Misioni i EULEX-it përmes një komunikate ka konfirmuar arrestimin e dhjetë personave, në mesin e të cilëve është edhe deputeti Ukë Rugova, djali i ish presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova. EULEX-i thotë se operacioni i sotëm është hetim i përbashkët ndërmjet Policisë Kufitare të Kosovës dhe EULEX-it, nën ombrellën e PSRK-së. EULEX më tej thotë se ende janë duke vazhduar bastisjet e disa pronave.
“Sot një prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale të Kosovës (PSRK) udhëhoqi një operacion të arrestimit dhe të bastisjes kundër dhjetë (10) të pandehurve për të cilët pohohet se janë të përfshirë në një grup të krimit të organizuar i dyshuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale, përfshirë (1) krim të organizuar (në kundërshtim me nenin 283 të Kodit Penal të Kosovës ‘KPK’); (2) ushtrim ndikimi (në kundërshtim me nenin 431 KPK); dhe (3) mashtrim, kundër ambasadës italiane në Prishtinë (në kundërshtim me nenin 335 ‘KPK’). PSRK dhe ambasada italiane në Prishtinë janë duke punuar në bashkëpunim të ngushtë dhe reciprok në këto hetime që po vazhdojnë”, thuhet në kumtesën e EULEX-it.