Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit Bilateral në mes të dy Shteteve, Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës në bashkëpunim me ekipin mobil trajnues të mbrojtjes së afërt të Policisë Ushtarake Kroate, gjatë kësaj jave kanë realizuar “Trajnimin për Mbrojtje të Afërt”.
Ky trajnim përfshin teknika dhe taktika për përcjelljen dhe sigurimin e VIP-ve. Pjesëmarrësit u trajnuan në teknika të avancuara për përdorimin e armëve në situata të ndryshme, duke përfshirë lëvizje të shpejta dhe precize. Instruktorët Kroatë sfiduan pjesëmarrësit me skenar real dhe të avancuar për të trajnuar ata në reagime të shpejta dhe efektive në situata emergjente. Instruktorët gjatë gjithë kohës kishin një qasje të specializuar dhe të personalizuar për të përmirësuar aftësitë individuale të secilit pjesëmarrës.
Realizimi i trajnimit ka ndikuar në ngritjen profesionale të Policisë Ushtarake të FSK-së duke forcuar aftësitë e pjesëtarëve pjesëmarrës në detyra të mbrojtjes së afërt, menaxhimin e situatave të rrezikshme, si dhe ndërveprimin me Policinë Ushtarake Kroate. /2LONLINE/