Kabineti qeveritar miratoi sot vendimin e kryeministrit Thaçi për heqjen e taksave për veturat që vijnë nga Lugina e Preshevës në Kosovë. Ky vendim do të hyjë në fuqi me datën 21 të këtij muaji, ndërsa sipas kryeministrit Thaçi këtë kompensim do ta bëjë Qeveria e Kosovës.
Sipas komunikatës nga kjo mbledhje, kreu i Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçipo ashtu ka vlerësuar lartë ecurinë e fushatës zgjedhore, duke përgëzuar gjithë spektrin politik për një fushatë të qetë dhe korrekte. Ai edhe njëherë u ka bërë thirrje serbëve të veriut që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit duke thënë se edhe ata duhet të jenë pjesë e kornizës kushtetuese ligjore.
Të gjithë qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, të cilët do të hyjnë në Kosovë nga 21 tetori nuk do të kenë nevojë të paguajnë taksa për veturat e tyre. Ky vendim u aprovuar sot nga kabineti qeveritar. Kryeministri Thaçi tha se këtë kërkesë e ka shqyrtuar me lidershipin e Luginës së Preshevës.
“Në të njëjtën kohë, unë kam shqyrtuar kërkesën e lidershipit të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që janë kresa edhe të qytetarëve atje, për heqjen e taksave për veturat në vendkalimet kufitare për qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kur hyjnë në territorin e Kosovës. Këtë kompensim do ta bëjë Qeveria e Kosovës dhe ministria e Financave duhet të angazhohet që ta implementojë këtë vendim. Prandaj, ju ftoj sot që Qeveria e Kosovës të aprovojë vendimin për heqjen e taksave për veturat e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit që hyjin në territorin e Republikës së Kosovës nga 21 tetori i këtij muaji”, tha ai.
Qeveria miratoi po ashtu edhe strategjinë kombëtare të Republikës së Kosovës për menaxhimin e integruar të kufirit 2013-2018. Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi tha se kjo strategji ka rëndësi të madhe në sigurinë e kufijve.
“Strategjia kombëtare e Republikës së Kosovës për menaxhimin e integruar të kufirit, pasqyron vizionin e qartë të Republikës së Kosovës, për sigurinë dhe përafrimin e Republikës së Kosovës me bashkimin Evropian, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, parandalimin e krimit duke respektuar standardet më të larta të të drejtave të njeriut”, theksoi ai.
Në vazhdim Qeveria ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për hua të financimit për vazhdimin e ndërtimit të rrugës Prishtinë- Mitrovicë, që është lidhur në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondi I OPEC për Zhvillim Ndërkombëtarë. Shuma e huas është 20 milion dollar shlyerja e të cilës do të fillojë në gusht të viti 2018 dhe do të përfundojë në shkurt të viti 2033.
Strategjia kombëtare për riintegrimin e personave të riatdhesuar në Kosovë, është edhe një dokument tjetër i politikave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e migracionit dhe riintegrimit të personave të riatdhesuar, paraqesin një aspekt të rëndësishëm në marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, në kuadër të angazhimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Synim i përgjithshëm i Strategjisë së Riintegrimit është fuqizimi i mekanizmave të strukturuar mirë, të pavarur, plotësisht funksional dhe profesional për riintegrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar, në nivelin qendror dhe lokal.
Në vazhdim të realizimit të projekteve kombëtare të ndryshme të infrastrukturës, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimet përfundimtare për shpronësimin e pronave të paluajtshme të pronarëve dhe të zotëruesve të interesit, të cilat preken nga ndërtimet e rrugëve Prishtinë – Pejë, në zonat kadastrale Balincë, Llazicë, Mleçan dhe Kijevë të komunës së Malishevës; Për ndërtimin objektit administrativ të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave në zonat kadastrale të Hajvalis dhe Çagllavicës në komunën e Prishtinës.
Edhe vendimi përfundimtar i shpronësimeve të pronave që preken nga ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdar në zonat Banjë, Bellanicë, Carallukë, Tërpezë, Lladrofc, Shkarashnik, Temeqinë të komunës së Malishevës dhe Bllacë, Duhël dhe Sllapuzhan në Komunën e Suharekës, është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Gjithashtu edhe vendimi tjetër i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka të bëjë me shpronësimet e pronave që preken nga ndërtimi i autostradës Vërmicë – Merdar dhe të rrugës Prishtinë – Mitrovicë, në zonat kadastrale të komunës së Obiliqit dhe Prishtinës.
Kryeministri i Kosovës po ashtu kërkoi nga Ministri i Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë që të përshpejtohen të gjitha procedurat për themelimin e Universitetit Publik të Ferizajt./koha.net/