Strukturat inteligjente pritet të jenë “koka” e Forcave të Armatosura të Kosovës. Kjo forcë (FAK), e cila pritet të krijohet si rezultat i transformimit të FSK-së, në planprogram ka edhe themelimin e shërbimeve të brendshme inteligjente, të cilat llogariten si faktor bosht për funksionimin e një ushtrie në bazë të standardeve të NATO-s, shkruan ‘Tribuna’.
Derisa funksionalizimi i FAK-ut ka kaluar te procesi i ndryshimeve kushtetuese, themelues të saj konfirmojnë se po punohet shumë edhe në ngritjen e kapaciteteve inteligjente.
Shumë nga ushtritë në botë, pjesa më e madhe e tyre që janë në NATO, kanë njësi të veçantë për inteligjencë të njohur me emrin “G2”. Ky departament është pjesë e shtabeve të ushtrive, të njohur me emra G, S ose J ndërsa “G2” kryesisht përdoret për drejtoritë që merren me inteligjencë.
Lajmin se edhe FAK-u do ta ketë njësinë “G2” e ka konfirmuar ministri i FSK-së Agim Çeku.
Ai ka thënë se edhe ministria që aktualisht drejton, ka departament për inteligjencë por sipas tij, ky sektor pritet të avancohet dukshëm kur forcat e reja të nisin operimin në Kosovë.