KMDLNj, thirrje deputetëve ta mbajnë seancën konstitutive pa e kushtëzuar njëri-tjetrin

KMDLNj, thirrje deputetëve ta mbajnë seancën konstitutive pa e kushtëzuar njëri-tjetrin

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) u ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit që ta mbajnë seancën konstitutive pa e kushtëzuar njëri-tjetrin.

Ja komunikata e plotë e KMDLNj-së:

-Deputetë të Kuvendit të Kosovës, mbajeni seancën konstituive pa e kushtëzuar njeri-tjetrin!

Edhe sot dështoi mbajtja e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës në mungesë të numrit të deputetëve për të siguruar kuorumin shkaku se në sallë nuk ishin deputetët e PAN-it, të pakicave por edhe një numër i deputetëve të LV dhe LAA. Kryesuesi i përkohshëm i Kuvendit, z. Adem Mikullovci, si deputeti më i moshuar po vazhdon të drejtojë përpjekjet e themelimit të Kuvendit përmes zgjedhjeve të kryetarit, zëvendëskryetarëve dhe kryesisë në mënyrë që të komletohet dhe funksionalizohet Kuvendi i Kosovës, si parakusht që të vazhdohet me zgjedhjen e kryeministrit dhe qeverisë së Kosovës.

KMDLNj ka mirëkuptim për z. Mikullovci për gabimet që i bënë gjatë udhëheqjes së seancave të Kuvendit e të cilat nuk janë aspak përcaktuese për zgjedhjen apo moszgjedhjen e organeve udhëheqëse të Kuvendit të Kosovës mirëpo, kryesuesi i seancës, z. Mikullovci nuk ka të drejtë ta vazhdojë punën e Kuvendit pa u siguruar kuorumi i nevojshëm për vazhdimin e seancës konstituive aq më tepër në një seancë që nuk e ka as kuorumin nuk mund t’ua japë fjalën askujt të flasë në një seancë jo të rregullt dhe në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit të Kosovës siç ndodhi me datën 10 gusht 2017.

Pas pauzës prej 15 minutave që u shfrytëzua për sigurimin e kuorumit e i cili nuk u sigurua, seanca e Kuvendit është dashur të mbyllet menjëherë, pa të drejtë polemike a debati dhe me një njoftim të shkurtër të kryesuesit për veprimet e ardhshme.

KMDLNj konsideron se nuk ka vullnet politik serioz për tejkalimin e situatës bllokuese shkaku se është krijuar një mjedis ku shantazhimi është bërë një mjet legal, si për kundërshtimin e kandidatit për kryetar të Kuvendit që po e bënë opozita ashtu edhe për përpjekjet e sigurimit të votave përmes shantazhit, gjithashtu. Dihet shumë mirë se kush ka të drejtë ta propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit dhe kjo nuk mund të kontestohet nga askush sepse Kushtetuta e ka interpretuar këtë të drejtë në favor të koalicionit parazgjedhor apo subjektit me më shumë vota dhe kjo është e pandryshueshme deri sa e kemi këtë Kushtetuta në fuqi.

Opozita nuk ka të drejtë ta caktojë emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit pozitës sikur ta kushtëzojë votimin me emra të përveçëm që i pëlqejnë opozitës. Gjithashtu, as pozita nuk do të kishte të drejtë ta caktojë emrin për kryeministër eventual nga radhët e opozitës apo ta kushtëzojë votimin me dhënien apo mosdhënien e votës për një kandidat.

Në rastin konkret, opozita nuk ka të drejtë ta kushtëzojë votimin duke e kundërshtuar Kadri Veselin sikur që as pozita nuk do të kishte të drejtë ta kushtëzonte votën kundër Albin Kurtit apo Avdullah Hotit si kandidatë të mundshëm për post të kryeministrit. Sigurisht se PAN, në rrethana të kushtëzimit dhe shantazhit për emrin e propozuar nuk do të marrë pjesë në punën e seancës konstituive sepse këtë të drejtë ia njeh Kushtetuta prandaj është krijuar një situatë bllokuese ku njëra palë e akuzon të tjetrën për bllokim të seancës.

Realisht PAN nuk e ka bërë publik emrin e kandidatit për kryetar të Kuvendit në seancë kurse LV dhe LAA përmes kushtëzimit për mosvotim të Kadri Veselit po e bllokojnë punën e seancës konstituive të Kuvendit duke e fajësuar PAN-in se nuk i ka numrat e nevojshëm.

Kemi një situatë jonormale kur PAN-i deri më tani nuk i ka siguruar numrat por e kemi një situatë edhe më jonormale kur LV dhe LAA që po deklarohen si shumicë parlamentare nuk po janë në gjendje t’i sigurojnë numrat as për sigurimin e kuorumit të domosdoshëm për mbajtjen e seancave.

Sot i kishin vetëm 53 numra. Subjektet politike janë të pasinqerta sepse po i fshehin qëllimet e vërteta përmes akuzimit të njëra-tjetrës për bllokim e ai është se duan të shkojnë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Do të ishte shumë më e pranueshme që të mbahet seanca e pakushtëzuar nga askush dhe me asgjë, të zgjidhen organet drejtuese të Kuvendit dhe pastaj, me një marrëveshje politike të caktohet data e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ose, presidenti i Kosovës duhet të marrë një vendim për zgjedhje të jashtëzakonshme.

Tjetër mundësi mbetet një“sakrificë” e ndonjë subjekti politik apo grupi të deputetëve që të kontribuojnë për zhbllokimin e situatës duke votuar për drejtuesit e Kuvendit e pastaj për qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin pavarësisht se kush do të ishte ai apo ajo. Është shumë e pamoralshme nga deputetët që menjëherë pasi u certifikuan (me ç’rast iu aktivizuan llogaritë e tyre bankare që marrin mjetet nga Kuvendi në emër të pagave) tash të luajnë një rol bllokues që dëmtojnë rëndë interesat e qytetarëve të Kosovës dhe shtetit të Kosovës por jo edhe xhepat e deputetëve.

ër këtë arsye KMDLNj ka propozuar dhe propozon që deputetët e Kuvendit të Kosovës të mos kompensohen për punën e dëmshme që janë duke e bërë siç është bllokimi dhe paralizimi i jetës institucionale të Kosovës.

Në këtë kontekst për KMDLNj është i papranueshëm fakti që përmes emërimit në poste ministrore që mbetën të zbrazura, të emëruarit që mund të jenë në atë poste ndoshta jo më tepër se një muaj, të kompensohen edhe një vit të plotë pas përfundimit të mandatit që është keqpërdorim flagrant i Buxhetit të Kosovës dhe një klientelizëm konkret në baza partiake dhe politike. Të emëruarit në këto poste duhet të kompensohen vetëm aq kohë sa edhe do të jenë të angazhuar dhe as edhe një minutë më tepër!

KMDLNj thërret deputetët e Kuvendit të Kosovës t’i kthehen mandatit që e kanë fituar nga qytetari e ai është angazhimi për funksionalizimin e institucioneve të Kosovës e jo bllokimin që po e përdorin si mjet shantazhi, për arritjen e qëllimeve politike.

Ky veprim përveç se është i pamoralshëm dhe i dëmshëm për qytetarët dhe shtetin e Kosovës, do të duhej të ishte edhe i dënueshëm me ligjet në fuqi! A jemi për koalicione, parti dhe deputetë që i shërbejnë qytetarit dhe shtetit apo për grupime kaçakësh dhe cuba që e plaçkitin qytetarin dhe e dhunojnë shtetin!

[pro_ad_display_adzone id=35749]

KOMENTE