(2LONLINE) – Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin bërthama e çështjes sonë kombëtare, nderi, dhimbja dhe krenaria shqiptare. Ata ishin burra të cilët arritën unifikimin e mërgatës shqiptare, përpjekësit e angazhuar me tërë qenien në internacionalizimin e çështjes shqiptare në Evropë dhe botë. Trima të cilët i njohu dhe i bëri të pandashëm çështja madhore kombëtare. Asnjëherë nuk i ndau as lodhja, as veprimtaria e pashembullt, as vapa, as acari, ashtu si nuk mund i ndau as breshëria e plumbave të pushtuesit sllav.
Ata ishin themelues së Lëvizjes Kombëtare për çlirimin e vendit. Ishin strategët më të stërvitur për themelimin e platformës më të qartë kombëtare. Vizioni i tyre ishte të i bashkojnë gjithë shqiptarët, pa dallim feje, krahine apo gjinie. Vizioni i tyre në të folur e shkruar gjithnjë ka pasur parasysh edhe opsionin e çlirimit të Kosovës nga okupatori, pa përjashtuar edhe rezistencën e armatosur, kur pushtuesi nuk do të njihte tjetër formë.
Dalja e tyre në skenë në mërgatën shqiptare pati bërë jehonë të madhe. Ata ishin guximtarë të veprimeve kombëtare,edhe pse UDB-ja,sllave vepronte lirë në perëndim dhe i përcillte kudo. Ata ishin edukuar në frymën jo vetëm të duan atdheun në të cilin u lindën dhe edukuan,por edhe të sakrifikojnë të e mbrojnë dhe shpëtojnë ate me çmimin më të lartë (gjakun)
Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka, ishin pishtarë të lirisë së Kosovës, pa veprimtarinë e të cilëve Kosova nuk do të kishte lirinë të cilën e gëzon sot. Ata vunë themelet e tyre në këtë drejtim, duke kundërshtuar guximshëm pushtimin serb mbi Kosovën, Një formë të ngjashme kundërshtimi të pushtuesve e patën nisë edhe studentet e Universitetit të Prishtinës në vitin 1981.
Gërvallajt dhe Kadri Zeka sakrifikuan çdo gjë për lirinë të cilën po e gëzojmë sot. Ata me veprimtarinë e tyre paralajmëruan Serbinë, ish-Jugosllavinë por edhe mbarë botën e civilizuar, se shqiptarët e Kosovës më kurrë nuk do të lejojnë të jetojnë nën tutelën serbo-sllave.
Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu ishin simbole të qëndresës kombëtare,që burimin e kishin nga familje me tradita kombëtare patriotike. organizon likuidimin e tyre në mënyrën më barbare dhe tinëzare duke organizuar mbi ta atentat klasik. Janaret për shqiptarët ishin janare të kobshme dhe të zeza, ku mbi ta dora e zezë tinëzare likuidoj shumë veprimtarë të shquar. Kështu ndodhi edhe më 17 janar 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë dora e zezë e pushtuesit i vrau tinëzisht.
Duhet të thuhet se prej tyre më tepër shquhej Jusuf Gërvalla, dallohej për prirjet dhe orientimet kombëtare në të gjitha fushat. Jusuf Gërvalla ishte poet, këngëtar, publicist, veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare,intelektual i guximshëm e luftarak për çlirimin e Kosovës, i cili veprimtarinë e vet atdhetare e zhvilloj në ilegalitet në Kosovë dhe emigracion.
Ishte në rrezik të arrestimit, por pasi i shpëton arrestimit, migron në Gjermani, ku më parë jetonte dhe vepronte i vëllai Bardhi, ku e vazhdon me një intensitet edhe më të shtuar veprimtarinë e tij patriotike për çlirim e bashkim kombëtar. Në Gjermani arrin të bashkojë faktorin shqiptar të emigracionit në një front të përbashkët kundër shtypjes, burgosjes, vrasjeve e shpërnguljes së shqiptarëve nga forcat serbo-jugosllave.
Ai së bashku me Bardhoshin, Kadri Zeken e disa veprimtarë të dalluar, ishte në ballë të frontit të gjerë për sensibilitetin e opinionit botëror për çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në ish-Jugosllavi e Ballkan.
Pushteti i atëhershëm serbo-jugosllav tek Jusufi, Bardhoshi e Kadriu e shihte nyjën kyçe të organizimeve anti-jugosllave, prandaj me 17 janar Kosovës iu trazua qielli, shqiptarëve iu trazuan zemrat, atë natë të zezë janari dëbora u skuq me pikat e gjakut të trimave tanë të lirisë, Agu i mëngjesit i gjeti pikat e gjakut të tyre të ngrira, por as acari as breshëritë e plumbave nuk mund i ndanë trimat. Ata ranë në altarin e lirisë për të shënuar pavdeksinë. Shembulli i Jusuf Gërvallës, mbeti dhe mbetet i gjallë ndër intelektual të kohës moderne,si krijues dhe atdhetar i shquar për liri. Shqiptarët kishim të bënim me një armik të pacipë, i cili tinëzisht na i vriste trimat dhe nuk i linte të varroseshin në atdhe. Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu, ishin varrosur në Gjermani.
Më kujtohen ato vite dhimbjesh, kur çdo përvjetor bënim homazhe tek varrezat e tyre. Sikur më dukej se u bënim dëm, sikur i shkelnim varrezat e tyre, e trupi i tyre nuk prehej pa i kthye eshtrat e tyre në atdhe, për të cilin kishin rënë heroikisht. Tani fatbardhësisht ata janë në tokën e tyre, janë bërë dritë, diell e shkëndijë e lirisë dhe kombit.
Edhe ne mërgimtarët pas tyre jemi mundua të bëjmë veprimtarinë kombëtare, po rrugën e kishim të trasuar nga ata, shtigjet i kishim më të hapura dhe kraharorët më të mbrojtur, si rezultat i veprimtarisë së tyre.
Ashtu si Jusufi, ashtu nga prirjet për orientim kombëtar dallohet bija e saj Donika Jusuf Gërvalla, në organizimet e veprimtarisë së tyre pata marr pjesë dhe aty shihja ringjalljen e Jusufit, nga se Donika ishte veprimtare e paepur e çështjes kombëtare, ashtu si babai i saj Jusufi, ishte e zëshme dhe zëdhënëse e cila veprimtarinë kombëtare e zhvilloj në Gjermani dhe zëri i saj i fuqishëm, i guximshëm e intelektual, internacionalizoi çështjen shqiptare nëpër Europë.
Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka,janë personalitetet më të çmuara të cilët u flijuan për çlirimin e Kosovës, Ata janë nderi, dhimbja dhe krenaria jonë, vetëm se ata nuk duhet të i përkujtojmë vetëm në përvjetorin e rënies, duhet të gjejmë forma më të shpeshta organizimesh për të i përkujtuar dhe nderuar këta pishtarë të lavdisë, qoftë në Kosovë e kudo në mërgatën shqiptare. /2lonline/
/Shaban Cakolli/