili po e largon çdo ditë dhe më shumë Kosovën drejt rrugës së saj për një zhvillim ekonomik dhe integrimit Evropian.
Nga Qeveria e re pritet vizion dhe aftësi profesionale për ti mundësuar Kosovës një zhvillim ekonomik dhe integrim të shpejtë në EU.
Më këtë trend të rritjes ekonomike me një mesatare prej rreth 3 – 4 % në vit (që qeveria Mustafa e quajti sukses), Kosovës do ti duhen rreth 30 vite për ta arritur një standard ekonomik si ai i Kroacisë dhe 100 vite si ai i Gjermanisë. Nuk duhet harruar se gjatë këtyre 4 viteve Kosova ka patur 4 % rritje të Inflacionit (rritje të çmimeve të produkteve bazë) duke patur këtë parasysh nuk kemi patur fare rritje ekonomike.
Kosova ka shumë resurse me të cilat do të mund të zhvillohej Ekonomia, duke filluar nga burimet njerëzore, natyrore, sektori i energjetikës, turizmit dhe në veçanti Agro-industria. Kosovës i duhet një konsensus nacional sa i përket projekteve të mëdha strategjike siç është: industria e Energjetikes (Burimet e Energjisë Alternative), investimet në fushën e Agro-Industrisë (krijimi i Fondit Agro-industrial), industria e Riciklimit (ruajtja e Ambientit), industria e Turizmit dhe taksa e sheshtë (fikse) në mënyrë që Kosova të bëhet një treg konkurrent për ti inkurajuar investitorët e jashtëm, që të investojnë në Kosovë. Të gjitha këto e bëjnë Kosovën një vend me potenciale të jashtëzakonshme zhvillimore.
Si të luftohet papunësia alarmate në Kosovë?
Për momentin më se gjysma e popullsisë në Kosovë është e papunë, në anën tjetër edhe ata që punojnë, shumica e tyre mezi sigurojnë mbijetesën dhe nuk gëzojnë as të drejta minimale. Si rezultat i papunësisë, 45% e popullit të Kosovës jeton në varfëri, ndërsa 18% jeton në varfëri ekstreme – me më pak se 0.90 cent në ditë.
Kjo gjendje e rëndë ndikon në tregun e punës e veçanërisht në marrëdhënien në mes të kërkesës dhe ofertës, andaj, programet e rregullimeve strukturore të ekonomisë, përmes privatizimit të egër e kanë rënduar edhe më shumë situatën e punëtorëve në Kosovë, si në aspektin e realizimit dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre, ashtu edhe në kushtet e tregut të punës.
Derisa qytetarët e Kosovës; rinia dhe fuqia punëtore e intelektuale po i braktisin dëshpërueshëm vendin e tyre për mbijetesë, këto resurse njerëzore do ti mungojnë vetë Kosovës një ditë jo të largët nëse nuk ngadalësohen këto ritme.
Resurset njerëzore me një çmim shumë të ulët pune e bënë Kosovën një ndër vendet më atraktive për zhvillimin e industrive të vogla që mund të prodhojnë për Evropën perëndimore dhe sidomos për shtetin Gjerman ku forca punëtore atje kushtojnë 20fishin e forcës punëtore në Kosovë.
Këtë mund ta ndihmojë edhe një reformë profesionale në Arsim dhe pa kompromis që është më shumë se e domosdoshme.
Resurset e Mësuesve dhe Pedagogëve profesionistë me eksperiencë të gjatë dhe të vlefshme kane dalë në pension para kohe, një pjesë tjetër për shkak të presioneve politike dhe të ardhurave minimale emigruan, kurse vendin e tyre e morën të paaftët dhe të pakualifikuarit të cilët i japin goditjen shkatërrimtare arsimit të Kosovës.
Sot profesorët ligjërojnë nëpër klasat boshe, kurse studentët tymosen dhe pinë kafe nëpër kafenetë e Universiteteve. Në fund çdo studentë merr Diplomën se e ka paguar me para në dorë.
Në degradimin e Arsimit mbajmë përgjegjësi absolute të gjithë neve pa asnjë dallim politik. Urgjentisht duhen potenciale të reja të Mësuesve dhe Pedagogëve profesionistë me eksperience të gjatë dhe të vlefshme. Duhet te potencojmë arsimin profesional dhe ti arsimojmë të rinjtë sipas nevojave të tregut.
Kosova në BE
Synimi dhe qëllimi i një Kosovë në BE dhe në NATO , por kjo nuk mund të arrihet në të ardhmen e afërt pa një Qeverisje dinjitoze duke sunduar ligjin, luftimin e kontrabandës dhe korrupsionit, raporte të mira ndër-fqinjësore, reformën ekonomike dhe fiskale etj.
Kriteret për tu anëtarësuar një vend i ri në BE, janë tejet të vështira sepse duhet kaluar nëpër shumë shkallë, siç janë: demokracia dhe sundimi i ligjit, ofrimi i shërbimeve publike, administrata publike transparente dhe llogaridhënëse dhe vazhdimi i reformave të vetëqeverisjes, respektimi dhe toleranca ndërmjet komuniteteve, luftimi i korrupsionit dhe i krimit të organizuar, krijimi i kushteve të favorshme për investim, tregti, punësim dhe zhvillim ekonomik. Si dhe studimi i fizibilitetit, negociatat e stabilizim asocimit, marrëveshja e stabilizim asocimit, zbatimi i marrëveshjeve së stabilizim asocimit, aplikimi për anëtarësim, opinioni për Komision Evropian, negociatat e anëtarësimit dhe në fund anëtarësimi i plotë i një vendi.
Për të kaluar gjitha këto faza drejtë procesit integrues, Kosovës i nevojitët një Qeveri e re me përkushtueshmëri shumë të madhe. BE-ja e bëri një të padrejtë të madhe Kosovës, duke ja bërë Serbisë Liberalizimin e Vizave dhe shpalljen e saj për vend Kandidat por duke e lënë Kosovën anash.
Ndaj në këtë fushë shahu ku gurët lëvizin me shpejtësi duhet të pozicionohemi ndryshe duke njohur dobësitë tona dhe marrë përgjegjësitë mbi to dhe duke ideuar strategji fituese për një Kosovë të së ardhmes.
Faton Kurti është Kryetar i Republikanëve të Kosovës – REK