( Vështrim i lexuar në hapjen solemne të Manifestimit tradicional “Vjeshta letrare e Gjilanit, më 11 tetor 2014 )
Nexhat Rexha
Këtu e pesë vite më parë e nisëm Vjeshtën letrare,jo spontanisht ,por me koordinim e shpresë se do të bëjmë një manifestim unikat me dëshirë se qyteti i Gjilanit po identifikohet me emrin e Beqir Musliut,Rexhep Elmazit,Mirko Gashit, Ali Huruglicës etj., dhe po merr kuptimin e qytetit të kulturës.
Sa ia kemi arritur këtij synimi nuk mund të themi shumë,por një gjë dihet se në këto pesë vite të punës dhe angazhimit të një grushti poetesh të vullnetit të mire,jo vetëm që krijuam e kultivuam vlera të mirëfillta artistike ,por konsideroj se edhe ruajtëm frymën letrare të shkrimtarëve me të cilët identifikohet qyteti ynë.
Në këto vite të punës Ars Klubi “Beqir Musliu”,ka bashkëjetuar e vepruar me idenë se kultura frymon lirshëm,për të gjithë ata që veprojnë e shkrijnë ngjyrën për t`i dhënë jetë fjalës së bukur artistike.
Puna,vullneti dhe aktiviteti i anëtarëve të Ars Klubit”Beqir Musliu”,hapëroi jo vetëm në qytetin tone, por ai krijoi mundësi për aktivitete edhe anëtarsim në të gjitha qytetet e Kosovës ,të Shqipërisë ,Maqedonisë, e të Kosovës Lindore. Kështu prej vitit në vit Ars Klubi “Beqir Musliu”,begatoi fondin e kulturës kombëtare me botime nga më të ndryshmet.
Nëse para pesë vitesh e filluam Vjeshtën letrare me tri botime të Shtëpisë Botuese “ Beqir Musliu”, dhe këtë vit kjo Shtëpi botuese vjen para lexuesit me 15 botime vetëm brenda këtij viti dhe kështu prej vitit në vit e shtuam sasinë dhe ruajtëm cilësinë e vlerave të botuara. Përmes aktivitetit të vazhdueshëm u bënë promovime librash,portretizime të autorëve nga të gjitha trevat shqiptare. Anëtarët e Ars Klubit “Beqir Musliu”,prej vitit në vit u shtuan dhe krijuan traditën këtij manifestimi letrar.
Në kuadër të aktivitetit letrar vijnë edhe manifestime të tjera letrare si: Muzat e Agimit, Trekëndëshi poetik i paqës,Pranvera e librit etj.duke ruajtur rëndësinë dhe frymën letrare të Flakës së Janarit.
Në këtë hallkë aktivitetesh e nëpër hullinë e fjalës së bukur artistike,arritëm në këtë Vjeshtë Letrare të Gjilanit 2014., për të cilën jemi tubuar këtu,për të thënë fjalën dhe për të ruajtur kujtimin e ditëve tona. Ngjarjet e veprimet nëpër kohë krijojnë edhe historinë,e kjo koha jonë krijon mundësinë e veprimit të lirë, të zhvillimit kulturor me një frymëmarrje sa të lirë po aq edhe komplekse,sepse kultura në shtetin tonë, asesi nuk po e përjeton fatin e mirë në pikëpamje materiale. E vlerat kulturore sa ruajnë këto kohë ,po aq edhe sistemojnë proceset shoqërore,nëpër kronikat e letrave tona.
Sidoqoftë, kultura ecën në vijat e veta të holla apo të trasha,kurse Ars Klubi “Beqir Musliu”,duke bashkëjetuar me fjalën artistike dhe me ndodhitë e krijimtarisë artistike,ka bërë dhe bënë përpjekje të vazhdueshme për; të ruajtur, krijuar vlera sa më të larta,sepse me një libër të mirë vijnë shumë lexues të mirë,kurse me një libër jo të mirë humbet edhe lexuesi i mirë. Duke i njohur këto pikëpamje sa orientuese ,e sa dëshirore,Ars Klubi” Beqir Musliu” me kujdes e vëmendje ka shtrirë veprimtarin e vet botuese në suaza të reales së mundshme,duke patur parasysh gjithnjë,kriterin e cilësisë.Sa ia kemi arritur këtij misioni e qëllimi,më së miri dëshmojnë veprat e botuara brenda këtyre pesë viteve.
Po kjo Vjeshta letrare e këtij viti dallon nga të tjerat, jo pse është e tanishmja ,por pse këtë vit nga Shtëpia Botuese” Beqir Musliu “ dolën 15 botime vlerash dhe një botim i Trekëndëshit poetik.. Do të duhej të botohej edhe Vjeshta letrare e vitit që iku,por në pamundësi financiare punimet e Vjeshtës së kaluar flejnë të palosura në Arkivin e Ars Klubit.
Sidoqoftë në këtë vit si kurrë më parë dallojmë me botime nga fusha të ndryshme dhe në këto 15 botime veprash e vlerash dominon edhe më tej poezia, por ajo që specifikon këto botimet e sivjetshme janë veprat e autorëve nga shumë treva shqiptare si dhe në këto botime vijnë edhe më tej autorë edhe nga mërgata.
Viti 2014 filloi me botimin e veprës së veçantë të autorit Arsim Halili “Portretizime estetike” vepër e dalluar jo vetën për Ars Klubin “Beqir Musliu”, por e dalluar nga kritika letrare edhe në letrat shqipe, për të arritur te vepra më e re e autores së re Qëndresa Shalës “Pritja jote jam”.
Në kuadër të botimeve të këtij viti janë butuar edhe vepra nga Autorë me renome ndërkombëtare siç është libri poetik i autores Alda Merini “Lëkura e shpirtit” në përkthim të poetit Aqif Hysa. Pastaj libri me tregime i autores Drita Fejza –Ajazi”Melodia e pyllit”, Libri i Haki Bunjakut”Thesare të paharruara” vlera (nga miniera e folklorit),si dhe vëllimet poetike të: Sevëme Fetiqit “Një Gllënjkë dashuri”,Diniela Lera_Vehbiut”Kur lulëzoi pritja”, Sadete Tërnava-Osmani” Ditët s`janë një”, Rrahim Sadikut”Zgjuar me etjen”, Fehmi Qerimit”Aty ku s`jam unë”, Ahmet Osmanit” Heshtjen përgjon hëna”, Bilall Maliqit”Sheshi i fjalëve”,Edona Halitit” Merrmë me nisjen”, Zyrafete Kryeziu-Manaj” Aty ku prehen dashuritë” ,Nexhat Rexhës”Fluturojnë zogjtë në kafaz”, si dhe Trekëndëshi Poetik i paqes (edicioni i tretë qershor 2013) ,që u botua këtë vit.
Konsiderojmë se këto vepra janë botime, që i afrojnë lexuesit fjalën e bukur artistike në këto fusha të trajtimit të tyre.
Me Vjeshtën Letrare të Gjilanit 2014,vijnë e ruhen edhe shpërblimet e ndryshme nëpër konkurse letrare ,si në manifestimet e Gjilanit po ashtu edhe në manifestimet tjera në nivelet lokale e kombëtare. Me çmime nga konkurset tradicionale që jep Gjilani, njëkohësisht edhe anëtarët e Ars Klubit janë nderur me çmime të ndryshme .Në këtë periudhë Sabit Rrustemit i është dhënë çmimi për veprën “Murale shpirti” nga Ministria e Republikës së Kosovës si vepër më e mirë poetike e vitit, e shpërblime te tjera.
Vjeshta Letrare e Gjilanit , bashkon me fjalën e bukur artistike të gjitha trevat shqiptare,identifikon e ruan traditën e letrave shqipe të paraardhësve të tyre, krijon miqësi me emra njerëzish, e autorë nga shumë vendbanime tona.
Ky edhe është qëllimi të njohim e lexojmë vlerat,të njohim e ruajmë në kujtesë kohën tonë. Të krijojmë mundësi më të favorshme për gjeneratat që vijnë pas nesh./2L ONLINE/