Masat e Efiçiencës së Energjisë, janë si shtyllë kryesore dhe të rëndësishme për sektorin e energjisë që ndikon edhe në tërheqjen e investimeve, por edhe në krijimin e vendeve të punës dhe në këtë aspekt kemi filluar dy projekte për zbatimin e masave të efiçiencës së energjisë në nivel qendror dhe komunal, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci, në hapje të Forumit Ekonomik Kosovaro-Austriak me temë ‘Shërbimet Komunale dhe Efiçienca e Energjisë”, që nisi sot në Prishtinë.
Ministri Stavileci me këtë rast ka bërë të ditur se sa i përket nivelit lokal tashmë ka filluar zbatimin e masave të eficiencës së energjisë në katër komuna; Prishtinë, Ferizaj, Gjilan dhe Gjakovë, ndërsa projekti do të vazhdojë edhe në komuna tjera, duke shtuar se në këtë fushë mund të punohet bashkërisht me investitorë austriakë.
Kreu i MZHE-së theksoi se tashmë Kosova për herë të parë ka krijuar Fondin për Efiçiencë të Energjisë, i cili do t’i hap rrugë të ashtuquajturit Eco-Fondit.
Ministri Stavileci më tej tha se energjia, minierat dhe TIK-u, janë tri fusha, në të cilat ka hapësirë për të investuar së bashku me partnerë nga Kosova dhe tashmë në disa nga këto fusha janë të pranishme me investime të tyre disa kompani austriake.
Sipas tij, disa fushat të cilat mund të jenë tërheqëse për kompanitë austriake, janë gjenerimi i kapaciteteve të reja, rehabilitim i kapaciteteve ekzistuese, investimet në Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë dhe Masat e Efiçiencës së Energjisë, ku hyn projekti më i madh i energjisë, TC Kosova e Re.
“Fusha ku mund më së lehti të gjejmë gjuhën e përbashkët për investime me kompanitë në Kosovë, organizata të ndryshme është ICT. Kemi disa kompani të huaja që janë duke vepruar në Kosovë, disa prej tyre në fushën e eksporteve dhe duke ditur që ky sektor është shumë i zhvilluar në Austri dhe duke bashkëpunuar ato kompani të specializuara në Austri me këto në Kosovë mund të hapët rrugë në të bërit biznes”, tha ministri Stavileci.
Ai gjithashtu tha Ligji për Investimet Strategjike hap rrugë investitorëve e në këtë rast edhe atyre austriake.
Ndërsa ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami tha se Kosova dhe Austria kanë nënshkruar marrëveshje bilaterale në shumë fusha, të cilat ndihmojmë zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike të dyja vendeve. Austria gjatë këtyre viteve ka bërë investime prej 225 milionë euro dhe është akter i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës” tha ministrja Bajrami
Ndërsa, Peter Hasslacher, Komisioner për Ekonomi i Austrisë në Kosovë tha se Kosova dhe Austria ka rritur shkëmbimet tregtare duke shtuar se Austria është njëri nga pesë pesë investitorët më të mëdhenj në Kosovë .
Nga ana e tij Safet Gërxhaliu kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës tha se Kosova i përkrah bizneset e huaja, përfshirë ato austriake dhe shtoi se duke i parë investimet austriake në vendet e rajonit, e kanë parë që ka hapsirë për të investuar edhe në Kosovë.
Franz Wessig nga Ministria Federale e Shkencës, Hulumtimit dhe Ekonomisë së Austrisë tha se Kosova për nëntë vite shtet ka nënshkruar marrëveshje të rëndësishme të bashkëpunimit ekonomik. “Një nga zhvillimet më të rëndësishme që do doja ta potencoj është hyrja në fuqi e Marrëveshjes Tregtare me BE. Po ashtu procesi i Berlinit është i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të rajonit”, tha ai.