Xhelili: Rritje e trefishtë e përkrahjes për Republikanët në Gjilan

Xhelili: Rritje e trefishtë e përkrahjes për Republikanët në Gjilan

“Republikanët kanë trefishuar përkrahjen në Gjilan, krahasuar me vitet paraprake dhe se ky subjekt politik, po e gjen mbështetjen sidomos nga të rinjtë.

Përkrahja nga të rinjtë është dëshmia më e mirë se ata janë në rrugë të mbarë që të jenë përfaqësues të një gjenerate të re, me synime dhe ide të përbashkëta për të qenë ndryshimi në Gjilan, por edhe në mbarë vendin.

Kështu është shprehur Selver Xhelili, Nënkryetar i Partisë, Republikanët e Kosovës, REK, njëherësh, Kryetar i Degës në Gjilan, sipas të cilit, këtë përkrahje dhe këtë rritje të përkrahjes për Republikanët në Gjilan, e ka parë edhe këto ditë në aktivitetet e fushatës zgjedhore, pjesë e të cilës është edhe REK-u, si pjesë e koalicionit Fillimi i Ri”.

Xhelili theksoi se Republikanët janë në koalicion me PDK-në, AAK dhe NISMA dhe të gjitha nëndegët në nivel vendi janë në bashkëpunim me shtabet e subjekteve të tjera, pjesë e koalicionit, duke qenë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet që po mbahen në kuadër të fushatës për zgjedhje te 11 qershorit.

Duke iu referuar të rinjve që po i mbështetin në këto zgjedhje, Xhelili tha se votuesit e rinj bëjnë që vizioni i Republikanëve të koncentrohet në ndryshime të menjëhershme për gjeneratën e re, duke krijuar program me perspektivë të qartë për ta.

“Këtë vit kemi rritje trefish më të madhe të mbështetësve se në zgjedhjet e mëhershme, shihet që ka rritje të votës dhe këtë republikanë do ta përkthejnë në besim për ta. Gjeneratat e reja kanë vizione dhe synime të tjera, prandaj shohin se Republikanët janë alternative e vetme dhe bashkë me ta, përbëjmë një potencial të madh për ndryshimin”, ka thënë Xhelili.

Nënkryetari i Republikanëve dhe kryetar dege, Selver Xhelili, tha se ky koalicion ka frymë pro-evropiane, pro-amerikane prandaj me partnerët kanë gjetur pika të përbashkëta në programe dhe larg influencave nga jashtë, (asaj ruse), në politikë-bërjen e tyre.

Sipas tij, ky koalicion ka qasjen që i duhet Kosovës, bashkëpunim me partnerët evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbështetjen e popullit për një të ardhme euroatlantike.

Ndryshe, Xhelili ka thënë se në listën e koalicionit nuk kanë kandidatë por se beson në fitore dhe se me fitore të koalicionit republikanët do të marrin përgjegjësinë dhe do të jenë pjesë e qeverisë.

Ai nuk lë pa përmendur as zgjedhjet lokale që, janë pothuajse në horizont, duke thënë se Republikanët pritet të jenë pjesë e këtij koalicioni edhe në zgjedhjet lokale, ndërsa Gjilanin pa dyshim se do ta fitojnë dhe se do të jenë me partnerët pjesë edhe e qeverisjes lokale, për ta drejtuar mbarë Komunën e Gjilanit, për të mirë të qytetarëve të saj.

“Bashkëpunimi me të rinjtë gjilanas nuk do të na mungojë as në zgjedhjet komunale, për çka presim një përkrahje edhe më masive për të quar kauza tonë të përbashkëta përpara dhe për të qenë zëri i tyre. Gjilanit i duhet ndryshime dhe kjo do të ndodhë”, ka thënë Selver Xhelili.

Përndryshe, kur jemi te zgjedhjet nacionale, Xhelili i Republikanëve apeloi tek të gjithë qytetarët për zgjedhje të qeta dhe kulturë qytetare, ndërsa ftoi ata që më 11 qershor votën e tyre ta adresojnë për koalicionin PDK-AAK-NISMA, pasi ky koalicion dhe Republikanët janë perspektiva dhe forca e vetme për të dërguar vendin përpara.

*Hapësirë e sponsorizuar – Zgjedhjet Nacionale 2017

KOMENTE