Sabit Rrustemi
EMRIT QË PRANVEROHET PËR ÇDO STINË
(Komandant Nijazi Azemit – Mjekrrës)
Borëton pranverë rrëkeve të gjakut tënd
e dhimbjet e tokës sonë as ftohen as prajnë
Një rreze stine përvidhet shtigjeve nga ece
kreshtave të këtyre maleve që s’njohin moshë
e ndalet për pak të trimërohet skaj Teje
Sa ishe kthyer prej një lufte me një gjysmë lirie
s’pate kohë për t’i numëruar as ato rrudha të thella nëne
lëre më puthjet e munguara të së dashurës
motërlotët që për pak vërshuan pragjet
apo ofshamat e heshtura të Atit
që shfryheshin me një Oso Kukë e Kullë baroti
Ishte një pjesë e ndarë e kësaj toke
një brengë e gjakosur Atdheu që priste
një Kosovë e Vogël mbetur pas krahësh
qysh nga Njëmijëenëntëqindedymbëdhjeta
Sa e sa kreshta malesh ishin gjakosur
në strehë varresh eshtarsh e gjëmësh ishin kthyer
nga Ujtë e Kuq e deri te ajo Rrafshnaltë Peqene
Një Kodër Lotsh ish ngritur prej klithmave të zogjëve
sa vetë dheu ish trishtuar
ish çarë ish rrudhur e fshehur
luginave të thella të shpirtit të lashtë sa vetë njeriu
Ti e ndjeje atë zë të tokës sate tek hapëroje përpjetëzes
kah ai Kacul i bacë Idrizit
e kur dilje te Guri i Nejzave
apo kur pushoje një çikëz nëpër korniza shtëpishë
Atë gjumë të paktë nate shpesh ta prishnin
britma të njoma të përvëluarish e djegurish te Isajt e Ukës
atij fillim dhjetori të njëmijëenëntëqindedyzetekatrës
Nuk ishin pamje të imagjinuara hollivudiane
ishin ngjarje tmerri të përsëritura
nga gjallesa me fytyrë njeriu e dhëmbë ujku
ngjashëm si në fundshekullin e sapo ikur
Vetëm krojet e Karadakut të kthjellnin
ta shuanin përpak etjen për mungesën e lirisë
në Vitin e TridhjeteNjë të jetës
Është po kjo Pranverë
që pikëlon rrëkeve të gjakut tënd e e s’mund të gëzohet
as kur erëmimi më i mirë i saj ishte flijimi Yt
Mbaj vesh se si të thërret
Eja pranverori Im
përmes atij ylberi shumëngjyrësh
nga ai breg i lumit tënd te ky breg i mallit tim
përuroje një Kohë të Re me buzëgazin tënd
shkunde dhe atë mjekërr në përvjetorin e 550 të Motit të Madh
Dhe thuaje më zërin tënd edhe njëherë
Sa të ketë male shqipja nuk vdes
( 22 Mars 2018 )