Kandidati për deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nga radhët e AAK-së, njëherit edhe pronar i kompleksit turistik “Vali Ranch”, Fehmi Fetahi, priti sot në një takim familjet e dëshmorëve të Zonës Operative të Karadakut. Në fjalën hyrëse, Fehmi Fetahi shprehi kënaqësinë e pa rezervë që i takon familjet e atyre që mundësuan një jetë të re në Kosovë. “ Sinqerisht, për mua ky është një moment i veçantë, një nder i veçantë, sepse po takohem me familjet e dëshmorëve të cilat dhanë bijtë dhe bijat e tyre në mënyrë që ne të jetojmë të lirë, të shkollohemi e edukohemi në liri. Pa sakrificën e tyre, gjakun e dëshmorëve, unë as që do të kisha menduar që ndonjëherë më jepet mundësia që të kthehem këtu dhe të bëjë investime”, u tha familjarëve të dëshmorëve, Fehmi Fetahi.
Ai shtoi se, familjet e dëshmorëve nuk duhet në asnjë mënyrë të cilësohen si kategori sociale, por të konsiderohen si vlera më e çmuar e shoqërisë dhe kombit shqiptarë në përgjithësi. “ Familjet e dëshmorëve duhet konsideruar si vlera ma e çmuar e kombit. Është e vërtetë se nuk janë trajtuar në mënyrën ma të mirë këto familje. Si institucione, duhet të kujdesemi për vlerat e luftës, dhe kjo bëhet që familjarët e dëshmorëve të kenë përparësi në punësim në kushte të barabarta, duhet t’ua mundësojmë lehtësime tatimore, përparësi regjistrimi në institucione arsimore, në bursa shkollore, tekste shkollore falas, zbritje në pagesat e ujit e energjisë elektrike, lirimin nga tatimi në pronë, përkujdesje shëndetësore falas, si dhe njëherë e përgjithmonë të zgjidhet çështja e banimit të këtyre familjeve”, tha z. Fetahi.
Në këtë takim me familjarë të dëshmorëve morën pjesë edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, njëherit edhe kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës, Ahmet Isufi, si dhe kandidatët tjerë, Nijazi Idrizi, Rexhep Kadriu, Drita Maliqi. Ata thanë se me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, familjet e dëshmorëve, veteranët e invalidët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të kenë një trajtim të duhur dhe një përkujdesje çfarë realisht e meritojnë këto kategori.
/e sponsorizuar/