Kryetari Kastrati, së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant, Rrahman Rama, panë nga afër punimet në urën e fshatit Hajnoc të Kamenicës.
Sot Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, së bashku me Komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant, Rrahman Rama, Kolonelin Stephen Rose, si dhe Nënkolonelin Rifat Maloku, panë nga afër punimet në urën e fshatit Hajnoc.
Kjo urë e cila u dëmtua si pasojë e vërshimeve të fundit, ka lënë të bllokuara mbi 10 fshatra, të cilat nuk kanë pasur mundësi qasjeje në komunën tonë.
Për sanimin e kësaj gjendje, Komuna e Kamenicës, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe Minisitrinë e Infrastrukturës, u angazhuan për një zgjidhje sa më të shpejt të këtij problemi.
I pari i komunës, Qëndron Kastrati, tha se është duke u bërë një punë e mrekullueshme nga ana e FSK-së, të cilët po mundësojnë qasje të lëvizjes për banorët e kësaj ane.
“Nga vërshimet e fundit, komuna jonë pati dëme të mëdha, sikurse dëmtimi i urës në Hajnoc. Pata kënaqësinë që sot të pres në takim komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant, Rrahman Rama dhe Kolonelin Stephen Rose, me të cilët vizituam nga afër punimet e urës në Hajnoc. Rregullimi dhe rifunksionalizimi i kësaj ure, për ne do të thotë shumë, sepse të gjithë banorët e bllokuar të kësaj ane, do të mund të lëvizin lirshëm”, shtoi mes tjerash Kastrati.
Ndërsa, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënanti, Rrahman Rama, tha se është detyrë e jona që të ndihmojmë qytetarët tanë kur ata kanë nevojë.
“Është në interes të të gjithë komunitetit këtu që jetojnë, si dhe obligim dhe detyrë e jona, që në çdo formë kurdo që qytetarët e vendit kanë nevojë, ne jemi këtu për ta. Qëllimi kryesor i kësaj vizite është që t’i përgëzojmë për punën dhe angazhimin e palodhshëm që janë duke e bërë këto ditë FSK”, u shpreh mes tjerash Gjenerallejtnant Rrahman Rama. /2LONLINE.com/