Rreth 40 për qind e mallrave dhe e tregtisë ndërmjet Serbisë e Kosovës ndodhet në “zonën gri” dhe ekziston “vëllazërim-bashkimi” serbo-shqiptar në kriminalitet. Kështu transmeton Tanjug të jetë thënë në një konferencë me gazetarët në Qendrën për rajonalizim, në Beograd, transmeton Titulli
Drejtori i kësaj Qendre, Aleksandar Popov ka thënë se kësaj situate më së shumti i ka kontribuar disharmonia e sistemit të evidencimit, përkatësisht një dekret nga viti 2006 i shpallur në kohën e qeverisjes nga Vojisllav Koshtunica.
“Me këtë dekret veriu i Kosovës, në kundërshtim me Marrëveshjen e CEFTA-s është trajtuar si një territor unik doganor”, ka thënë Popov, duke saktësuar se në këtë mënyrë kjo pjesë e Kosovës ishte trajtuar se “zonë e veçantë doganore dhe se kjo pjesë ishte e liruar nga pagesa e detyrimeve doganore për shumicën e prodhimeve, që ka krijuar mundësi për pasurim enorm të individëve dhe ka dëmtuar shumë buxhetin e Serbisë.
Eksperti për tregti të jashtme, Predrag Bjeliq ka thënë se eksporti i Serbisë në Kosovë është rritur shumë pas vitit 2004 dhe shumë më shumë pas vitit 2007 në saje të zbatimit të Marrëveshjes së CEFTA-s, nënshkrues të së cilës janë Serbia e Kosova. Por, sipas tij, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 2008, fillon rënia e eksportit serb, si pasojë e mospranimit të vulave të Kosovës nga Serbia. Bjeliq tha se vjet eksporti i Serbisë në Kosovë ka mbërri në rreth 300 milionë euro dhe se ky territor përbën treg të rëndësishëm për firmat serbe. Po sipas tij eksporti i Kosovës në Serbi është simbolik.
Sipas tij midis Serbisë e Kosovës kryesisht shkëmbehen mallra ushqimore, grurë, miell, naftë, tjegulla, artikuj ushqimor, barna, pije joalkoolike…
Hulumtuesit e Qendrës thonë se pas vendosjes së menaxhimit të integruar të kufirit në Jarinjë e Bërnjak nga fundi i shkurtit është shkurtuar koha dhe shpenzimet për qarkullimin e mallit, por vazhdon të jenë të ndryshme kushtet e afarizmit me pjesën veriore me atë jugore të Kosovës. Ata rekomandojnë vendosjen e mbikëqyrjes së sistemit doganor ndaj mallrave, si njjë zgjidhje kalimtare, që do të thotë përcaktimi i qartë i territorit doganor midis Serbisë e Kosovës. Ata konsiderojnë se pjesa veriore e Kosovës nuk duhet të ketë trajtim të privilegjuar tatimor, ndryshe do të ishte edhe më tutje zonë e lirë doganore. Po sipas tyre duhet të shfuqizohet dekreti për lirim nga detyrimet doganore dhe kthimi i detyrimeve si për pjesën veriore ashtu edhe atë jugore të Kosovës.
Sipas raportit të prezantuar, gjatë nëntorit të vitit 2011 nëpër pikëkalimet kufitare mesatarisht gjatë ditës kanë kaluar 8.586 persona, në drejtitm të Kosovës – 4.279, dhe nga Kosova në drejtim të Serbisë – 4.306 persona, transmeton Tanjug. Sipas këtij burimi, nga dhjetori i vitit 2001 e deri më 20 shkurt të vitit të kaluar ndë të dy drejtimet nëpër pikëkalimet kufitare mesatarisht gjatë ditës kanë kaluar nga 5.982 persona, në drejtim të Kosovës – 2.911 dhe në atë të Serbisë (nga Kosova) 3.071 persona.