Lidhja Demokratike e Kosovës po kundërshton shndërrimin e FSK’së në FAK, për shkak se, sipas tyre, kjo po bëhet me qëllim të përfitimeve elektorale të Kryeministrit Hashim Thaçi.
Por, të hënën, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Ismet Beqiri, ka dhënë edhe një arsye se pse e kundërshtojnë këtë vendim.
“Ne kur të vije koha kemi edhe vërejtje tek emërtimi. Unë sot po e them se nuk shohim asnjë arsye të mungon edhe emërtimi “Republikës së Kosovës”. Pse të mos quhen Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës sepse ne jemi Republikë e Kosovës dhe nuk jemi veç shteti i Kosovës”, ka thënë Beqiri.
FARK ishte emërtimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, një fraksion ushtarak i krijuar nga LDK e që kishte luftuar për pak kohë dhe në disa zona të caktuara të vendit.
Atë emër, sipas Beqirit, ia kishte dhënë Presidenti Ibrahim Rugova dhe pas sa vitesh tash ëshët Thaçi që “detyrohet” t’i pagëzoi forcat ushtarake të vendit me një emërtim të ngjashëm.
“Po pse të ketë reagime. Nëse dikush është shumë i mençur dhe ia ka qëlluar që më herët me emërtimin siç ka qenë Presidenti Rugova, atëherë pse të ketë reagime”, ka thënë ai, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.