Tani u bë një kohë që Izmi Zekën e njohim jo vetëm si figurë publike dhe politike, por mbase herë pas here sprovon vetën edhe në shkrime diskurzive.
Nga: Arsim Halili
Në këtë pikëvështrim autorin sikur e trazon diçka që thellë -thellë e kupton se ky mjedis ku jeton është kaq i trazuar shpirtërisht e ndonjëherë i vrullshëm emocionalisht.
Duke shfletuar në këtë trajektore Izmiu vjen në një përfundim se i gjithë evolucioni i shtet-ndërtimit të Kosovës nëpër etapa, mbase ka përparësitë, por edhe pështjellime idesh shpeshherë kontradiktore. Këtë konfuzitet të jetës politike dhe publike në Kosovë, autori sikur tenton t’i jap arsye daljes nga idetë e mbrapshta për t’i drejtuar velat kah një pozicion ankorues me një pikë të përbashkët perspektivën e shtetit të Kosovës.
E them këtë se realizmi i aspiratave i të gjithë atyre që falen gjithçka që patën nga vetja për këtë vend, sigurisht do të donin të shohin një Kosovë ndryshe. Është mbase i qartë autori se duke i ndërtuar përmendore të kujtesës historike, natyrshëm do t’i ndërtohet ardhmëria e gjeneratave për të jetuar e vepruar të qetë në atdheun e tyre të quajtur Kosovë.
Libri i Izmi Zekës “ Epoka Demçiane dhe shkrime tjera “ ka një titull mjaft provokues në kuptimin e asaj që lexuesi do të kërkoj të gjej çfarë përfaqësohet brenda kopertinave të këtij libri. Natyrisht se brenda këtij libri ngrihen shumë çështje. Normalisht autori pretendon se ka të drejtë , ndërsa në anën tjetër lexuesit i mbetet të gjeneroj debate mbi atë që autori i vrojton dhe gjykon thjesht si ide personale, apo institucionale.
Libri “Epoka Demaçiane dhe shkrime të tjera ” ndahet në katër pjesë: Shpalime, Meditime, Gjykime Vrojtime. Në pjesën e parë trajton disa nga figurat apo le të themi emra të përveçëm që i dhanë kahje historisë më të re të Kosovës. Nëse e apostrofojmë thënien e Raselit ku ndër të tjera citon “ Historia e botës është vetëm biografia e njerëzve të mëdhenj” . Historitë e rrëfyera brenda këtij libri për emra të tillë që i dhanë kuptim lirisë së vendit. Sigurisht se nuk janë të panjohur madje secili nga ne, ka dëgjuar e lexuar, kush më shumë e kush më pak.
Emri i teologut dhe atdhetarit Haki efendi Sermaxhaj, është i njohur, jo vetëm nga komunitetit islam për përgatitjen e tij teologjike , por mbi të gjitha për shpirtin e tij atdhetar dhe i pa kompromis me të padrejtën që ju bë këtij vendi veçmas pas Luftës së dytë botërore.
Përmes metatekstit sintetizues për librin monografik “ Myderriz Haki Efendiu” mësojmë për atë se çfarë trajtojnë bashkautorët Aliriza Selmani dhe Hafiz Avni Aliu. Na jep të kuptojmë jo vetëm me njohjen dhe kontributin e çmuar të atdhetarit të fokusuar në këtë monografi dhe bashkëpunëtorëve të tij , por edhe seriozitetin e bashkautorëve të këtij libri Aliriza Selmanit dhe Avni Aliut .
Të gjithë jemi të njohur dikush më shumë e dikush më pak për të bëmat dhe heroizmin e Rexhep Malës dhe Nuhi Berishës, por ato të bëma të tyre thjesht nuk u brumosen vetëm në veprime fizike si: aksione nga më të ndryshme, për t’i treguar armikut se ky vend ka zot.
Ata lanë gjurmë edhe përmes shkrimeve të cilat gjithçka që përjetuan përmblodhën Rexhep Mala në librin “ Qëndresa “, ndërsa Nuhi Berisha në librin “ Pranverë e luleve të kuqe “ edhe në këtë rast autori Izmi Zeka bënë një analizë deri në imtësi nga dy anët atyre që e ndihmuan zgjidhjen e çështjes shqiptare dhe atyre që e sabotuan duke u munduar t’ia ndalin hovin këtyre atdhetarëve .
Bënë mirë që na ofron analizën e këtyre librave se cilat ishin pikëpamjet e tyre ideologjike, filozofike – politike misionin e tyre, kuptohet qartë veprimet dhe kundërveprimet e palës tjetër. Përmes kujtesës qoftë individuale dhe të bashkëpunëtorëve të këtyre dy veprimtarëve japin shembull që edhe gjeneratat pasuse të vazhdojnë rrugën e tyre të lënë në mes.
Portretin emblematik të Bekim Berishës – Abeja i cili nuk ishte vetëm një luftëtar brenda atdheut të tij, por humanizmi i tij njerëzor, kaloi këto përmasat ,andaj autori Zeka përveç madhështisë së kësaj figure nga këndi individual, bazohet edhe në referenca tjera që ta kuptojmë se çfarë figure kishim në mesin tonë.
Figura e Ukshin Hotit na jep një dimension tjetër të këtij atdhetari, njeriu që i kaloi përmasat evropiane , njeriu që nuk iu përkul për asnjë çmim politikës pushtuese serbe. Vërtet e mori dënimin e padrejtë , por ai u ngjallë si feniks .
Ne që jemi pas tij nuk mjafton ta kujtojmë e të bëjmë homazhe në ditë të caktuara , nuk mjafton të shkruajmë një libër përkujtimor, sepse për një enciklopedi të filozofisë politike i cili kishte tejkaluar përmasat evropiane deri në ato përtej atlantike do të duhej thjesht të plasojmë me shumë qartësi pasionin dhe vizonin e tij filozofik – politik.
Po gjithsesi autori Zeka përveç epiteteve që ua adreson me shumë meritë, sikur bënë thirrje që të mos heshtim pa ndryshuar fatin e tij për zhdukjen fantome.
Të lidhet fati i popullit me një epoke gjysmë shekullore me një emër që i dha dimension historisë më të re të Kosovës nuk është pak. Të lidhet fati i gjeneratave nën konceptin e ide qoftë e cilësuar ndonjëherë edhe e rrezikshme siç do të shprehej Oskar Uajlldi ku do të citonte “Një ide e cila nuk është rrezikshme nuk e meriton të jetë ide “.
Pra Adem Demaçi i ynë nuk e ndoqi parimin “ Ad hominem “ , pra ai nuk jep prova që të veprojë vetëm mbi ndjenjat e tij që kërkon t’i bindë, por zbaton parimin tjetër të bëjë mirë atë që e bënë dhe për autorin Zeka sigurisht Adem Demçi nuk është vetëm fat i një individi në vetën e parë ,sepse pas idesë së tij të rrezikshme, por të plasuar drejt ishin një plejadë e tërë atdhetarësh e intelektual që e kuptuan qartë se emri i tij do të thotë shumë , andaj ikja në përjetësi s’ka se si të mos e pikëlloj Izmi Zekën , s’ka sesi të mos e pikëllojë gjithë popullin. Secili brenda idesë së tij ka një ingranazh atdhetarie që lidhet me emrin e tij.
Tek sa i lexojmë pjesë tjera të librit si: meditime , gjykime dhe vrojtime, ai hedh edhe ide se do të duhej të jetë ndryshe një Kosovë , çka të merret e çfarë të lihet nga filozofia politike para dhe pas luftës së fundit në Kosovë . Sigurisht gjithë ato që zihen në kazanin e institucioneve politike brenda dhe jashtë vendit, autori ka raste kur i sjell nga pikëpamja e tij politike e tij, ka raste kur gjykon nga aspekti human.
Gjatë leximit të këtij libri patjetër hetojmë se autori i këtyre shkrimeve diskurzive parqet shqetësimet për ngërçet politike të cilat për pasojë kanë ngecjen e prosperitetit të Kosovës. Sigurisht se autori herë e herë e drejton gishtin nga individ të caktuar.
Gjatë shfletimit të këtij libri veçanërisht pjesët e fundit autori nuk shpërfaq inercion tendencioz , nuk shpërfaq vetëm dimensionin e tij politik , por megjithatë ngulmon se ka të drejtë në atë që atyre që sakrifikuan tu jepet vendi meritor .
Të gjitha këto fakte që bëjnë këtë libër të jetë me vërtetësi dhe objektivitet të lakmueshëm për gjithë ngjarjet e trajtuara historike dhe politike autori është në koherencë përballë lexuesit gjithmonë me freskinë tematike e që rrethanat socio – politike ndonjëherë e trasojnë binarët e absurditetit dhe paradokseve që na rrethojnë në përditshmërinë tonë.