Kryetari i OVL të UÇK-së, Muharrem Xhemajli, ka theksuar se etiketimet e pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si spiunë dhe bashkëpunëtor të pushtuesit serb po bëhen me qëllim të hutimit të qytetarëve të Kosovës.
Xhemajli tha për Telegrafin se shoqëria jonë nuk guxon të bie pre e këtyre dezinformatave. Ai tha se nëse dikush ka ndonjë informatë ato duhet të paraqiten te organet respektive dhe të dilet publikisht, dhe jo përmes letrave anonime të njollosen pjesëtarët e UÇK-së.
“Konsideroj që është absurde që kujt t’i teket të shkruaj letra anonime kundër luftës sonë për liri, duke sulmuar njerëzit të cilët kontribuuan në këtë drejtim. Mendoj që nuk duhet t’i kushtohet vëmendje e tepruar kësaj letre sepse është thjesht një dezinformatë”, ka thënë Xhemajli.
Ndryshe, një letër plot akuza për Ismet Hoxhën nga Vushtrria, një prej ish-luftëtarëve të UÇK-së, është gjetur para derës së selisë së shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, në Vushtrri.