Dekani i Fakultetit Ekonomik i Universiteti Publik “Kadri Zeka”, Prof. Asoc. Dr. Xhevat Sopi dhe Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, janë dakorduar që profesorë nga Fakulteti Ekonomik i UKZ-së t’i bashkohen ekipit për hartimin e Strategjisë së Zhvillimit Ekonomik Lokal të Komunës së Gjilanit.
Ky dakordim vije si rezultat i një vizite që dekani Sopi, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, Koordinatorin për cilësi, akreditim dhe kërkim shkencor, Prof.Ass.Dr. Arben Sahiti dhe Koordinatorin për bashkëpunim me biznese dhe praktika, Prof.Ass.Dr. Lulzim Rashiti, i bëri Komunës së Gjilanit ku u prit nga kryetari Alban Hyseni me bashkëpunëtorë.
Në këtë vizitë, u bisedua për mundësitë që ekzistojnë për të rritur bashkëpunimin mes Fakultetit Ekonomik dhe Komunës së Gjilanit. Dekani Sopi, e njoftoi Kryetarin Hyseni me kapacitetet e Fakultetit Ekonomik dhe gatishmërinë për të dhënë kontributin profesional në proceset zhvillimore të Komunës së Gjilanit, përmes ekspertizës së stafit akademik dhe studentëve. Si pikë e parë e këtij bashkëpunimi do të jetë angazhimi i profesorëve të Fakultetit Ekonomik në procesin e hartimit të strategjisë komunale për zhvillim ekonomik lokal.
Pikë tjetër ku bashkëpunimi do të filloj menjëherë do të jetë angazhimi i studentëve të Fakultetit Ekonomik në mbajtjen e praktikave profesionale në dikasteret e fushës ekonomike të administratës komunale. Ky aktivitet, i cili nuk do të kufizohet vetëm me studentët e Fakultetit Ekonomik, do të fillojë të realizohet në ditët në vazhdim për çka edhe u caktuan personat përgjegjës nga të dy institucionet.
Dekani, Prof.Asoc.Dr. Xhevat Sopi dhe kryetari Alban Hyseni, shprehën gatishmërinë që në të ardhmen të intensifikojnë edhe më shumë bashkëpunimin në të gjitha fushat me qëllim të rritjes së zhvillimit ekonomik të Komunës së Gjilanit. /2LONLINE/